Bekteshi: Deri të premten do të përfundojnë analizat për çmimet e sheqerit, vezëve dhe vajit për ushqim

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pret që deri të premten të përfundojnë analizat të cilat duhet të tregojnë se nëse do të ngrihen çmimet e sheqerit, vezëve dhe vajit për ushqim, njofton Portalb.

Siç tha sonte Bekteshi në pjesëmarrje në emisionin “Top tema” në Televizionin Telma, priten të dhëna plotësuese nga odat ekonomike dhe Drejtoria Doganore.

“Nuk kanë përfunduar analizat. Pres që deri të premten të përfundojnë. Presim të dhënave plotësuese nga odat dhe Drejtoria Doganore. Atëherë do ta informojmë Qeverinë. Nëse ka hapësirë pët ulje të çmimeve, atë do ta bëjmë. Momentalisht askush nuk punon me humbje, por, sërish do të them, derisa nuk i kemi të gjithë të dhënat hyrëse nuk do të sjellim vendim. Kryesisht prodhuesit u referohen çmimit të sojës dhe misrit. Tek çmimi i misrit në bursat botërore ka ulje, ndërsa e kundërta është për sojën”, theksoi Bekteshi.

Sipas tij, analiza për çmimet e produkteve të mishit, pemëve dhe perimeve nuk bëhen në Ministrinë e Ekonomisë.

“Ministria e Ekonomisë nuk ka mekanizma për masa në pjesën e pemëve dhe perimeve. Bisedova me ministrin Lupço Nikollovski që Ministria e Bujqësisë të bëjë analiza. Nëse MBPEU ka propozim konkret, do ta pranojmë. E njëjta vlen edhe për produktet e mishit”, nënvizoi Bekteshi.

Ndërkaq, prej nesër edhe zyrtarisht do të hyjë në fuqi Vendimi i Qeverisë për zvogëlimin e çmimeve të pastave dhe prodhimeve të qumështit i miratuar përpara një jave. Në markete, qytetarët do të munden të blejnë pasta më lirë për 15 për qind dhe produkte të qumështit për 10 për qind.

Inspektorati Shtetëror i Tregut paralajmëroi se prej nesër inspektorët do të jenë në terren dhe do të kryejnë kontrolle nëse tregtarët kanë vepruar sipas vendimit qeveritar.

Përndryshe, çmimi i pastave (shpagetave dhe makaronave) do të ulet për 8-9 denarë, gjegjësisht minimum për 15%, ndërkaq ulje të çmimit prej më së paku për 10% do të ketë edhe për prodhimet e qumështit (qumësht lope me yndyrë prej 2,8%, 3,2% dhe 3,5%; gjizë; djathë lope, kos, ajkë dhe jogurt pa shtesa). Gjobat për mosrespektim të vendimit qeveritar lëvizin prej 800 deri në 10.000 euro.

Ky është vendimi i dytë për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore, pasi që më 28 shkurt Qeveria miratoi vendim për kufizimin e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë.

Për shkak këtij vendimi, bukëpjekësit filluan me bojkotin e prodhimit të bukës, megjithatë pas dy ditësh, ata e ndaluan grevën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button