Shipkovica e Tetovës, pasojat e vërshimit ende të dukshme, riparimet bëhen shumë ngadalë

Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vërshimet që kapluan fshatrat e rrethit të Tetovës, ndërsa fshati Shipkovicë ende nuk mund t’i sanojë dëmet materiale, ndërsa dhimbja shpirtërore për humbjen e gjashtë jetëve është e pa-riparueshme. Ende vërehen rrugë të prishura, dhe i rëshqitshëm, vetura të shkatëruara, shtëpi të rënuara dhe të pabanuara.

shipkovica 4

Të vizituar nga Portalb banorët e fshatit Shipkovicë shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj Komunës së Tetovës dhe Qeverisë të cilët premtuan që dëmet e shkaktuara nga vërshimet do të kompenzohen. Banorët e këtij fshati thonë për Portalb që vetëm në javën e parë të vërshimeve janë vizituar nga institucionet e më pas askush nuk ka shkuar të sheh gjendjen e tyre.

Edhe pse Komuna ka iniciuar riparimin e rrugës që nis prej qendrës së fshatit në drejtim të lagjeve më lartë banorët e fshatit mendojnë se kjo nuk është e mjaftueshme për ta.

“Bëhet fjalë për 5 metër rrugë që thonë se janë duke e rregulluar si pasojë e vërshimeve, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme në krahasim me dëmin e shkaktuar” thotë për Portalb, Asim Fazlija, banor i fshatit Shipkovicë.

“Me siguri do të duhet të presim që para zgjedhjeve Komuna të ndihmojë në rregullimin e shtëpive dhe rrugëve të dëmtuara, vetëm qendrën e fshatit e kanë pastruar. Për çudi tani siç mund të shihni edhe ju kanë ardhur që të riparojnë rrugën në këtë pjesë”, shton më tej ky banor.

“Ne presim të vijnë nga komuna të shohin gjendjen tonë dhe të kompenzojnë dëmet ashtu siç na premtuan. Nuk kemi tjetër  çka të bëjmë përveç se të presim”- thotë kështu Hasan Jahija, banor i Shipkovicës.

Nga Komuna për Portalb thonë se e kanë parasysh gjendjen në këtë fshat dhe se nuk janë të harruar. Atje po punohet, shtojnë nga Komuna e Tetovës.

shipkovica 3

Ndryshe, fshati Shipkovicë, Brodec, Reçicë e Vogel, Reçicë e Madhe u dëmtuan nga vërshimet qe ndodhëm me tre gusht të këtij viti.  Shoqata të ndryshme ndihmuan banorët e këtyre fshatrave por premtimin që ua bëri Qeveria dhe Komuna e Tetovës si duket ende mbetet i parealizuar me ç’rast shtëpitë e dëmtuara janë totalisht të pabanueshme ndërsa siç tregojnë për Portalb edhe banorët e Shipkovicës, ata duhet të ngelen ende të strehuar te familjarët dhe të afërmit e tyre. /Portalb

Afërdita Abdiu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button