Reagim: Ndërtimi mbi Xhaminë Burmali provokim dashakeq, tensionon marrëdhëniet ndëretnike

Këshilli Koordinativ i për ndërtimin e Xhamisë Burmali reagon edhe njëherë me rastin e lëvizjeve më të fundit që po bëhen në truallin ku dikur gjendej Xhamia Burmali, gjegjësisht informacioneve të cilat po qarkullojnë në opinion, se në të njëjtin vend ka filluar të ndërtohet Shtëpia e oficerëve nga një investitor i huaj.

“E konsiderojmë këtë veprim si provokim dashakeq të radhës, i cili sikur synon ngritjen e tensioneve ndërtnike dhe ndërfetare në vend, në mënyrë që të largohet vëmendja e opinionit të gjerë nga humnera socio-ekonomike në të cilën përditë e më shumë po shkon vendi, si dhe nga dështimet e njëpasnjëshme që po ndodhim në rrugëtimin tonë shterp euro-integrues”, thuhet në reagimin me shkrim të Këshillit për ndërtimin e Burmali Xhamisë.

Ata vlerësojnë se pas vendosjes së përmendoreve të figurave kontroverse kohëve të fundit në kuadër të projektit famëkeq “Shkupi 2014”,vazhdimi i punimeve të huaja mbi vakëfin e Burmali xhamisë paraqet edhe një goditje të rëndë mbi bashkëjetesën, tolerancën dhe paqen në vend.

“Si i tillë ky veprim mund të ketë pasoja të rënda dhe të paparashikueshme në sferën e mirëqenies dhe sigurisë”, thuhet në reagimin me shkrim të Këshillit për ndërtimin e Burmali Xhamisë.

Më tej, sipas tyre Xhamia Burmali paraqet një monument të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore islame, i ravijëzuar thellë në memorien kolektive të muslimanëve të këtyre trojeve, i cili me shekuj e ka zbukuruar qytetin e Shkupit dhe ka qenë simbol i bukurisë dhe qytetërimit, përderisa nuk u rrënua para 88 vjetëve nga dora dhe ligë barbare.

“Në këtë kuptim, konsiderojmë se vendi në të cilin kjo xhami ekzistoi për 430 vjet, nuk guxon të përdoret për asnjë qëllim ose ndërtim tjetër, por duhet t’u kthehet muslimanëve dhe Bashkësisë Fetare Islame.” thuhet në kumtesë. 

Ndryshe, Bashkësia Islame e Maqedonisë (BFI), nuk distancohet nga kërkesa për rindërtimin e Burmali Xhamisë, ndërsa për momentin nuk paralajmërohen protesta në vendin e Xhamisë kundër ndërtimeve që po bën Qeveria. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button