Në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore
Ka filluar me rregull procesi i votimit në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, raporton Anadolu.
Gjithsej 19 qendra të votimit, 6 të rregullta dhe 13 alternative (kontejnera) janë hapur nga ora 07:00 të cilat do t’u shërbejnë rreth 45 mijë qytetarëve në këto katër komuna që ta japin verdiktin e tyre.
Edhe qendra e votimit në kontejnerë afër stacionit të autobusëve në rrugën “Ivo Lolla Ribar” në Mitrovicë të Veriut u hap në kohë dhe me rregull filloi procesi i votimit nga qytetarët.
Afër kësaj qendre janë të pranishëm dy patrulla policie dhe një patrullë e Misionit të NATO-s (KFOR) si dhe mediat.
Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), theksoi se ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 prill u bëri thirrje qytetarëve në veri që të dalin në zgjedhje, duke shtuar se ky do të ishte një “mesazh i fortë” për ata, që sipas saj kanë kërcënuar dhe frikësuar banorët në veri që të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Ndërkaq, në po të njëjtën ditë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se serbët e Kosovës janë në një situatë të vështirë, pasi që ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit.
Sipas tij, populli serb në veri me qetësi, përgjegjësi dhe përbuzje do t’i shikojnë ata që do të vijnë nga Mitrovica e Jugut për të votuar që të zgjidhet udhëheqje e re në katër komunat me shumicë serbe, ndërsa ajo çfarë do të ndodhë më pas në këto komuna, Vuçiq e ka quajtur si “pushtim të plotë”.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, nuk aplikoi për zgjedhjet e 23 prillit, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e pjesëtarëve të njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit u shpallën pasi kryetarët e partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe dhanë dorëheqje në nëntor për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të konvertimit të targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia.