Fëmijët e Debreshit dhe lagjes Tullana për herë të parë do të bëhen me çerdhe

Kryetar i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dhe zëvendës përfaqësuesja e UNICEF-it, Razha Msefer Berada, nënshkruan memorandum bashkëpunimi, me të cilin do të themelohen dy qendra për zhvillim të hershëm fëmijëror në fshatin Debresh dhe lagjen Tullana.

Në Komunën e Gostivarit janë rreth 1.600 fëmijë të moshës prej 3 deri 5 vjeç, por megjithatë për momentin programi parashkollor është i qasshëm vetëm në një kopsht shtetëror dhe në një privat në kryeqendrën e komunës. Me qendrat e reja për zhvillim të hershëm fëmijëror, në fshatin Debresh dhe lagjen Tullana, rreth 200 fëmijë për të parën herë do të munden të ndjekin programin parashkollor.

“Për të parën herë ndërtohen dy institucione parashkollore jashtë qytetit, një në fshatin Debresh dhe një në lagjen Tullana. Prej sot edhe fëmijët e qytetit edhe fëmijët që jetojnë në mjediset rurale janë të barabartë. Komuna e Gostivarit do të rregulloje mjedise të përshtatshme të vendosura në objektet e shkollave fillore “Faik Konica” Debresh dhe shkollën fillore periferike “Bashkimi”, në lagjen Tullana, që do të përdoren vetëm si qendra për zhvillim të hershëm të fëmijëve si dhe për zbatimin e të mësuarit dhe zhvillimin e hershëm për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Ne do sigurojmë fonde për punësimin e një edukator të përshtatshëm për të zbatuar aktivitetet me fëmijët në qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve të vendosur në shkollën fillore “Faik Konica” fshatit Debresh, sipas programit kombëtar për mësim dhe zhvillim dhe trajnim që do të sigurojë UNICEF fillim. Gjithashtu komuna do ti mbuloje shpenzimet e vazhdueshme në qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve në shkollat fillore “Faik Konica” në Debresh dhe “Bashkimi”, në lagjen Tullana. Ne si komunë do ti kryejmë të gjitha obligimet që janë të parapara në memorandum”, tha Nevzat Bejta, kryetar i komunës s Gostivarit.

Deri vonë, mundësia e vetme që komunat t’i zgjerojnë shërbimet e arsimit parashkollor ishte që të themelojnë kopshte, mirëpo për shumicën kjo ishte e parealizueshme financiarisht. Me Ligjin e ri për mbrojtje të fëmijëve tani komunat kanë bazë juridike që ta rrisin përfshirjen dhe ta përmirësojnë cilësinë e programeve parashkollore nëpërmjet hapjes së qendrave për zhvillim të hershëm fëmijëror.

“Fëmijët të cilët ndjekin programe kualitative parashkollore arrijnë sukses më të mirë në shkollën fillore dhe kanë gjasa më të mira për sukses më pas në jetë”, deklaroi znj. Razha Msefer Berada, zv/përfaqësuese e UNICEF-it.

Qendra në Debresh do të hapet me mjetet e donuara nga Fondacioni T-Mobile për Maqedoni, përmes iniciativës “5 të parët janë më të rëndësishëm në botë”. Ndërsa qendra në Tullanë do të hapet si pjesë e iniciativës ndërmjet disa vendeve për arsim inkluziv të romëve, financuar nga Qeveria e Austrisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button