Nga Kosova në Shqipëri me çantën me fishekzjarrë për të parë ndeshjen me Francën
Në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Francës, Policia e Shtetit sekuestruar një çantë shpine me fishekzjarrë dhe kapsolla. Policia bën të ditur, se çanta me fishekzjarrë ndodhej në një autobus që vinte me tifozë nga Kosova, për të parë ndeshjen.
“Në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë , parandalimin e futjes së fishekzjarrëve dhe kapsollave në stadium gjatë ndeshjes që do luhet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Arena Kombëtare”, në Tiranë, Policia ka shtuar masat e kontrollit duke filluar që në hyrje në pikat e kalimit kufitarë dhe deri në momentin që tifozët do hyjnë në stadium. Si rezultat i masave të marra, Policia Kufitare e Morinës gjatë kontrollit të ushtruar së bashku me autoritetin doganor në autobusin me drejtues shtetasin kosovar B. M, gjeti një çantë shpine me fishekzjarrë dhe kapsolla, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në këtë autobus udhëtonin në mënyrë të organizuar shtetas kosovarë për të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Francë“, sqaron policia.
Policia thotë se në kuadër të masave vazhdon me kontrollet e rrepta në të gjitha pikat e kalimit kufitar, dhe në çdo ambient ku dyshohet se mund të ketë fishekzjarrë dhe kapsolla, si dhe për elementë me precedent kriminal që mund të tentojnë për të hyrë në stadium, transmeton OraNews.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë takimit të bërë paradite me grupin e punës për menaxhimin e masave të marra për mbarëvajtjen e aktivitetit ndërkombëtar, kërkoi nga të gjitha strukturat e Policisë , angazhim, seriozitet, përkushtim për përmbushjen e detyrave .
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e tifozëve dhe sportdashësve që të respektojnë me rigorozitet gjithë udhëzimet e dhëna nga Policia dhe Federata e Futbollit, dhe të mos tentojnë për të futur në stadium sende të kundërligjshme pasi do përballen me pasojat ligjore.