Trazirat në “Renzo Barbera” në “lupën” e mediave të huaja
Ndeshja historike mes Italisë dhe Shqipërisë, e para zyrtare mes dy kombëtareve u përfol në mediat sportive botërore më shumë për ngjarjet e papëlqyeshme të ndodhura në shkallët e “Renzo Barberas”, sesa për atë që ndodhi në fushë, transmeton Top Channel.
“Gigi Buffon feston me fitore ndeshjen e 1000-të në karrierë, por ndeshja u ndërpre për 9 minuta pasi tifozët shqiptarë hodhën flakadanë në fushë”, shkruan DailyMail në seksionin e vet sportiv.
Corriere Dello Sport e nis me analizën e ndeshjes dhe rastet drithëruese të Shqipërisë. Më pas, e quan të turpshme fërshëllimën e himnin shqiptar nga një pjesë e tifozëve italianë që ndodheshin në stadiumin e Palermos e në fund ndalet tek hedhja e flakadanëve në fushë.
“Me nisjen e pjesës së dytë, në fushë hidhen flakadanë dhe sende të tjera të forta nga një grusht tifozësh shqiptarë. Në minutën e 57, gjyqtari vendos pezullimin e ndeshjes. Agolli dhe Hysaj provojnë të qetësojnë ata pak tifozë që prishën imazhin e 4-5 mijë tifozëve kuqezinj që ndodheshin në Renzo Barbera”, shkruan gazeta sportive italiane, që kujdeset të theksojë se skuadra e drejtuar nga De Biasi bëri një paraqitje të bukur përballë një Italie që nuk shkëlqeu.
Gazzetta dello Sport pasi pasqyron incidentet flet për mundësitë që Shqipëria të ndëshkohet për to.
“Rrezikon nga një gjobë e majme, e deri tek mundësia e zhvillim të ndeshjeve pa tifozë”, shkruan ajo.
Edhe në Spanjë, veç rezultatit, mediat janë ndaluar edhe tek trazirat. “As” e bën më tragjike kur shkruan: “Italia fiton mes kaosit”, ndërsa “Marca” shkruan thjesht: “Flakadanët ndërpresin ndeshjen Itali-Shqipëri”.
Si gjithmonë kur flitet për Shqipërinë e shqiptarët një pjesë e mediave serbe “me një pikë ujë bëjnë not”. “Kurir” shkruan me të madhe “Huliganët shqiptarë ndërpresin ndeshjen”.