Trajtimi i punëtorëve të huaj

Kapitulli i dytë i Acquis-it i BE-së “Liria e lëvizjes për punëtorët”, parashikon që qytetarët e BE-së të një shteti anëtar kanë të drejtë të punojnë në një shtet tjetër anëtar. Punëtorët migrantë të BE-së duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë si punëtorët vendas në lidhje me kushtet e punës, avantazhet sociale dhe tatimore. Neni përfshin gjithashtu një mekanizëm për të koordinuar dispozitat kombëtare të sigurimeve shoqërore për personat e siguruar dhe anëtarët e familjeve të tyre që lëvizin në një shtet tjetër anëtar.

Këtu ligji evropian shumë mirë e ka sqaruar se si një shtet anëtar duhet të veprojë. Kur tashmë punëtorët nga Afrika dhe Azia kanë vërshuar në Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut çfarë të drejta kanë këta emigratë në vendet që shpresojnë për të ardhura më të mira dhe të drejta? Shtetet anëtare të BE-së nëse pranojë të huaj i gëzon sigurisht të gjitha të drejtat bazuar në ligjet e BE-së. Këtë e kanë vërtetuar më së miri për më shumë se pesë dekada punëtorët nga ish -hapësira jugosllave që kanë pasur fat të integrohen në sistemin evropian të tregut të punës dhe njëkohësisht t’i gëzojnë të gjitha privilegjet e shteteve perëndimore. Një vakum që duket parë se si do të reflektohet në puntorët e ardhur nga vendet e treta, është ai Ballkanin Perëndimor e sidomos në Maqedoni të Veriut dhe në Shqipëri ku qindra të huaj shpresojnë të inkuadrohen në jetën e këtyre shteteve. Siç dihet shtetet e rajonit ballkanik nuk ofrojnë kushte të mira pune për punëtorët vendas dhe jo më për të huajt që duhet t’i nënshtrohen disa procedurave të emigracionit për të fituar leje qëndrimi dhe gëzuar më pas të drejtat e punës. Ka shumë të ngjarjë që punëtorët e huaj që kanë shumë shpresë se në këto vende ballkanike do të gjejnë parajsën në vazhdim të mbeten të zhgënjyer nga autoritetet për arsye burokratike, mungesës së traditës dhe ligjeve që thonë se janë për punëtorin, ndërkaq më tepër favorizojnë punëdhënsin.

Kur jemi këtu, duhet nënvizuar se sipas ligjeve të Maqedonisë së Veriut “java standarde e punës përbëhet nga 8 orë në ditë dhe 40 orë në javë. E diela është shpallur si ditë jopune për pjesën më të madhe të popullsisë, dhe në përputhje me ndryshimet e vitit 2022 për ligjin e punës”. Në nenin 20 (1) thuhet se “shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi mund të lidhin kontrata pune nëse përmbushen kushtet e përcaktuara me këtë ligj dhe ligje të tjera të veçanta që rregullojnë punësimin e shtetasëve të huaj”. “Kontrata e punës e lidhur në kundërshtim me paragrafin (1) të këtij neni do të konsiderohet e pavlefshëme”.

Siç vërehet Maqedonia e Veriut ka shumë ligje të mira të shkruara në letër, mirëpo në praktikë shumë pak zbatohen. Tash kur vendi shpreson se deri në vitin 2030 do të bëhet anëtare e BE-së, është mirë që në fund të fillojë të duket me të vërtetë shtet evropian. Gjasat janë të vogla që qeveria të zbatojë ligjet e BE-së shpejtë. Rasti më konkret është ndërtimi i autostradës nga “Betchel & Enka” ku në konkursin e shpallur nga qeveria për punëtorë, shumë pak theksohen kushtet e punës, qofshin për punëtorë të brendshëm apo të huaj që duhet të punojnë për një shumë mbi 1000 euro. Si vend që pretendon BE-në, qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të angazhohet në forcimin e fuqisë punëtore të brendshme në degë të rëndësishme të industrisë së lehtë dhe të fushave tjera. Ndryshe kriza do të jetë më e madhe në vitet që vijnë. Përmirësimi i ligjeve të punës dhe zbatimi i tyre bashkë më një rritje të pagave duhet parë si një strategji afatgjate për të dalë nga kriza. Që nga viti 1991 shumë pak është bërë në mbatjen e fuqisë punëtore në vend, qoftë atë profesionale dhe të niveleve më të ulta. Gjendja aktuale është pasojë e politikave të këqija të së kaluarës dhe mungesës së politikave të reja. Andaj ardhja e punëtorëve të huaj do të jetë me sfida dhe më vështërsi shtesë për tu përshtatur në sistemin e kalbur të punës dhe të pa kujdesit njerëzor në shtetet e Ballkanit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button