Kur vdes qyteti (Skupit)

Kjo verë e gjatë dhe e nxehtë
polli mijëra insekte
si derra të tërbuar perandorak,
këto gojë çaraveshura
shituan shikimin tim
nga dritarja pasqyrë
e bërë pis me copëza fekalesh
kur,
çdo mëngjes zvetnohej
nga një faqe e qytetit tim.
Nga korrakamat e hutëve
plasnin kokat,
pikonin bulevardeve
eh, asnjë mendje e shëndetshme
nuk u bë gojë për çdo vesh…
Potpuri zërash të çartur insektesh
shalëgjata e shalë shkurtëra,
dremisnin nga malet përreth
gjoja se flejnë,
gjoja se janë krahë e këmbë këputura.
Ata në kupë të zhegut
gërvishtnin hënëzën e faqes sime
dhe nuk bënin asnjë çap tutje
larg parmaqesh
meqë,
nuk ju lëvizte asnjë qerpik
nga njerëzit snob.
Më sillni tërkuzë e kulpura
t’ua ndal hovin duarve
të skulptorëve milingona
e karakalecë të zhurmshëm,
se qyteti i skulpturave pa art,
mori pamjen e dhomës së morgut…

09/2013

Lajme të ngjashme

Back to top button