Perspektiva e quajtur FRONTEX

Kufiri i Maqedonisë së Veriut do të mbrohet dhe do të monitorohet tash e tutje nga forca të përbashkëta nën mbikqyrjen e Unionit Evropian dhe në pajtim me Marrëveshjen Fronteks e cila po fillon të zbatohet këto ditë. Kjo marrëveshje është një hap më se i rëndësishëm në përparimin e vendit drejt integrimit në Unionin Evropian. Ndryshimet e viteve të fundit që mundësuan zhvillime të këtilla mund të relativizohen në vazhdimësi, por ky relativizim nuk e zbeh dot rëndësinë e këtyre hapave të mëdha të cilat jo gjithmonë promovohen aq zëshëm sa që duhet.

Siguria e shtetit u konsolidua në momentin kur u bëmë pjesë e NATO-s. Tani kjo siguri vazhdon të zhvillohet edhe më tej përmes Marrëveshjes Fronteks, sipas të cilës vetë Unioni Evropian do ti mbikëqyrë kufijtë tanë dhe do të japë ndihmesë esenciale në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe dukurive tjera negative dhe kriminale të kohës moderne. Kapacitetet që po zhvillohen tani më e që do të zhvillohen edhe në të ardhmen vetëm sa do ta forcojnë shtetin më shumë dhe do ta bëjnë atë ende më të jetueshëm dhe me perspektivë. Dhe një ditë, pas disa vitesh, do të jemi të gatshëm të jetojmë si vendet në të cilat tani kërkojmë të emigrojmë. Dhe kjo varet tërësisht nga ne dhe askush tjetër.

Normalisht, ky progres në integrimet Euro-Atlantike dikujt i pengon pa masë. Sepse në atë proces integrimi dikujt i prishet hesapi i vendosur kahmoti, ai hesap që i lejon njerëzit të pasurohen në mënyrë kriminale dhe të mos bartin përgjegjësi, ai hesap që lejon korrupsionin të lulëzojë, ai hesap që na mbajti të ngujuar vite me radhë në një rreth vicioz nga i cili mezi arrijmë të dalim duke u çapitur. Tani në kufijtë që do të mbikqyren nga Unioni Evropian vështirë se do të kalojnë pa u dalluar të arratisurit nga burgjet, që kërkojnë pastaj azil në vendet e UE-së. Ndoshta tash e tutje edhe vetë Unioni Evropian mund të bëhet një vend më i pasigurt për të arratisurit nga drejtësia dhe mund të kontribuojë në mënyrë direkte që përgjegjësia penale të mbahet ashtu siç duhet edhe tek ne.

Sido që të jetë, diçka është e qartë, kriminelëve po u vështirësohet jeta dhe biznesi i tyre. Gjërat nuk do të jenë më aq të thjeshta si dikur. Prandaj tani disave u pengon gjithçka në rrugën e integrimit drejt Unionit Evropian. Dhe ajo që ju pengon është shumë më e thellë se ndryshimet kushtetuese ku kërkohet që një ose disa komunitete që jetojnë në këtë shtet të përfshihen në preambulë dhe në tekstin normativ. Dhe ata të cilëve u pengon kjo rrugë evropiane shpejtojnë t’i quajnë tradhtarë të gjithë të tjerët që mundohen të gjejnë zgjidhje për qorrskokaqet tona. Por në fakt ata që veten e shesin si patriotë të mëdhenj janë të tmerruar që një ditë ky vend do të jetë një vend i mirëfilltë evropian, ku njerëzit jetojnë në mënyrë të lirë, ku kriminelët përgjigjen për krimet e tyre dhe ku të dënuarit nuk arratisen dot nga vuajtja e dënimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button