Diktatura e pakicës

Shpesh dëgjoj kohëve të fundit që kjo që e bën VMRO-DPMNE në Parlament qenka tërësisht normale dhe në kuadër të Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores së Parlamentit. Dëgjoj që i gjithë ky karamboll që është duke ndodhur në Parlament paska ndodhur edhe më parë dhe qenka tërësisht brenda mekanizmave ligjore dhe kushtetuese për të shprehur pakënaqësinë dhe mospajtimin me mënyrën e qeverisjes. Bile, bile, disa e krahasojnë këtë sjellje me sjelljen e mëparshme të LSDMsë dhe me bllokimin që kërkoi të bënte për Buxhetin e shtetit në atë që njihet si e hëna e zezë me 24 Dhjetor, 2012 ose edhe me heshtjen me orë të tëra të deputetit Talat Xhaferi kur bllokonte atë të quhej Ligji për mbrojtësit e Maqedonisë.

Epo nuk është aspak e njëjta situatë. Të gjithë duhet të bëjnë dallimin mes bllokimit të ndonjë ligji konkret, problematik dhe kontravers dhe transferimit të qetë të pushtetit. Senaca konstituive e Parlamentit ka pikërisht këtë qëllim: konstituimin e qeverisjes së re, së pari në Parlament, përmes definimit të shumicës parlamentare, dhe pastaj edhe në Qeveri, përmes votimit të së njëjtës. Seanca konstituive nuk ka qëllim sjelljen e Buxhetit ose të ndonjë ligji të caktuar mbi të cilin mund të debatohet, të replikohet, kontrareplikohet, të bisedohet me vetëvehten dhe të tregohen edhe qindra shenja tjera të shëndetit problematik mendor. Prandaj, çdo lloj krahasimi i saj me bllokime të mëhershme ligjesh ose buxhetesh është skajshmërisht tendencioz dhe ka për qëllim që të mbrojë luftën e padrejtë dhe të kundërligjshme të VMRO-DPMNEsë për të ndejtur dhe më tej në pushtet kur të njëjtin ka kohë që e ka humbur.

Nëse dikush ka ende dilema rreth asaj që bën VMRO-DPMNE momentalisht në Parlament, le të qartësojmë: Kjo parti mundohet të pengojë me çdo kusht transferin e qetë të pushtetit pas zgjedhjeve të cilat ajo vetë i quajti demokratike dhe rezultatet e të cilave i shpalli të pastra si loti. Transferi i pushtetit përmes zgjedhjeve të rregullta dhe demokratike, si dhe përmes krijimit të shumicës së re parlamentare, jo vetëm që është gjëja më normale e mundur, por ajo është esenca e demokracisë, dhe si e tillë, është baza e rrendit tonë juridiko-kushtetues. Nëse ka nevojë ende dikush për qartësime, kjo që bën VMRO-DPMNE është shkelje e rendit kushtetues të vendit përmes pengimit të transferit të qetë të pushtetit, gjë që është vepër penale sipas Kodit penal të RM dhe karakterizohet si Grushtshtet apo Tradhëti e lartë (neni 305 i KPRM).

Kështu që, ata që mundohen ta arsyetojnë këtë veprim të VMRO-DPMNEsë le të mos harrojnë se ky aspak nuk është një veprim normal, sepse në demokraci, sundon shumica dhe jo pakica parlamentare. Të drejtat e pakicës sigurisht që janë të garantuara, por kjo nuk do të thotë që pakica mund të sabotojë pafundësisht dhe të pengojë qeverisjen e shumicës. Demokracia nuk funksionon ashtu. Ashtu funksionon vetëm Apartheidi, që nënkupton sundimin me forcë të pakicës mbi shumicën duke u bazuar në diskriminim dhe në shkelje tjera të të drejtave natyrore të njeriut. Pra, nëse dikush edhe më tej kërkon të arsyetojë Apartheidin që kërkon të vendosë VMRO-DPMNE në Parlament, duke kërkuar së pari shumicën në Komisionin për zgjedhje dhe emërime, pastaj kryetarin e këtij komisioni, dhe tani duke replikuar vetëvehten në seancën plenare pikërisht lidhur me përbërjen dhe kryetarin e komisionit që vetë e zgjodhi; epo ai që mundohet ta arsyetojë këtë, arsyeton vazhdimin e Aparthedit në këtë vend ku për 10 vjet sundon maja e familjes më të kriminalizuar në shtet e që tani kërkon të amnistojë vehten për krimet e bëra.

Ajo që unë nuk arrij të kuptoj në këtë moment është sjellja e shumicës parlamentare që e pamë të deklarohet përmes nënshkrimeve të deponuara tek Ivanov. Ka ose nuk ka realisht shumicë parlamentare? Në letër duket që ka, por në seancat parlamentare lindin dyshime. Këto partitë shqiptare, e ndanë ose jo mendjen se çka duan të bëjnë? Duan qeveri të re ose jo? Duan kryetar parlamenti shqiptar ose jo? Ku janë? Po LSDM? Ata do e lëshojnë seancën parlamentare? Jo, jo, kush të dojë le ta lëshojë seancën në mënyrë demonstrative, por ata që kanë shumicën parlamentare nuk ka logjikë që ta lëshojnë. Ata duhet ta vendosin në veprim shumicën parlamentare dhe jo anasjelltas.

Branko Manojlovski është deputeti më i moshuar në këtë përbërje parlamentare, dhe vjen nga rradhët e BDI, e cila, poashtu synon që Kryetari i Parlamentit të jetë nga rradhët e saj. Epo punët nuk bëhen vetëm duke synuar, por duke vepruar. “Bashkë vendosim” a nuk ishte kështu parolla e tyre para zgjedhjeve?!

Zotëri Manojllovski duhet të gjejë mënyrë të ulet në atë kariken e kryesuesit të Parlamentit. Ai ka po aq të drejtë sa edhe Veljanovski të ulet në atë karike, prandaj duhet të veprojë. Askush nuk ka kohë të presë 4 vjetë, sa ç’vlerësuan disa, që VMRO të flasë me vetëvehten. Kjo nuk është demokraci, ky është uzurpim i qeverisjes nga ana e pakicës parlamentare dhe paraqet vepër penale e cila duhet ndaluar e më pas, një ditë kur të kemi prokuror të vërtetë publik republikan si dhe gjykatë të vërtetë, edhe duhet ndjekur e dënuar. Ndërsa tani, në këtë moment, i takon kryeplakut të parlamentit që ta ndalojë veprimin antiparlamentar që është duke ndodhur dhe t’i japë fund kësaj katrahure. Bukur mirë të ulet tek ajo karika dhe të vendosë pikë të re në rendin e ditës: Zgjedhja e Kryetarit të Parlamentit, dhe me këtë, të konfirmohet një herë e mirë shumica parlamentare. Menjëherë pas kësaj mund të zgjidhet edhe qeveria, se ne nuk do mbetemi peng i Ivanovit sa të jetë jeta. Fundja edhe Tusk tha që duhet të mbisundojë logjika e shëndoshë. Ndërsa kjo që është duke ndodhur është me vjet drite larg logjikës së shëndoshë.

Është koha që partia më e madhe shqiptare në parlament të veprojë dhe të tregojë që vërtet dëshiron t’i japë fund kësaj krize. Këtë ta tregojë edhe me vepra dhe jo vetëm me fjalë e deklarata. Ata i kanë dy mekanizmat më të fuqishëm në dorë: deputetin më të moshuar që mundet lehtësisht të bëhet kryesues i seancës konstitutive, si dhe deputetin i cili ka përkrahjen e 62 deputetëve për t’u zgjedhur kryeparlamentar. Ndërsa partitë tjera shqiptare, që bashkë nënshkruajtën edhe Kërkesën e tyre të përbashkët, duhet të japin përkrahjen e tyre në këtë proces, dhe jo ta çojnë ujin në mullirin e Apartheidit që po e kontrollon VMRO-DPMNE.

Kështu që, mjaft më me arsyetime! Është koha për vepra, jo për fjalë, jo për replika dhe kundër-replika e për vërejtje procedurale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button