Pas skandalit, Spitali i Tetovës me rregullore: Rreptësisht ndalohet fotografimi i pacientëve

Pas skandalit në repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës ku një anesteziolog incizoi dhe transmetoi drejtpërdrejt në rrjetin social TikTok pamje nga një sallë e spitalit ku shiheshin pacientë dhe staf mjekësor, Spitali Klinik i Tetovës sot krijoi rregullore me çka ndalon regjistrimin e pamjeve të pacientëve dhe shpërndarjen e tyre, transmeton Portalb.mk.

Këto janë pikat e rregullores të cilën e shpërndau fillimisht TV21:

  • Mos publikoni informacione private dhe sekretet e pacientëve. Këtu përfshihen gjendja shëndetësore, fizike dhe emocionale e pacientëve. Historia e pacientit duhet të mbetet sekret profesional mes mjekut dhe pacientit. Thyerja e kësaj rregulle, dënohet edhe me ligjet e Maqedonisë së Veriut.
  • Mos jepni informacione mjekësore dhe këshilla profesionale në rrjetet sociale, duke u bazuar në historinë e ndonjë pacienti që është drejtuar tek ju për ndihmë. Mos i merrni shembuj pacientët tuaj për të treguar ndonjë sëmundje dhe shërimin e saj. Këshillat mjekësore duhet të jepen në ambulantë, repart apo edhe bisedë diskrete me pacientin. Deklaratat për media dhe rrjetet sociale duhet të jepen pas diskutimit të nevojës me autoritetet e spitalit.
  • Mos publikoni fotografi, video dhe materiale nga puna e përditshme në ambulantë, sallë operacioni, zyre apo reparti. Ligji për mbrojtjen shëndetësore i garanton privatësi të plotë pacientit dhe qytetarëve. Rreptësishtë ndalohet që të nxjerrën fotografi pas, gjatë apo para ndërhyrjes apo kontrollës me pacientët.
  • Mos publikoni fotografi kolektive nga mbledhjet, takimet me kolegët për të diskutuar punën e repartit apo edhe takimet me pacientët. Gjithashtu, ndalohet publikimi i fotografive dhe pamjeve nga hapësirat e Spitalit klinik Tetovë.
  • Përmbahuni në komentimin e temave aktuale, shoqërore, politike. Përmbahuni nga konfliktet, grindjet dhe polemikat në rrjetet sociale të ndjeshme siç janë temat me dallime fetare, racore, politike dhe shoqërore të çdo llojit. Pacientët tuaj janë të të gjithë llojeve, dhe secili mbështet një besim, kauzë apo ideologji. Ju duhet të jeni gjithëpërfshirës, duke respektuar dallimet e të gjithëve. Debatet kontroverse bëjnë që ju të shiheni si person joprofesional dhe kontrovers.
  • Shpërndarja e lajmeve jo të sigurta ndikon keq në reputacionin tuaj si mjek/personel mjekësor. Shpërndarja e informacioneve jo të sakta në rrjetet sociale mund të ndikoj edhe më shumë në shpërndarjen tek pacientët. Besimi ndaj mjekut është i madh dhe kjo mund të ndikojë që pacientët tuaj të besojnë më lehtë gënjeshtrën.
  • Mos i përdorni rrjetet tuaja sociale për të promovuar shërbime apo produkte mjekësore komerciale. Ashtu siç duhet të jetë sipas profesionalizmit, pacientët duhet t’i shëroni me barërat më të mirë gjatë shërbimit tuaj. Mos ju ofroni, reklamoni dhe sugjeroni pacientëve dhe shoqërisë suaj produkte që ju keni marrëveshje bashkëpunimi.
  • Publikimi i historieve të suksesit gjatë punës tuaj duhet të kalojë filtrin e profesionistëve që janë të punësuar në spital. Gjithashtu, asnjëherë mos publikoni fotografi dhe video pamje nga pacientët, nëse nuk e keni të siguruar deklaratën e shkruar nga pacienti. Pajtueshmëria verbale nga pacienti nuk është leje për publikim pasi e njejta nuk mund të dëshmohet.
  • Përmbahuni nga kritikat, humori dhe përqeshja e kolegëve tuaj gjatë orarit të punës dhe nëpër rrjetet sociale. Kjo tregon se mjekët kanë humbur respektin për kolegët dhe pasqyron prishjen e unitetit dhe bashkëpunimit ndërkolegial.
  • Mos publikoni fotografi të pahijshme gjatë festave. Kjo ndikon në prishjen e reputacionit tuaj dhe të spitalit, si punëdhënësit tuaj.
  • Sugjerohet që postimet në rrjetet sociale të jenë të kufizuara vetëm me shoqërinë tuaj të ngusht (friends/jo public), të cilët nuk i keqpërdorin postimet e fotografive, mendimeve dhe qëndrimeve tuaja. Kujdes kë pranoni si shok, miq apo followers në rrjetet sociale.

This slideshow requires JavaScript.

Ndryshe, me 14 mars nëpunësit policor arrestuan V.D. (43) duke vepruar pas paraqitjes nga ana e Pëllumb Vela, drejtor i Spitalit Klinik Tetovë se, V.D. i punësuar si anesteziolog në spital, ka incizuar dhe publikuar në rrjetin “Tik Tok”, personel mjekësor dhe pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore.

Anesteziologu pas kësaj u përjashtua nga puna, ndërkaq me propozim të Prokurorisë nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore e Tetovës, për mjekun u caktua masë paraburgimi prej tetë ditësh. Përcaktimi i masës vjen pasi Prokuroria Themelore Publike Tetovë ka iniciuar procedurë ndaj të akuzuarit për veprat penale “punë nga pakujdesia në shërbim” si dhe “incizim i paautorizuar” nga neni 152 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Incidentin në fjalë e ka dënuar ashpër edhe Oda e Mjekëve, prej ku thanë se organet e kësaj organizate do të mblidhen për të shqyrtuar rastin dhe për të marrë masa adekuate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button