Skandali i TikTokerit, prokuroria heton përfshirjen e të tjerëve, Mexhiti shkarkoi drejtorin organizativ

Pas skandalit në repartin gjinekologjik të Spitalit të Tetovës ku një anesteziolog incizoi dhe transmetoi drejtpërdrejt në rrjetin social TikTok pamje nga një sallë e spitalit ku shiheshin pacientë dhe staf mjekësor, Ministri i Shëndetësisë ka shkarkuar drejtorin organizativ të Spitalit të Tetovës. Prokuroria nga ana tjetër për Portalb.mk tha se nëse në këto vepra ka pjesëmarrës tjerë do të veprojnë sipas ligjit. Ndërsa SDK bëri të ditur se anesteziologut dy herë i është refuzuar nostrifikimi i specializimit nga Prishtina.

Mexhiti shkarkoi drejtorin organizativ të Spitalit të Tetovës

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti e ka shkarkuar drejtorin organizativ të Spitalit të Tetovës, Armend Fazliun. Kjo sipas Mexhitit u bë pasi Fazliu nuk ka qenë në vendin e tij të punës ditën kur ka ndodhur skandali i TikTokut në repartin gjinekologjik të Spitalit të Tetovës.

“Drejtori në fjalë nuk ka qenë në orarin e punës kur ka ndodhur ky rast si dhe për shkak se nuk ka pasur marrëdhënie të rregullt pune, ka shkuar në punë nga 2 orë dhe për këtë shkak atë ditë që isha në Tetovë e shkarkova, por për shkak se ishin festat nuk munda shkarkimin ta bëj zyrtarisht , dje e shkarkova edhe zyrtarisht. Do ketë bashkim të Qendrës Klinike, nga këtu nënkuptohet se nuk do ketë drejtorë organizativ por do ketë një drejtor gjeneral siç ka qenë edhe më përpara”, tha Mexhiti.

Prokuroria: Hetojmë nëse ka të përfshirë të tjerë në vepra

Nëse gjatë procedurës do të sigurohen dëshmi për përfshirje të personave tjerë në kryerjen e veprave penale, prokuroria do të veprojë sipas ligjit. Kështu thonë nga Prokuroria Publike në pyetjet e Portalb.mk nëse do të ketë të dënuar tjerë në lidhje me skandalin e TikTokut.

Prokuroria pa mos dhënë shumë detaje, theksoi se procedura është në proces ndaj një personi për veprat penale – Puna e pandërgjegjshme në shërbim nga neni 353-v paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, si dhe Incizim i paautorizuar sipas nenit 152 paragrafi 2 të Kodit Penal, sipas provave të siguruara. Për personin, me propozim të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar masën e paraburgimit.

“Në këtë fazë të procedurës, Prokuroria Themelore Publike Tetovë është duke punuar intensivisht për sigurimin e provave, duke marrë në pyetje të gjithë personat që mund të kenë njohuri. Detajet e deklaratave të personave të thirrur nuk mund t’i ndajmë me publikun. Nëse gjatë procedurës sigurohen dëshmi për përfshirjen e personave të tjerë në kryerjen e veprave penale, prokuroria do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj ligjore”, thanë nga Prokuroria për Portalb.mk.

Anesteziologut TikToker dy herë iu refuzua nostrifikimi i specializimit nga Prishtina

Komisioni prej pesë anëtarëve i përbërë nga profesorë eminentë nga Departamenti i Anestezisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Shkupit “Shën Kirili dhe Metodi” në vitin 2014 u tërhoqën dhe refuzuan  t’i nostrifikojnë specializimin nga Kosova mjekut anesteziolog Dr. Valton Dervishi, i akuzuar për punë të pandërgjegjshme në shërbim dhe incizim të paautorizuar. Specializimi, sipas burimeve të SDK në Ministrinë e Shëndetësisë, është nënshkruar në vitin 2015 nga ministri i atëhershëm Nikolla Todorov.

Doktori u diplomua në Universitetin e Prishtinës në vitin 2007, pastaj filloi specializimin në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, por e ndërpreu dhe vazhdoi specializimin në Prishtinë. Në vitin 2014 ka kërkuar që specializimi i tij t’i nostrifikohet këtu. Komisioni pesë anëtarësh nga Fakulteti i Mjekësisë në UKIM në Shkup është takuar dy herë dhe ka kërkuar dokumente dhe shpjegime shtesë nga kolegët e Fakultetit të Prishtinës. Pasi nuk i ka marrë dokumentet, komisioni nuk ka marrë vendim për nostrifikim, e më pas është tërhequr ndër të tjera për shkak të presionit politik të liderëve partiakë.

Mjekët nga Qendra Klinike e Shkupit me të cilët ka folur SDK dhe të cilët nuk janë të autorizuar të japin deklarata zyrtare, thonë se pasi Dervishi filloi specializimin në Klinikat në Shkup, pas një kohe i ka humbur gjurmët.

Kur u kthye nga Prishtina, komisioni për nostrifikimin e specializimit u tërhoq për arsye personale, sepse kishin shumë dyshime se kishte vetëm një nënshkrim në dokumente, po ashtu morën raporte nga media dhe kolegë nga Kosova se ai person mund edhe të të mos ketë kryer specializimin.

“Ende nuk e dimë se si e ka firmosur nostrifikimin ministri i Shëndetësisë”, thonë bashkëbiseduesit e kësaj redaksie.

Sipas tyre, Dervishi ka qenë i toleruar dhe i mbuluar në Spital për një kohë të gjatë.

Ndryshe, me 14 mars nëpunësit policor arrestuan Valton Dervishin (43) duke vepruar pas paraqitjes nga ana e Pëllumb Vela, drejtor i Spitalit Klinik Tetovë se Dervishi i punësuar si anesteziolog në spital, ka incizuar dhe publikuar në rrjetin TikTok, personel mjekësor dhe pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore.

Anesteziologu pas kësaj u përjashtua nga puna, ndërkaq me propozim të Prokurorisë nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore e Tetovës, për mjekun u caktua masë paraburgimi prej tetë ditësh.

Ndërkaq dje, Dhoma e Mjekëve solli vendimin me të cilin anesteziologut në fjalë propozon t’i merret licenca e punës për shtatë vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button