Shkëndija vazhdoi serinë e fitore, Shkupi barazoi në shtëpi (FOTO)

Pas pauzës 10 ditësh për shkak të angazhimeve të Reprezentacionit të Maqedonisë për ndeshjet kualifikuese për Botërorin Rusi 2018, sot janë kthyer në program ndeshjet e Ligës së Parë, që ka sjellë edhe futboll mjaft interesant, ndërsa ekipet janë treguar mjaft efikase, duke shënuar në pesë duelet plot 18 gola.

Ndeshja më efikase ishte ajo e luajtur në Tetovë, ku skuadra e Shkëndijës ka shënuar fitore të lartë ndaj Bregallnicës, duke e mundur me rezultat 5:2. Edhe pse të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Jovanovskit në minutën e gjashtë, kjo aspak nuk krijoi panik te kuqezinjtë, për të treguar se janë kthyer në formë dhe se fitoret do të jenë imperativ në secilën ndeshje. Tre golat e Besart Ibraimit dhe nga nj të Ferhan Hasanit dhe Armend Alimit bënë që Shkëndija të festojë në fund të ndeshjes.

Duel nga ndeshja Shkupi - Pobeda
Duel nga ndeshja Shkupi – Pobeda

Ndërkohë derbi i ekipeve që kërkojnë të mbesin në zonën e sigurt, është luajtur në stadiumin e Çairit në Shkup, ku ekipi i Shkupit dhe Pobeda i ndanë pikët. Edhe pse Shkupi gjatë gjithë 90 minutave ishte dominues me lojë dhe raste, nuk arriti të bëjë më shumë se të shënojë një gol përmes Finsik Zukës në minutën 28-të. Festa e shkupjanëve nuk zgjati shumë, pasi vetëm pesë minuta më vonë barazoi Sharkoski, duke e shfrytëzuar një kundërsulm të shpejtë.

Renova ka pësuar disfatë në Manastir, ku një gol i Kovaçevit në minutën e 39-të, ka mjaftuar që skuadra e Pelisterit të forcohet në pozitën e tretë.

Ndërkohë lideri dhe kampioni aktual i Maqedonisë Vardari, më lehtë se sa pritej ka shënuar fitore ndaj Makedonija Gj.P, me rezultat 4:1. Befasia më e madhe e xhiros së 14-të ka ndodhur në Kratovë, ku Sileksi shënoi fitore ndaj Rabotniçkit me rezultat 2:1.

Në tabelë vazhdon kryesimi i Vardarit me 34 pikë, shtatë më shumë se Shkëndija që është e dyta me 27, Pelisteri ka 25, Rabotniçki mbetet e 4-ta me 20, Renova ka 19 pikë në pozitën e pestë, Sileksi është i gjashti me 18 pikë, Shkupi ka 15 pikë në pozitën e shtatë, pason Pobeda me 11 pikë e teta, Makedonija Gj.P ka 10 pikë që është e nënta dhe në tabelë e fundit mbetet Bregallnica me vetëm 8 pikë.

Xhiroja e 15-të luhet të dielën, ku takohen: Pelisteri – Shkupi, Renova – Sileksi, Makedonija Gj.P – Shkëndia, Rabotniçki – Vardari, Bregallnica – Pobeda. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button