Paraburgoset udhëheqësi i “Shvercerave”

Prokuroria ka paracaktuar masën e paraburgimit prej 8 ditësh, për të arrestuarin Omer Bunjaku, udhëheqës i grupit të tifozëve Shvercerat. I arrestuari tjetër ishte Burhan Ibrahimi, i cili më pas është lënë në liri me kusht. Omer Bunjaku dhe Burhan Ibrahimi ishin arrestuar si pjesëmarrës në dëmtimin e lokalit “New Orleans” në Çarshinë e Vjetër.

“Më 4 gusht, rreth orës 24:00, në Çarshinë e Vjetër u raportua se disa persona të panjohur ishin futur në lokalin “New Orleans”. Njëri prej tyre ishte afruar tek banaku, ka sulmuar personin që lëshonte muzikë duke i thyer laptopin, me arsyetimin përse ka lëshuar muzikë në gjuhën maqedonase. Personat e njëjtë kanë thyer dritare dhe inventarin brenda dhe në tarracë, sulmuan fizikisht personelin, përfshirë punonjësin që u përpoq telefononte policinë”, tha Ivo Kotevski, Zëdhënës i MPB-së.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i dy të arrestuarve hedh poshtë dyshimet e ngritura, duke mos u pajtuar edhe me masën e arrestit. Ai thotë se nuk ekzistojnë dëshmi penale relevante në bazë të të cilave gjykata do mund të vlerësonte se a ka bazë për dyshime se këta janë autorët e veprës. /Alsat-M

Lajme të ngjashme

Back to top button