Mustafa garanton përkushtimin për bisedimet, liberalizmin e vizave e quan të drejtë elementare

Kryeministri Isa Mustafa, i ka garantuar drejtoreshës për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst, përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në takimin që ka pasur me të – e ku prezentë kanë qenë edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri – Mustafa ritheksoi se qytetarët dhe Qeveria e Kosovës presin që Komisioni Evropian shumë shpejt të jap rekomandimin pozitiv dhe datën për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Institucionet e Kosovës, në nivelin qendror dhe lokal, kanë përmbushur me përgjegjësi maksimale të gjitha kriteret dhe rekomandimet lidhur me liberalizimin e vizave. Andaj, ne presim që këtë të drejtë elementare për të lëvizur në vendet e BE-së ta kenë edhe qytetarët tanë, në mënyrë që të kenë mundësi për lëvizje të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës”, tha kryeministri Mustafa.

Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa foli edhe për prioritetet e Qeverisë së Kosovës për vitin 2016, duke veçuar proceset integruese evropiane, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. Aty thuhet se Mustafa veçoi rëndësinë që ka për Kosovën fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, pas ratifikimit edhe në Parlamentin Evropian.

Sipas këtij njoftimi, drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst, shprehu përkrahjen e Bashkimit Evropian për progresin në Kosovë, duke vlerësuar të arriturat dhe objektivat e mëtejshëm të Qeverisë së Kosovës.

Më tej, Eichhorst theksoi rëndësinë e procesit të dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Gjatë takimit është biseduar edhe për nevojën e stabilitetit dhe heqjen dorë nga përdorimi i mjeteve të dhunshme, si parakusht për avancimin e proceseve në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button