Inspektorati Komunal në pritje të dritës jeshile për prishjen e objektit ilegal te blloku urban 37 në Tetovë
Edhe pse Këshilli i Komunës së Tetovës para një muaj e gjysmë mori vendim që të prishet objekti ilegal në parkingun e bllokut urban 37, i njëjti ende nuk është prishur. Nga Inspektorati Komunal i Tetovës thonë që presin përgjigje nga shkalla e dytë ku është ankuar pala, si dhe për të njëjtën janë në pritje që Sektori i Urbanizmit në Komunë t’ua dorëzojë lëndën që inspektorati ta prishë objektin, shkruan Portalb.mk.
Hapësira në të cilën ndodhet ky objekt është e paraparë të jetë parking. Këshilli Komunal me 28 shkurt 2023 vendosi që mos t’i jep leje për legalizim të njëjtit dhe aty të jetë parking.
Objekti ilegal te parkingu në bllokun urban 37 në Tetovë. Fotografuar më 10 prill 2023. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mkNga Inspektorati Komunal për Portalb.mk theksuan se pala është ankuar dhe se presin përgjigje që të intervenojnë.
“Pala ka bërë ankesë, sa kam informacion, në komisionin e shkallës së dytë, presim prej atje përgjigje edhe ta prishim. Ajo më shumë i takon urbanizmit, në moment që ato do të marrin përgjigje ne veprojmë. E presim vendimin prej shkallës së dytë, pasi ka pasur afat tetë ditë për të bërë ankesë, në Shkup në Ministri të Transportit sa kam informacion, ajo nuk më tangon mua, e tangon urbanizmin”, tha Gani Aliji, shef i Inspektoratit Komunal të Tetovës, duke shtuar se nga Sektori i Urbanizmit në Komunë i kanë informatat më të sakta, pasi ata si inspektorat presin nga ky sektor të ja dorëzojnë lëndën për ta prishur objektin në fjalë.
Portalb.mk kontaktoi shefin e Sektorit të Urbanizmit në Komunën e Tetovës, mirëpo i njëjti nuk u përgjigj as në thirrjen telefonike dhe as në mesazh porosinë për këtë rast.
Portalb.mk ka ndjekur këtë rast tani e disa muaj, pasi në shtator të vitit 2022 te kjo hapësirë në bllokun urban 37 apo e njohur ndryshe si hapësira te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve”, Komuna e Tetovës filloi të ndërtojë parking dhe të largojë uzurpimet, kërkesë kjo e kamotshme e banorëve që jetojnë në ndërtesat përreth. Megjithatë, aty mbeti një objekt i cili nuk është prishur ende, edhe atë mu në qosh të bllokut.
Për të njëjtin banorët e kësaj lagjeje shfaqën ankesa në Portalb.mk se lirimi i hapësirave publike është bërë në mënyrë selektive dhe se objekti i fundit mbetet pa larguar përderisa tjerët janë prishur. Megjithatë, kryetari i Komunës së Tetovës, disa herë pyetur nga Portalb ka deklaruar se edhe ai objekt do të prishet por duhet të kalojnë disa procedura dhe afate.
Ky është plani i komunës për krijimin e parkimeve në këtë hapësirë:
- LEXO: Këshilli i Komunës së Tetovës vendosi që të prishet objekti ilegal te parkingu në bllokun urban 37 (Video)
- LEXO: Nuk është larguar objekti ilegal në bllokun 37, Kasami: Do të prishet sapo të mbarojnë procedurat
- LEXO: Kasami u zotua se do të rrënohet edhe objekti i fundit i mbetur në hapësirën publike në bllokun 37
- LEXO: Tetovë, në Bllokun 37 ende ka uzurpime që pengojnë parkingun e ri, Komuna premton se do të prishen (Foto)
- LEXO: Banorët e bllokut 37 në Tetovë: Përkrahim vendimin e komunës për krijimin e parkingut, Komuna: Projekti realizohet sipas planit
- LEXO: Rruga te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” në Tetovë e shkatërruar plotësisht, banorët propozojnë zgjidhje, komuna i injoron kërkesat dhe hesht