Procesi i integrimit po dështon, e shpëtojnë dot zgjedhjet parakohshme?

Maqedonia ka dështuar në procesin e evrointegrimeve, ajo ka mbetur pas vendeve fqinje në këtë proces. Në një situatë të këtillë është normale që të kërkohen përgjegjësit e këtij dështimi dhe pse jo dhe të kërkohen rrugë për të tejkaluar këtëgjendje. A mund të konsiderohen zgjedhjet e parakohshme, një mundësi për tejkalimin e kësaj situate, në kushtet kur as opozita nuk e kërkon një gjë të tillë?

Analisti Ibrahim Mehmeti konsideron se kur ka dështime evidente, siç mund të llogaritet dështimi i fundit në rrugën e Maqedonisë për t’u integruar në BE, është e logjikshme që të shqyrtohen mundësitë  e daljes nga kjo situatë, por  edhe të shqyrtohet pozicioni i qeverisë. Ai thotë se zgjidhja më e logjikshme do të ishte që fillimisht të bisedohet dhe të hapet debat  në qeveri për dështimin,   në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për tejkalimin e krizës, duke mos përjashtuar mundësinë që vetë qeveria të propozojë shpërndarjen dhe organizimin e zgjedhjeve.

“Unë nuk jam në favor të ideve që duhet automatikisht të ketë zgjedhje, mirëpo në situata kur përsëritet i njëjti problem, e njëjta situatë me dështimin e Maqedonisë në procesin e integrimit, mendoj se së paku duhej të ketë më shumë  seriozitet në qeveri, brenda partnerëve të koalicionit. Dhe, këtu BDI  e cila pretendon se është më e zëshme, apo më e angazhuar  për integrime, duhet  më së paku ta hapë këtë çështje dhe jo të kemi një situatë ku kryeministri përshembull shkon nëpër  botë dhe bën promovimin  Maqedonisë për investime, thuajse gjithçka është në rregull”, thotë Mehmeti.

Ndërkaq, Mirjana Malevska profesoreshe e shkencave politike, konsideron se Partisë qeverisëse, madje, mbase edhe koalicionit qeverisës, do t’i konvenonin zgjedhjet e parakohshme që të  mos humbin shumë me kalimin e kohës, gjatë së cilës ne  si vend qëndrojmë në vend, sepse ajo është e vetëdijshme se kritikat dhe pakënaqësia do të shtohen, si në trupin votues shqiptar, ashtu edhe në trupin votues maqedonas. Ajo shton se ndaj nuk mund të qëndrohet në vend dhediçka duhet të bëhet, ndërsa zgjedhjet janë zgjidhja më e lehtë, por për vendin zgjedhjet e jashtëzakonshme,  tani nuk janë të mira.

“Kjo qeveri domosdoshmërisht duhet të japë përgjegjësi, që nuk arriti që të fillojë bisedimet, kur vendet tjera rreth nesh tanimë e bëjnë këtë gjë, ndërsa ne mbetëm pas. Kjo nuk është mirë për marrëdhëniet  brendshme në vend, nuk është mirë as për ekonominë. Përgjegjësia në këtë drejtim është e qeverisë. Partia më e madhe nacionale në qeveri, duhet ta shtyjë procesin përpara në raport me problemet, siç është ai i emrit, sepse nesër, nëse mbesin në opozitë do të bëjnë probleme”,  shprehet Malevska.

Ibrahimi dhe Malevska janë të mendimit se  duhet njëfarë reagimi për të dalë nga kjo situatë.

Ibrahimi thotë se nuk është e logjikshme që të mos ketë kurrfarë reagimi për një situatë kaq serioze, sepse largimi i Maqedonisë nga agjenda evropiane, ka reperkusione edhe në sferën e ekonomisë edhe në atë politike .  Ai vlerëson se heshtja e kësaj teme është mjaft diskutabile.

Ndërsa, Malevska e konsideron të nevojshme  trysninë e bashkësisë ndërkombëtare mbi partnerët e koalicionit, por jo deri në atë masë sa që të prishet, apo të bëhet më keq. Ajo thotë se duhet  mos prishet koalicioni, të mos tensionohen marrëdhëniet ndëretnike  dhe  politike, por të  shkohet  hap pas hapi me trysninë që duhet të orientohet drejt  bindjes së nacionalistëve që të dakordohen me ndonjë zgjidhje kompromisi, dhe nëse kjo do të arrihet duhet të presim dhe të shohim.

Lajme të ngjashme

Back to top button