Tifozat Kuq e Zi ndërprenë bashkëpunimin me FSHF-në, ja arsyeja
Krijimi i “fan club”-it “Tifozat e Kombëtares” nga vetë FSHF-ja u trumbetua si një zhvillim progresiv i qeverisë sonë të futbollit.
Por, që në ceremoninë e prezantimit u ngritën pikëpyetje me shumë të drejtë: Pse mungojnë tifozët aty dhe janë vetëm zyrtarë të federatës? A po mundohet FSHF-ja të vendosë kontrollin e saj edhe mbi tifozët, duke i “legalizuar” përmes metodave të veta?
Media e pa këtë si një çështje marketingu, por reagimi u sotëm u tifo-grupit më të madh, më të organizuar dhe me ndikim të jashtëzakonshëm për kombëtaren, “Tifozat Kuq e Zi”, nxjerr në pah qëllimin dinak dhe aspak transparent të FSHF-së.
Kjo e fundit, tashmë, e ka bërë armik këtë tifo-grup dhe duhet t’i bëjë llogaritë mirë nëpër stadiume, qofshin ato edhe të fazës finale të “Euro 2016”.
“Tifozat Kuq e Zi” premtojnë se reagimi do të jetë proporcional me lënien pas dore të tyre nga federata, duke nisur nga stadiumet franceze, ku kombëtarja jonë do të debutojë në një Kampionat Evropian, verën e këtij viti.
Ja reagimi i plotë i këtij tifo-grupi:
“Të nderuar anëtarë të “Tifozave Kuq e Zi”. Prej disa javësh kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke u përpjekur që të arrihet një marrëveshje e përbashkët në lidhje me ndeshjet e fazës finale të Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Kemi kërkuar nga ana e federatës që TKZ-së t’i ofrohet një kuotë biletash për tri ndeshjet e para në fazën e grupeve të “Euro 2016”’, e krahas kësaj të mundësojë edhe përfshirjen në këtë numër të anëtarëve tanë nga Ilirida, Malësia, Lugina e Preshevës dhe shqiptarët që jetojnë në Europën Perëndimore.
“Gjatë bisedave me zyrtarët na është thënë se FSHF-ja nuk ka asnjë biletë në dispozicion, ndërsa më pas na është thënë se me anëtarësimin tonë si grup në klubin e tifozëve të krijuar nga FSHF-ja së fundi, mund të pajisemi me bileta, mënyrë kjo e vetme për ne si grupim. Kjo për ne ka qenë e pakuptimtë dhe e papranueshme, njëkohësisht, pasi e cenon pavarësinë tonë si organizim dhe e humbet përgjegjësinë tonë organizative 12-vjeçare karshi anëtarëve”.
“Parimisht ne nuk mendojmë se e kemi ekskluzivitetin e përkrahjes së kombëtares, por si organizimi më serioz prej më shumë se një dekade mendojmë se meritojmë një trajtim pak më korrekt.
Për shkak të negociatave nuk kemi dashur të krijojmë konfuzion në opinion. Jemi sjellë çdoherë në mënyrë sa më institucionale të mundshme karshi një organizate si FSHF-ja, që abuzon me këtë term e që veç si institucion nuk sillet. Pas disa takimesh dhe zvarritjesh, herën e fundit kemi kërkuar që takimi të jetë direkt me kreun e kësaj federate, Armand Duka, por as kjo kërkesë nuk është marrë parasysh. Më pas vendosëm që t’i shkruajmë një letër FSHF-së dhe vetë kreut të saj për kërkesën e pajisjes tonë me bileta, përgjigje që ne e kemi pritur deri mbrëmjen e 14 janarit.
“Në adresën tonë nuk ka ardhur asnjë përgjigje, qoftë edhe negative! Kjo është një papërgjegjësi institucionale e njerëzve të federatës, që me mish e me shpirt po mundohen të “vjelin” frytet e kualifikimit të kombëtares në Francë dhe të bëjnë pazar për gjithçka që kalon nga duart e tyre. Tashmë, pas arritjes së qëllimit, pra kualifikimit për Kampionatin Europian, Federata Shqiptare e Futbollit siç duket nuk ka më nevojë për “TKZ”-në. Kjo është një ditë e vështirë për të gjithë tifozët e sinqertë të kombëtares. 12 vite, ku kemi dhënë sa kemi mundur për t’u kualifikuar e në fund diskualifikohemi nga FSHF-ja. Por, do të ketë ndeshje kualifikimi edhe pas Kampionatit Evropian”.
“Aty do të rishihemi prapë dhe reagimi jonë do të jetë më i fuqishëm se kurrë më parë! Me këtë rast, nga ky moment, “Tifozat Kuq e Zi” ngrijnë çdo bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit. Për veprimet tona të mëtejshme do t’ju njoftojmë me kohë. E kemi dëshmuar se kemi hyrë edhe në stadium, ku nuk na është lejuar (madje, edhe nga ajri). Pra, ne nuk do të ndalemi së përkrahuri ngjyrat, flamurin dhe fanellën e shenjtë të kombëtares! Njerëzit që janë aty sot, qoftë burokratë federatash, trajnerë apo edhe lojtarë, do të ikin e do të vijnë të tjerë, ajo që mbetet është kombëtarja!”