RMV, pesë muaj pas konstatimit të gabimeve, libri “Historia dhe shoqëria” është ende në përdorim

Teksti i ri shkollor i lëndës Historia dhe shoqëria për klasën e pestë vazhdon të përdoret në mësimdhënie, ndonëse që nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar u konstatuan një sërë informacionesh të pasakta dhe palogjikshmërish. Edhe pse reagimet e publikut ishin të mëdha për këtë tekst shkollor dhe pati një njoftim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, se do të tërhiqej nëse konstatohen gabime mbi 30 për qind, nxënësit ende mësojnë prej tij. Për këtë kanë reaguar sot anëtarët e Shoqatës së Historianëve të Maqedonisë, por edhe për faktin se refuzojnë të marrin pjesë në përgatitjen e planit mësimor të historisë për klasën e gjashtë, transmeton Portalb.mk.

Nga aty vlerësojnë se dëmi i shkaktuar nga Koncepti për arsimin bazë është serioz, ndaj kërkojnë kategorikisht Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) që Koncepti të marrë moratorium dhe urgjentisht të organizohet një debat i gjerë publik.

“Kemi paraqitur kërkesë për tërheqjen e tekstit të lëndës së sapofutur Historia dhe shoqëria për klasën V. Të njëjtën gjë e mbështetëm edhe me një analizë kritike prej 30 faqesh, në të cilën shënuam 60 lëshime dhe gabime serioze në aspektin konceptual, përmbajtjesor dhe metodologjik, ndërsa paralajmëruam se do të krijojnë ide të gabuara te studentët jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të tashmen. Publikisht pyesim nëse ky tekst shkollor është tërhequr nga përdorimi, duke pasur parasysh se lëshimet e cekura e kalojnë 30 për qind të përcaktuar me ligj”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Në ndërkohë, theksojnë nga atje, deri në përgatitjen dhe miratimin e një Koncepti të ri, kërkojnë të vazhdohet me planprogramet ekzistuese, në mënyrë që të parandalohen pasoja të dëmshme në të ardhmen për nxënësit, mësimdhënësit, si dhe për të gjithë sistemin arsimor të Maqedonisë për qytetarët dhe shtetin.

Anëtarët e Asociacionit thonë se me aplikimin e Konceptit, historia margjinalizohet dhe degradohet dhe kështu pamundësohet perceptimi esencial i së kaluarës, nga i cili varet e ardhmja e shtetit të Maqedonisë.

“Në Bashkimin Evropian, ku përkasim si shtet demokratik dhe vlerat themelore të të cilit i ndajmë, në thelb historia si subjekt përcakton identitetin dhe vetëdijen e përkatësisë ndaj kombit”, thekson Shoqata e Historianëve.

Nga atje thonë se po ngrihen në mbrojtje të kolegëve të tyre mësues, të cilëve u vihet në pikëpyetje vendet e punës, për shkak të zvogëlimit të orëve të historisë, që është shkaktuar nga kurrikulat dhe programet e reja të konceptuara.

Megjithatë, përgjigjet në Byronë e Zhvillimit të Arsimit, pak ditë më parë për Meta.mk, theksonin se asnjë mësues nuk do të shkarkohet nga puna dhe nuk do të mbetet pa orë mësimore.

“Numri i orëve është identik si më parë, ndërsa ajo që ne prezantojmë me programet e reja është qasja e re, e bazuar në të mësuarit eksperimental, në lidhjen e asaj që mësohet me realitetin, në të mësuarit përmes eksperimenteve, në zhvillimin e mendimit kritik. Në mbështetje të mësimdhënësve dhe nxënësve nga viti i ardhshëm shkollor në realizimin e programeve janë ndërtuar dhe pajisur kabinetet e reja të shkencave natyrore nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me mbështetjen e Bankës Botërore”, kanë thënë në BZHA.

Në dhjetor të vitit të kaluar, u raportua se në tekstin Historia dhe shoqëria për klasën e pestë ka pohime të pasakta në temën “Popullsia dhe kontinentet”, por si duket edhe përkthim i keq i informacionit. Kështu thuhet se vendi ynë kufizohet me Shqipërinë në lindje dhe me Bullgarinë në perëndim. Përveç kësaj, në të thuhet se mali Everest është pika më e lartë në tokë në një lartësi prej 29,035 metra mbi nivelin e detit, ndërsa pika më e ulët është Deti i vdekur i cili është “më shumë se 1,400 metra nën nivelin e detit”. Përveç kësaj, ka shumë gabime gjuhësore dhe drejtshkrimore, shembull i të cilave është fjalia “Australia është kontinenti më i vogël dhe është i vetmi në botë që përbëhet nga vetëm një shtet”.

Autorë të tekstit janë Anita Angelovska dhe Glikeria Ilioska. Recensentë janë Besa Havziu-Ismaili, Aneta Soklevska dhe Violeta Shurbanovska, kurse korrektuese Violeta Jovanovska-Nikovska.

Askush nuk ndjen përgjegjësi për lëshimet në tekst. Ky rast tregoi se është e kotë që ekzistojnë gjithë ata filtra (autorë, korrektorë, recensues, Komisioni kombëtar për tekstet shkollore) pasi ka kaq shumë gabime në vetëm një tekst shkollor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button