Kombëtarja shqiptare në “Dance with me”
Për më shumë se dy ditë, ata kanë qenë në qendër të të gjithë shqiptarëve, në të gjitha trojet, në çdo cep të botës ku rreh zemër shqiptari.
Një nga përfaqësuesit e Kombëtares, Andi Lila, së bashku me moderatorin e njohur të sportit, Dritan Shakohoxha, kanë zbritur mbrëmë dhe në skenën e “Dance with me”, ku janë pritur me ovacione nga publiku nën tingujt e këngës “Kuq e zi je ti”.
Të ftuar në Tv Klan për të qenë të gjithë në “Opinion”, fillimisht ata kanë kaluar nga skena e kërcimit. Me këtë rast, Shakohoxha ka ndarë me të gjithë publikun në sallë emocionin e kësaj ngjarjeje historike, duke thënë se arti qëndron gjithmonë në krah me sportin:
“Pa shkëlqimin e artit, nuk mund të shkëlqejë as futbolli”, – ka thënë ai. Ndërsa Andi Lila, duke iu bashkuar entuziazmit të publikut, ka kënduar me ta ole-në “o sa mirë me qenë shqiptar.”
Duke përshëndetur spektaklin, Shakohoxha e tha publikisht edhe votën e tij për çiftin e preferuar: “Të gjithë konkurrentët janë shumë të mirë, por unë dua të fitojë Viola, meqë e kemi në grup” ,– tha ai, duke i sjellë fat Violës, të paktën mbrëmjen e sotme, meqë ajo dhe Drini u shpallën mbretërit e natës.