Fotografia e kamionit të prishur në sheshin “Maqedonia” është e vjetër, reagoi edhe Qyteti i Shkupit

Sot në mëngjes në rrjetet sociale është përhapur një fotografi se një kamion është përmbysur në shatërvanin e Sheshit Maqedonia në Shkup, transmeton Portalb.mk. Fotografinë dhe lajmin e rremë e kanë transmetuar dhe mediat. Por, në fakt, rasti dhe fotografia janë të vjetra, transmeton Portalb.mk.

Për këtë ka reaguar edhe Qyteti i Shkupit, nga ku kanë demantuar lajmin.

“Na vjen keq që duhet të reagojmë në këtë mënyrë, por duhet të konstatojmë mosgatishmërinë e disa mediave për të verifikuar në mënyrë adekuate informacionet që postohen në rrjetet sociale, të krijuara në kuzhinat e partive dhe t’i paraqesin si të besueshme. E vërteta, nëse iu intereson mediave që raportuan për një kamion të prishur në sheshin “Maqedonia”, është se kjo ngjarje nuk ka ndodhur. As kamion nuk ka kaluar nëpër sheshin “Maqedonia”, as nuk ka rënë në shatërvan. Çdo afrim në sheshin “Maqedonia” pas incidentit të fundit para festës së Vitit të Ri kur një furgon i një shtetasi të huaj u përplas në shatërvanin nëntokësor, është i ndaluar për automjete dhe është fizikisht i pamundur me shtylla të vendosura. Shatërvani në sheshin “Maqedonia” është i rrethuar dhe i shënuar, ndërsa qasja është e ndaluar për automjetet që mund të kalojnë mbi të. Kërkojmë që të gjitha mediat që ranë në testin e besueshmërisë dhe publikojnë lajme të rreme pa e verifikuar atë, ta publikojnë këtë përgënjeshtrim dhe shpjegim”, thuhet në reagimin e Qytetit të Shkupit.

This slideshow requires JavaScript.

Kamionët janë prishur në të njëjtin vend disa herë paraprakisht. Aktualisht ajo pjesë e sheshit është e rrethuar veçmas.

Fotografia e shpërndarë, në fakt ka të bëjë me një kamion të prishur më datë 23.11.2022. Bëhej fjalë për një automjet të një kompanie private, i cili siç shihet edhe nga fotot ishte përplasur me rrotat e përparme në trotuar në pjesën ku ndodhet shatërvani i parterit.

Raste të tilla kanë qenë të zakonshme për sheshin qendror të Shkupit. Rasti paraprak ishte më pak se shtatë muaj më parë kur një kamion u përplas në të njëjtën pjesë të sheshit dhe më pas është nxjerrë me ndihmën e një automjeti të “Parkingut të qytetit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button