Gostivar, “Komunalec” fal borxhet e kontestuara dhe të pafaturuara në të kaluarën

Të gjithë qytetarët e Gostivarit të cilët kanë borxhe te kontestuara dhe të pa faturuara në të kaluarën ndaj Ndërmarrjes Publike ”Komunalec”, do tu shlyhen. Ky vendim është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Komunës së Gostivarit.

Në një konferencë të mbajtur për shtyp, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, Memedali Xhaferi prezantuan vendimin e sjellë nga këshilli komunal.

Kryetari Bejta tha se po zgjidhet një problem i hershëm i shumë familjeve të Gostivarit.

“Në periudhën e shkuar qeveritarët të cilët kanë qenë në krye të komunës pa marrë parasysh se në cilën periudhë bëhet fjalë, kanë bërë politikë dhe i kanë manipuluar qytetarët e qytetit të Gostivarit për interesat e veta personale, kanë bërë politikë për partitë që ata i kanë prezantuar si qeveritar në Komunën e Gostivarit, ndërsa punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, nuk e kanë kryer punën ashtu siç duhet, nuk kanë shkuar te orëmatësit të shohin se sa qytetarët kanë harxhuar ujë, por i kanë shënuar ashtu siç kanë dashur ata dhe kanë bërë vlerësimin paushall, përveç asaj nuk kanë bërë edhe faturimin për të bërë pagesën në ndërmarrje. Si pasoj e kësaj, qytetarët i kanë ngelur borxh komunës së Gostivarit, gjegjësisht Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, me një shumë të madhe mbi 1 milion euro. Këtë situatë bashkë me drejtorin e kemi analizuar mirë se qytetarët nuk janë fajtor dhe drejtori e njoftoi edhe këshillin komunal dhe këshilli në mbledhjen e shkuar solli vendim që gjithë qytetarët të cilët kanë ngelur borxh pa fajin e tyre mbi 1 milion euro që t’ju shlyejmë këto borxhe dhe komuna e Gostivarit ju shlyen gjithëve qytetarëve borxhin që ju ka ngelur pa fajin e tyre”, tha kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

“Prej këtij momenti punëtoret e NP “Komunalec”, do e  kryejnë punën në mënyrë profesionale dhe prandaj ata paguhen ata për të vizituar çdo shtëpi, ndërsa qytetarët e Gostivarit do të paguajnë ujë aq sa ata do të harxhojnë për nevojat e tyre. Prandaj, unë si kryetar i komunës i ftoj qytetarët që gjithë problemet që i kanë pasur ti prezantojnë te drejtori i NP “Komunalec” dhe drejtori do ta respektoj vendimin që e ka sjellë Këshilli Komunal i Komunës së Gostivarit. I lus qytetarët që ta kryejnë obligimin për shkak se komuna dhe ndërmarrja janë të obliguar që të mirëmbajnë rrjetin e ujësjellësit të Gostivarit. Prandaj pagesa bëhet që komuna në të ardhmen tu shërbeje edhe më mirë”, tha më tej kryetari Bejta.

Drejtori i NP “Komunalec”, Memedali Xhaferi tha se me këtë vendim dëshirohet të vendohet një rend me faturimin ndërsa qytetarët të paguajnë aq sa do harxhojnë ujë.

“Në Seancën e fundit të Këshillit të Komunës së Gostivarit u pru vendim për dhënie pëlqim për udhëzime për punë Komisionit për llogari të kontestuara. Bëhet fjalë për llogari të cilat janë konstatuar nga terreni se gjatë leximit të ujëmatësve paraqitet një diferencë shumë e madhe për shkak se është bërë faturimi paushall. Sasia e ujit të pa faturuar trajtohet me këtë udhëzim. Qytetarëve të Gostivarit do u falet pjesa e pa faturuar dhe kjo është masovikisht e përhapur në qytetin e Gostivarit. Bëhet fjalë për 12 mijë harxhues të cilët duhet të trajtohen veç e veç secili. Obligimi i harxhuesve të NP “Komunalec” për ujë janë vetë që të vijnë në ndërmarrje të parashtrojnë një kërkesë dhe mbas asaj del komisioni në terren, konstatohet gjendja reale dhe faktohet një procesverbal dhe në bazë të atij procesverbali komisioni i cili do punoje në mënyrë permanente do ti trajtoje rastet dhe për secilin do sjelle vendim dhe do konstatohet se sa do u falet qytetarëve të Gostivarit”, tha drejtori Memedali Xhaferi.

Afati për aplikim është deri me 31.12.2014 dhe lutën gjithë qytetarët që të drejtohen në NP “Komunalec”, ku më pas secila lëndë do trajtohet veç e veç dhe në mënyrë të rregullt në bazë të vendimit të sjellë.

Lajme të ngjashme

Back to top button