18 muaj kontratë për Sylvinhon në krye të Kombëtares
18 muaj kontratë me kushtin për ta kualifikuar Shqipërinë për në finalet e Europianit 2024. Kjo është ajo për të cilën ka rënë dakord Sylvinho për të marrë drejtimin e Kombëtares Shqiptare të futbollit, raporton Klan.
Trajneri brazilian pritet të firmosë kontratën të hënën e ardhshme, ku do te ketë edhe një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin e federatës Armand Duka dhe ish-trajnerin Edoardo Reja.
Tekniku i ri do të ketë një detyrë të vështirë. Ai duhet të njohë shumë shpejt grupin e futbollistëve, cilësitë dhe aftësitë e tyre në mënyrë që të mund të ndërtojë formacione dhe rreshtime për ndeshje të suksesshme.
Edhe lojtarët duhet të kuptojnë se çfarë do të kërkojë drejtuesi i ri.
Ndeshjet kualifikuese të Euro 2024 do të nisin në Mars dhe braziliani duhet të kuptojë gjithçka nga kombëtarja nëpërmjet videove të ndeshjeve të mëparshme nën drejtimin e Rejas. Në stafin e tij do të ketë edhe ish-futbollistë të kombëtares siç kanë qënë Bulku dhe Salihi që mund të shpërbejnë për ta informuar më mirë trajnerin mbi lojtarët.
Sa i përket kushteve financiare, ato nuk bëhen të ditura, por burime pranë Federates thonë se bashkë me anëtarët e tjerë të stafit, fatura do të jetë afërsisht 55 mijë Euro në muaj, ku vetëm trajneri do të ketë një pagë 30 mijë Euro.
Në total shuma arrin në 1 milionë Euro në 18 muaj.
Por nëse Shqipëria kualifikohet për në Euro 2024, ajo do të përfitojë edhe një bonus të mirë financiar për të, përveç rinovimit të kontratës.