Rivendosja e vijave të reja kufitare nga Finlanda në Kosovë
Në vitin 1946 ish- kryeministri britanik gjatë Luftës së Dytë Botërore Uinston Çurçill udhëtoi drejt SHBA-së. U ndal në Uashington D.C., dhe vazhdoi drejt një qyteti të vogël amerikan. Fjalimi i tij ndryshe i quajtur si fjalimi i “Perdes së Hekurt”, u mbaj në Fulton të shtetit Mizuri, të SHBA më 5 mars të vitit 1946, në të cilin ai theksoi “domosdoshmërinë që SHBA-të dhe Britania e Madhe të veprojnë si roje të paqes dhe stabilitetit kundër kërcënimit të BRSS-së”.
“Nga Balltiku në Triestë e deri në Adriatik, një perde hekuri ka zbritur në të gjithë kontinentin”. “Pas kësaj vije qëndrojnë të gjitha kryeqytetet e shteteve të lashta të Evropës Qendrore dhe Lindore. Varshava, Berlini, Praga, Vjena, Budapesti, Beogradi, Bukureshti dhe Sofja”. Të gjitha këto qytete evropiane shtriheshin në atë që ai quante sfera sovjetike. “Partitë komuniste, të cilat dikur ishin shumë të vogla në të gjitha këto shtete të Evropës Lindore, janë ngritur në epërsi, kanë pushtet shumë përtej numrit të tyre dhe po kërkojnë kudo të marrin kontrollin totalitar”,- tha Çurçilli para të publikut.
Pothuaj tetë dekada pas këtij fjalimi, lufta në Ukrainë na shtyn të shohim një Evropë tjetër. Anëtarësimi i Finlandës në NATO më 4 prill të 2023-tës, vërtetoi thënien e Nikollo Makijavelit (1469- 1527) se bota është e njëjta, por vetëm se dikush ka fat të mirë dhe të keq. Dhe kjo lidhet me shtetet dhe fatin e kombeve që detyrohen të bashkëpunojnë ose të bëhen pjesë e politikës së tragjedive të shteteve më të fuqishme. Gjithnjë po bëhet më e qartë se një linjë e re ndarëse po forcohet hap pas hapi, dhe këtu në krye të këtij procesi qëndrojnë përsëri si dikur SHBA-të dhe Britania e Madhe. Kurse Ukraina është vetëm një fushëbetejë e Fuqive të Mëdha, ku Kievi është bërë pjesë e lojës së të mëdhenjve.
Dikur ishte Ballkani gjatë shek. 19-20 -të, para dhe pas fillimit të shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Lufta e Dytë Botërore gjithashtu siç thoshte edhe Çurçilli e përfshiu këtë pjesë të Evropës nën sundimin sovjetik, kurse sot vazhdon të jetë pjesë e euro-atlantizmit dhe gjithashtu pjesë e ndikimit serbo-rus. Konflikti i Josip Broz Titos me Josip Stalinin në vitin 1948, ishte një rast që hapësira e dikurshme jugosllave të gëzonte një farë pavarësie nga Moska. Po sot, pavarësisht forntit në lindje, vija ndarëse po shihet qartë, dhe ashtu si 80 vite më parë po bëhet gjithjë dhe më e dukshme. Ballkani me disa shtete jo anëtare të BE-së dhe NATO-s, po vazhdon të mbetet pikë e nxehtë e cila mund të shërbëjë për destabilizim në të ardhmen dhe konflikte të izlouara në mes shteteve në rajon. Pasi vija ndarëse e botës se re nis nga Finlanda dhe vazhdon në Ukrainë, e njëjta bëhet jo e qartë në Ballkanin Perëndimor, pasi Serbia vazhdon të mbetet në mes Lindjes dhe Perëndimit.
Bosnja dhe Kosova jashtë sigurisë atlantike po ashtu mbesin vende ku Serbia do të vazhdojë me politikat e zgjerimit dhe të destabilizimit të këtyre shteteve. Për ta bërë këtë vijë ende më të dallueshme, SHBA si duket po mbështesin krijimin e shteteve një etnike dhe me kufijë tjerë. Se sa vite do të duhet të ‘prodhohet’ një hartë e re nuk dihet tani për tani, pasi është vështirë të parashikojmë se si do të duket Ballkani në kuadër të hartës së re gjeopolitike. Ajo që shihet është se Serbia, Shqipëria dhe Kroacia po marrin rolin dominues të politikës së re amerikane në Ballkanin Perëndimor. Një ndryshim radikal vërehet në marrëdhëniet në mes SHBA-së dhe Serbisë, ku nëpërmes ‘politikave të lëshimit’, SHBA po e forcon Serbinë në rajon si shtet kryesorë. Një politikë e tillë do të ketë efekte në Bosnjë dhe Kosovë, ku në të ardhmen e afërt, vendosja eventuale e kufijve të rinj të Serbisë me këto vende ka gjasa të mos kundërshtohet nga SHBA dhe Perëndimi, sepse kjo do të shkonte në favor të vijës së re ndarëse në Evropë apo thënë të rivendosjes së një “perde të re”.
Me vijën e re kufitare dhe politikat e reja, në fakt SHBA po ndërton një bllok të ri shtetesh kundër Rusisë dhe Kinës. Njëkohësisht me këtë bllok do të merrnin fund edhe politikat e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes dhe jugut të Evropës. Partnerët e rinj të SHBA-së dhe BE-së duhet të përshtaten në botën e re që po lind, duke përfshirë këtu serbët, shqiptarët, kroatët, boshnjakët dhe të tjerët.
Në anën tjetër të vijës ndarëse do të jenë Rusia e dobët ekonomikisht, kurse Turqia me politikën e jashtme dhe ekonomike të favorshme për të gjithë fqinjët do të ketë një status të konsiderushëm gjeopolitik në rajon. Këtu nuk duhet të harrojmë rolin e Rusinë, e cila e nxitur të hyjë në aventura ushtarake do të ketë kapacitete të kufizuara për të bërë luftëra në kufirin perëndimor. Turqia dhe fuqitë e tjera rajonale mund ta zëvendësojnë Rusinë me politika të ndryshme.
Siç e dimë Turqia ka një rol shumë dimensional në Ballkan, Kaukaz, Lindjen e Mesme etj etj. Vija e re kufitare do të transformojë ekonomitë e në veçanti do të mprehë politikën e brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Korridoret e transportit dhe teknologjia e re nga SHBA-të dhe BE-ja do të ndikojnë në zhvillimin e shteteve nga Finlanda e deri në Shqipëri.
Gjatë këtij transformimi do të mund të shohim edhe rritje të mosmarrëveshjeve, kryesisht të izoluara midis shteteve në Ballkan. Dhe kjo ka rrezik të ndodhë, sepse fuqitë botërore me ndihmën e kombeve dominuese në Ballkan do të përpiqen të vendosin një kufi të ri i cili aktualisht po mer formë. Deri atëherë do të vërejmë edhe ndërhyrjen e aktorëve të tjerë gjeopolitikë në përcaktimin e planeve të reja. Dhe tani se si do të duket në të vërtetë bota e re, përsëri duhet t’i referohemi historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare e sidmos të dy shekujve të fundit.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.