Ozil shkarkon babanë si menaxherin e tij

Mesut Ozil i surprizoi të gjithë me transferimin e tij tek Arsenali gjatë afatit kalimtar të verës, duke u larguar nga Reali i Madridit.

Mesfushori gjerman firmosi një kontratë afatgjatë, me një pagë të majme, ndërkohë që kartoni u kushtoi “topçinjve” rreth 50 milionë euro. Por, në mënyrë të papritur ka ardhur edhe vendimi i lojtarit për të ndërprerë bashkëpunimin me babanë e tij, Mustafan, i cili ishte menaxheri personal. “Javët e fundit gjërat janë vënë në rrugën e duhur për të ardhmen time. Firmosa një kontratë afatgjatë me Arsenalin dhe me kushte optimale. Situata e jetës sime dhe punës sime ka ndryshuar në mënyrë radikale. Kjo është arsyeja pse babai im, pasi ka bërë kaq shumë, nuk do të punojë më për mua”, ka thënë lojtari në një deklaratë për shtyp.

Në fakt, Mustafa Ozil pati një debat publik me presidentin e Realit, Florentino Perez, pak kohë më parë. Kreu i klubit spanjoll e akuzoi atë se donte përfitime personale dhe se ishte përgjegjësi kryesor që ndikoi në largimin e mesfushorit nga Madridi. Futbollisti i Arsenalit kishte menaxher ekskluziv të atin që nga viti 2011.

Gjithsesi, edhe pse duket se ka pasur kontradikta, të ardhurat që mund të përfitojë menaxheri i Ozilit do qëndrojnë brenda familjes, pasi ka vendosur që të marrë të vëllanë, Mutlun. Në fushën e sportit ka shumë raste ku baballarët bëhen menaxherë të fëmijëve të tyre, por statistikisht ato marrëdhënie përfundojnë shumë herët, pasi sportistët kërkojnë të kenë një jetë më të pavarur.

Lajme të ngjashme

Back to top button