Drita përforcohet me Alijin e Shkëndijës

Skuadra e Dritës nga Bogovina, anëtare e Ligës së dytë të Maqedonisë në futboll, ka përforcuar radhët e veta në ditën e fundit të merkatos, duke u përforcuar me mesfushorin Burhan Aliji. 
Kumanovari Aliji sezonin vjeshtor luajti për Shkëndijën e Tetovës, skuadër e cila nuk i dha rastin të dëshmojë kualitet që disponon. 

Lajmin për kalimin e Aliji te skuadra Drita e kanë konfirmuar edhe bogovinasit, të cilët theksojnë se kanë arritur të sigurojnë shërbimet e mesfushorit, i cili ka zgjedhur Dritën përkundër ofertave të tjera. 

“Me angazhimin e mesfushorit, Burhan Aliji, klubi përfundimisht ka përfunduar merkaton dimërore. Pas Ilir Xhemailt, Vebi Zenunit dhe Muhamer Ismailit që kemi huazuar nga klubi i futbollit Shkëndija, si dhe dy portierët Burhan Mustafa dhe Ilço Petrovski përfunduam me sukses këtë afat kalimtar të dimrit”, ka deklaruar sekretari i KF Drita, Ramadan Ramadani. 

Ardhjeve të fundit te Drita i është gëzuar edhe trajneri Nexhat Shabani, i cili Alijin e sheh si një blerje të rëndësishme për ekipin e tij në luftë për mbijetesë në ligën e dytë të Maqedonisë në futboll. 

Skuadra e Dritës, të shtunën, ka zhvilluar ndeshje kontrolluese me ekipin Lokomotiva në Shkup, të cilën e ka humbur me rezultat 1:0. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button