Shkëndija e bën Hasanin kapiten

Ferhan Hasani është kapiten i ri i Shkëndijës. ‘Buba’ barti shiritin në ndeshjen kontrolluese të dielën kundër FC Shkupit, ndërsa përfundimisht do të jetë kapiten i ri i ‘kuqezinjëve’ në sezonin e ri. Ka qenë vetë kapiteni i deritashëm Artim Pollozhani që ka vendosur të dorëzojë shiritin për ‘Bubën’, duke respektuar në këtë mënyrë përforcimin më të madh të ekipit në merkaton verore.

Strugani mori shiritin e kapitenit pas pensionimit të Nebi Mustafit në janar të vitit 2014, ndërsa pas një periudhe tani kalon këtë post për një futbollist tetovar, për më shumë edhe fëmijë të Shkëndijës e të rikthyer në skuadër pas tre viteve në Evropë. Pollozhani ka vlerësuar se pikërisht Hasani ka kapacitetin të jetë lider i ri i skuadrës, me kualitetin dhe përvojën e grumbulluar në skenën ndërkombëtare me Uolfsburgun në Gjermani, Brondbyn në Danimarkë dhe përfaqësuesen e Maqedonisë. Vendimin e tani më ish-kapitenit e kanë përshëndetur të gjithë pjesëtarët e klubit, përfshi stafin teknik edhe futbollistët, ndërsa vetë Hasani me kënaqësi ka pranuar këtë nder, duke premtuar më të mirën për të qenë lider i Shkëndijës në sezonin e ri.

Lajme të ngjashme

Back to top button