Koha e dallëndysheve

Dje u bënë plot shtatë vjet nga dita kur me 12 Prill 2016, presidenti i atëhershëm Ivanov shpalli faljen e tij skandaloze, vetëm një muaj pasi Gjykata Kushtetuese e atëhershme mendoi se kishte krijuar bazë juridike për këtë veprim të presidentit. Që atëherë u krijua një situatë absurde juridike, e cila sot e kësaj dite nuk është zgjidhur tërësisht. Mjafton një veprim ngatërestar për të ju futur në labirinte juridike më komplekse se labirinti i Tezeut, ku nuk ka vetëm një Minotaur, por ka shumë të tillë që fshihen pas secilës kthesë.

Kur gjërat shihen në retrospektivë, gabimet bëhen ende më të dukshme. Është e dhimbshme që ato falje nuk u shpallën të pavlefshme nga asnjë institucion shtetëror, edhe pse të pavlefshme ishin që në momentin kur u sollën. Nuk mund të falet dikush në bazë të një neni i cili nuk ekziston në qarkullimin juridik, sepse paraprakisht është fshirë nga ligji. E megjithatë, institucionet tona nuk i shpallën të pavlefshme faljet pa bazë juridike, por në fakt e komplikuan ende më shumë punën, duke sjellur ndryshime të ligjit të cilat krijuan mundësi për tërheqjen e faljeve të dhëna, por njëherit krijuan edhe dilema të tjera juridike që lidhen me vlefshmërinë retroatkive të ligjeve, veçanërisht kur ato janë në dëm të personave të pandehur.

Shtatë vite më vonë, kemi procese gjyqësore të zhagitura, jo vetëm për punën e faljeve, por edhe për shkak të ndikimit politik që e kanë të pandehurit dhe problemet këmbëngulëse me pavarësinë e gjyqësorit; kemi edhe një vendim për palejueshmëri të ankesës së të pandehurve në këto raste para Gjykatës Evropiane për të Drjetat e Njeriut në Strasburg e cila nuk u lëshua në vlerësimin meritor të lëndës por theksoi që ankesa është dërguar në Strasburg pa u konsumuar të gjitha mjetet juridike vendase; dhe përfundimisht, kemi situatë të nderë e cila ende nuk ka një zgjidhje të arsyeshme dhe një përfundim racional të debatit juridik.

Të mos harrojmë që pikërisht me 12 Prill të vitit 2016 filluan protestat e Revolucionit Laraman, të cilat u inicuan me parollën “Pa drejtësi nuk ka qetësi”. Për herë të parë në historinë e këtij shteti qytetarët u bashkuan me një kërkesë të vetme: kërkesë për drejtësi dhe për përgjegjësi penale për ata që e kanë shkelur ligjin. Tani, 7 vite më vonë, jemi vend anëtar i NATO-s dhe në mes të dilemave të shumta për ndryshime kushtetuese që lidhen me fillimin e negociatave për aderim në UE. E megjithatë në gjithë këtë proces, gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë pikërisht drejtësia ajo që ka çaluar më së shumti. Pikënisja e gjithë ndryshimit shoqëror që ndodhi në vend brenda këtyre viteve, ende çapitet mes labirinteve juridike.

Vënia e drejtësisë në vend i jep motiv qytetarit të besojë se ia vlen të jetohet në një shtet. Kur ka hegjemoni dhe shkelje të të drejtave, krijohet mllef që përfundon me revolucion. Por kur drejtësia nuk vendoset në vend edhe pse ky ka qenë premtimi kryesor i revolucionit, atëherë nuk krijohet mllef, por dëshprim, dhe dëshprimi nuk i nxjerr njerëzit në rrugë, por i nxjerr jashtë shtetit. Ata që e humbin shpresën se do të bëhet më mirë, nuk ndjejnë më mllef por shtegëtojnë si dallëndyshet, dhe bëjnë vend diku tjetër, ku ajo drejtësi që ata e kanë kërkuar, funksionon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button