Nuk mund të shqepen nga ekranet! Depresioni dhe anksioziteti i të rinjve vjen nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale

Skandali i TikTokut në Spitalin e Tetovës sërish ngriti alarmin se si dhe për çfarë përdoren rrjetet sociale në kohëra këto që digjitalizimi po zhvillohet me hapa gjigande. Shqetësimi më i madh për atë se çfarë pamjesh shohin në këtë rrjet social është për të rinjtë dhe moshat më të vogla, të cilët janë më të cenueshëm nga përdorimi dhe nga pasojat që mund të sjellin të njëjtat. Për atë se për çfarë i përdorin apo i keqpërdorin të rinjtë rrjetet sociale, Portalb.mk bisedoi me dy ekspertë të cilët janë në kontakt të përditshëm me fëmijët dhe kanë një pasqyrë më të qartë për këtë fenomen.

Anët e mira dhe jo të mira të rrjeteve sociale

Elton Jashari nga Qendra Rinore dhe e Komunitetit (YCC) në Gostivar, për Portalb.mk thekson se nga puna e tyre e përditshme në kontakt me të rinjtë, përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e tyre mundemi ta analizojnë nga dy këndvështrime. Pra, cilat janë përfitimet nga përdorimi i rrjeteve sociale dhe cilat janë pasojat nga përdorimi i tepërt i tyre.

Elton Jashari, koordinator në YCC Gostivar, foto nga arkivi i tij privat (e përdorur me leje)
Elton Jashari, koordinator në YCC Gostivar, foto nga arkivi i tij privat (e përdorur me leje)

“Përdorimi i mediave sociale mund të ketë efekte pozitive dhe negative te të rinjtë. Nga ana pozitive, mediat sociale mund t’i ndihmojnë të rinjtë të lidhen dhe të komunikojnë me të tjerët, të kenë qasje në informacion dhe të zhvillojnë aftësi të reja. Megjithatë, përdorimi i tepërt mund të çojë edhe në pasoja negative, si izolimi social, reduktimi i vetëbesimit dhe rritja e ankthit dhe depresionit”, thotë Jashari.

Nga ana tjetër, mësimdhënësi dhe njohësi i çështjeve digjitale të kohës, Satki Ismaili për Portalb.mk, njëjtë thekson se përdorimi i rrjeteve sociale mund të shihet në këto dy aspekte.

Setki Ismaili, foto nga arkivi i tij privat (e përdorur me leje)
Setki Ismaili, foto nga arkivi i tij privat (e përdorur me leje)

“Aspekti pozitiv është padyshim mundësia e marrjes së informacioneve të ndryshme ku të rinjtë shfrytëzojnë rrjetet sociale në mënyra konstruktive. Ata bëjnë promovimin e vlerave dhe të arriturave, lehtësimin e komunikimit, kërkime të ndryshme shkencore dhe sociale edhe atë në një shpejtësi kohore që mundëson arritje të qëllimeve. Për sa i përket aspektit negativ hulumtimet dhe statistikat tregojnë se pasojat nga keqpërdorimet e rrjeteve sociale nga të rinjtë janë në përmasa shumë më të mëdha në raport me përdorimet për qëllime të mira”, theksoi Ismaili.

Çfarë thonë hulumtimet?

Jashari nga Qendra Rinore potencon se hulumtimet kanë treguar se të rinjtë që shpenzojnë shumë kohë në mediat sociale mund të kenë më shumë gjasa të përjetojnë ngacmim kibernetik, probleme me gjumin dhe performancë të dobët akademike.

“Ata gjithashtu mund të jenë në rrezik të zhvillimit të sjelljeve të varësisë që lidhen me përdorimin e mediave sociale. Kjo nuk do të thotë se rrjetet sociale janë të dëmshme në të gjitha rastet, por është e rëndësishme që të rinjtë të jenë të vetëdijshëm për përdorimin e tyre dhe të jenë në gjendje të vendosin kufijtë e nevojshëm dhe të bëjnë zgjedhje të zgjuara për përdorimin e tyre”, tha për Portalb.mk, Jashari.

Ndërsa Ismaili thekson se hulumtimet e fundit tregojnë se të rinjtë të cilët përdorin kohë më të gjatë rrjetet sociale përballen me pasoja të shëndetit mendor, psiko-emocional dhe fizik.

“Në theks të veçantë vështirësitë kanë të bëjnë me depresionin dhe anksiozitetin. Varshmëria nga rrjetet sociale ndikon në mosrealizimin e aktiviteteve obligative si dhe relaksin e preferuar dhe të gjitha këta kanë ndikim të madh në formimin e qëndrimeve të tyre si dhe në mendimin kritik. Pikërisht varshmëria nga rrjetet sociale mundëson “ndarjen” nga jeta reale dhe krijimi i bindjes se duhet të orientohen në proceset dhe aktivitetet që ata synojnë dhe kjo krijon pakënaqësi”, tha për Portalb.mk Ismaili.

Rrjetet sociale, hapësirë për përmbajtje të dëmshme dhe të pahijshme

Mësimdhënësi Ismaili  mes tjerash nënvizon se nxënësit në vazhdimësi po ndeshen me përmbajtje të pahijshme dhe të dëmshme në rrjetet sociale, që mund të ndikojnë në procesin e tyre të të menduarit.

“Zakonisht nga informatat që marrim nga ta janë të dhëna që tregojnë se shumë kohë shpenzojnë në rrjete sociale edhe atë më së tepërmi në orët e vona që pasojat janë edhe pagjumësia dhe ndikimi negativ në realizimin e aktiviteteve të përditshme të tyre. Njëkohësisht këndvështrimet e nxënësve janë të tilla që nëpërmjet të rrjeteve sociale mbajnë kontaktet me të afërmit e tyre, shokët dhe miqësinë, për zhvillimin e perspektivave të ndryshme për çështje të cilat i preokupojnë nxënësit si dhe për shkëmbimin e ideve me të cilat inkurajohen liritë e të shprehurit”, tha Ismaili.

Rrjete sociale, Foto nga Christian Wiediger - Unsplash
Rrjete sociale, Foto nga Christian Wiediger – Unsplash

Edukim për përdorim të rrjeteve sociale

Nga ana tjetër, nga Qendra Rinore, Jashari thekson se është e rëndësishme që qendrat rinore dhe organizatat e tjera që punojnë me të rinjtë të promovojnë përdorimin e shëndetshëm të mediave sociale duke ofruar edukim dhe burime.

“Inkurajimi i të rinjve që të bëjnë pushime nga mediat sociale, të përfshihen në ndërveprime ballë për ballë dhe të praktikojnë kujdesin për veten mund të ndihmojë në parandalimin e pasojave negative të përdorimit të tepruar të mediave sociale. Gjithashtu, është esenciale që prindërit, edukatorët dhe punonjësit rinorë si ne, të jemi në gjendje të ndihmojmë dhe të udhëheqim të rinjtë në këtë proces, duke u fokusuar në rëndësinë e një përdorimi të shëndetshëm dhe të ndërgjegjshëm të rrjeteve sociale”, përfundoi Jashari.

Ndryshe, kujtojmë që nëntorin e kaluar një vajzë në moshë të re pësoi djegie rryma pasi ishte ngjitur në një vagon për të bërë foto dhe i njëjti u shkëput dhe iu afrua rrjetit elektrik. Alarmi  para disa muajve u ngrit edhe për sfidën e TikTokut ku të rinjtë shtriheshin në rrugë dhe prisnin derisa t’ju afrohej automjeti i parë dhe më pas të ikin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button