Kryesia e Shkëndijës nuk do të tolerojë më dështime

Pas disfatës së papritur që ka pësuar Shkëndija nga Euromilk në fushë të saj, me një komunikatë publiku drejtuar tifozëve të klubit dhe të gjithë atyre që e duan Shkëndijnë, është paraqitur vet kryetari i klubit, z.Jetmir Bexheti. Ju sjellim në tërësi komunikatë e lëshuar përmes faqes zyrtare të KF Shkëndija në rrjetin social “facebook”.

“Të dielën patëm një lojë tërësisht nën nivel dhe mjaft dëshpëruese për të gjithë. Dhe të vetëdijshëm për këtë rezultat të dobët ju bëjmë me dije se të gjithë lojtarëve por edhe stafit teknik në krye me trajnerin, iu është tërheq vërejtja në një formë shumë të qartë se nuk do të tolerojmë në të ardhmen paraqitje dhe lojëra të tilla. Të jeni të sigurte se për një paraqitje të tille do të merren edhe masa përkatëse të cilat ne tanimë intern veç i kemi komunikuar me ta. 
Ia kemi bërë shumë të qartë skuadrës se tashmë më –koha e konsolidimit ka kaluar– dhe pritet lojë dhe angazhim tjetër në fushë. Të jeni të sigurt se ashtu siç janë shpërblimet e mira për suksesin, edhe konsekuencat janë të rrepta konform marrëveshjeve që kemi bërë prej fillimi me secilin anëtarë të skuadrës. KF Shkëndija meriton përkushtimin maksimal, as më pak as më shumë, por veç maksimumi –ndryshe nuk vlen të mbash trikon e klubit te zemrës sonë dhe kjo është e padiskutueshme.

Ndërkohë, ju njoftojmë se identifikimi dhe transferimi i lojtarëve të rinj është një proces i vazhdueshëm, jemi ne biseda intensive me lojtarë të nivelit të lartë të cilët padyshim do të rrisin kualitetin në ekip dhe nuk do të kaloj shumë kohë deri në sjelljen e forcave të reja dhe kualitative ne radhët tona.
Përveç kësaj, në shenjë respekti dhe falënderimi për përmbajtjen e madhe morale edhe në ndeshje të tilla si ajo e fundit, ne kemi vendosur që në lojën e radhës si nikoqir t‘ju ftojmë të gjithëve, si dashamirët ashtu edhe tifozërinë tonë me hyrje falas në stadium. Nënkuptohet se harxhimet e bëra do t‘i marr përsipër vetë ekipi i parë i KF Shkëndijës, të vetëdijshëm se një gjest të tillë jua kanë borxh të gjithëve pas një paraqitje aq të dobët dhe të diskutueshme kundër Euromilkut.”

Me respekt të veçantë,
Kryetari i KF Shkëndija
Jetmir Bexheti

Lajme të ngjashme

Back to top button