Idriz Orana: Mexhiti nuk ka biseduar me Trajanovskin për gjuhën shqipe

Takimi i djeshëm mes kryetarit të qytetit të Shkupit Koce Trajanovski dhe atij të Çairit, Izet Mexhiti është inekzistent dhe rrit edhe më shumë dyshimin për lojëra politike mes partnerëve. Kështu thotë këshilltari i PDSH-së në këshillin e qytetit të Shkupit, Idriz Orana. Sipas tij, është ligji dhe kushtetuta që garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe dhe jo marrëveshjet e Izet Mexhitit me Koce Trajanovskin, transmeton Alsat.

“Ishim dëshmitarë të një takimi inekzistent nga ana e Izetit, pasi palën tjetër nuk e vërejtëm para mediave. Por Izeti gjithashtu tha se brenda 4-5 ditëve do të dalë me qëndrim të prerë kryetari Trajanovski rreth asaj se a është gjuha shqipe zyrtare në të gjithë territorin e Shkupit apo jo! Lind dyshimi në cilën cilësi ka ardhur Izet Mexhiti pasi kompetent se është apo jo zyrtare gjuha shqipe janë aktet dhe ligji”, tha Idriz Orana, këshilltarë i PDSH-së në qytetin e Shkupit.

Dje kreu i Çairit Izet Mexhiti theksoi pas një takimi me Trajanovskin, ku është diskutuar për përdorimin e shqipes, se kreu i Qytetit do të dalë publikisht së shpejti ku do të pranojë publikisht lëshimet e bëra nga administrata e tij për dygjuhësinë.

“Në afat prej disa ditëve, 4-5 ditëve duhet të dalë me qëndrim edhe kryetari i qytetit të Shkupit. Unë jam tejet optimist, tejet i bindur se argumentet janë në anën tonë dhe kryetari i qytetit do të vërtetojë se administrata ka bërë një lëshim, të evitohen këto lëshime dhe të shkohet drejt përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në nivel të qytetit të Shkupit në përgjithësi”, u shpreh Izet Mexhiti, kryetar i komunës së Çairit.

Lajme të ngjashme

Back to top button