Mavraj sërish i lumtur: Gjuri është shkëlqyeshëm

Operacioni në gju dhe patericat që e ndihmonin për të ecur i takojnë së kaluarës. Mërgim Mavraj është kthyer në fushë pas mungesës disa-mujore. Ndërsa skuadra e Këlnit stërvitet për ndeshjen e radhës në Bundesligë, mbrojtësi shqiptar vazhdon të kryejë vrapime rreth fushës.

29-vjeçari ende nuk e di se kur do ta godasë sërish topin, por ky fakt nuk ia prish gëzimin për rikthimin.

“Hapat e parë ne fushë!! Zoti i ka dhënë njeriut kohën, por për nxitim ai nuk ka folur”, shkruante Mavraj në faqen zyrtare në “Facebook”. Ndërkohë, për mediat lokale në Këln, kuqeziu zbuloi se faza e rehabilitimit po ecën mjaft mirë.

“Gjuri nuk më krijon shqetësime. Çdo gjë është shkëlqyeshëm. Pas disa javëve që ecja vetëm me ndihmën e patericave, nisa gradualisht stërvitjen në palestër. Tani po kryej vrapime si pjesë e rikuperimit”.

Mbrojtësi nuk e ka përjetuar keq ndërhyrjen kirurgjikale, përkundraz mbetet pozitiv dhe nuk nguron të bëjë batuta.

“Është një ndjesi e pazakontë, por zbavitëse. Stresi nuk është ai i momenteve të para të dëmtimit. Kam nisur ta ndjej sikur këmba është sërish e imja. Nuk ka ende një afat për rikthimin në fushë, por unë i pyes mjekët dhe fizeoterapistët çdo dy minuta. Ata natyrisht e kanë një datë, por nuk ma tregojnë”

Lajme të ngjashme

Back to top button