Çka na mësoi derbi Shkupi – Vardari?

Nga: Hajrush Mani

Kaluan dy ditë nga ndeshja Shkupi – Vardari dhe në përjashtim të ditës së diel kur edhe u raportua në mënyrë “profesionale” për duelin duke treguar vetëm se në cilat minuta ishin shënuar golat dhe cili ishte rezultati përfundimtar i super derbit të Ligës së Parë të Maqedonisë, më shumë as që u tha e as që u fol. Në të vërtet nëse dikujt i pengon fakti se Shkupi po kthehet në piedestalin e skuadrave më të mira, është për të mësuar më vonë, por një fakt tjetër që nuk mundë ta mohojë më askush se tifozët e Shkupit, ata që erdhën të dielën në Çair, treguan se vërtet kush janë “Shvercerat”, kush janë tifozët shqiptarë dhe çka në fakt mësuam nga ky derbi.

Për të marrë përgjigjen që ndoshta edhe shumica nga ju e keni ditur këtë, por vetëm thjesht nuk e keni thënë në publik, është fakti se derbi në Çair u prit me shumë heshtje, duke menduar se në Çair do të ndodhin incidente të mëdha, e për çka kishte marrë masa edhe vetë shtëpia e futbollit FFM, që edhe një herë këtë derbi e kishte shpallur të rrezikut të lartë, duke e mbushur stadiumin rreth e përqark me policë të njësiteve të ndryshme. Dhe në fund doli që ata (policët), erdhën dhe u kënaqën duke shikuar një ndeshje shumë të mirë, ku më i forti (klubi milionerësh), fitoi.

Në këtë derbi kishte të akredituar gazetar të të gjitha medieve të vendit, e që erdhën edhe gazetar që nuk punojnë në redaksitë e sportit. Erdhën fotoreporter që nuk i kishim parë në asnjë ndeshje që kur e mbajë mend unë që luhet futboll në Maqedoni, ndërsa për herë të parë në mënyrë zyrtare kishim të akredituar gazetar nga Gjermani e Suedia, e njëkohësisht disa turist nga Suedia dhe Turqia kishin dëgjuar për këtë derbi dhe kishin rezervuar bileta ditë më parë.

Në Çair u tregua edhe një herë se sa shqiptarët e duan futbollin dhe sportin, në Çair u tregua se nuk ka vend për nacionalizëm, pasi në 90 minuta lojë, bile edhe kur ekipi po humbiste me rezultatin 3:0 e që dihej se fitores nuk i vjen më as era, “Shvercerat” kënduan këngë nga repertori i tyre i gjerë, pasi mos harroni kjo ndodh sepse ata janë institucion që po jeton tash më 25 vite.

Derbi Shkupi – Vardari në Çair dha edhe një mesazh tjetër. Të gjithë ata që janë ulur një herë në tribunën e vetme të stadiumit që kësaj here mblodhi 5.000 veta e që kapacitetin me ulëse e ka shumë më të vogël, e kanë parasysh se nuk ka vende për VIP-a. Ndërsa të dielën në shkallët e stadiumit ishte kryesia e KF Vardarit që mori një mikpritje që nuk e kishte kryesia e Shkupit (nënvizojmë nga tifozët). Në këtë tribunë, nëse do të donte dikush të sulmonte ata pakë njerëz nga Vardari që ishin krah më krah me publikun, e kanë parasysh se as sigurimi e askush nuk do kishte mundësi tu dalë në ndihmë, por shqiptarët nuk prenë në besë, ata i pritën dhe i përcollën mysafirët ashtu si u kishte hije.

Mos harrojmë se në ndeshjen e parë Vardari – Shkupi, pas ndeshjes që përfundoi në barazim 2:2, tifozë të Vardarit “Komiti”, kishin sulmuar të rinj dhe gra shqiptar, e që kështu nuk ndodhi në Çair edhe përkundër faktit se Shkupi pësoi 3:0, e as që kishte ndodhur ndonjë herë më parë.

Në Çair dje, sot dhe nesër do të jetë njëjtë, do të ketë futboll dhe tifozë që e duan klubin, që japin gjithçka për klubin, pasi gjithça tjetër është kaluese, futbollistët, kryesia, sponsorët, ndërsa mbeten vetëm ata, Stadiumi i Çairit dhe “Shvercerat”, të cilët dëshmuan edhe një herë në një derbi të madh, se futbolli luhet për publikun, ndërsa ata janë motori kryesor i klubit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button