Bytyqi: Tregtarët ende nuk i kanë ulur çmimet e pastave dhe prodhimeve të qumështit, kanë afat edhe dy ditë

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, sot deklaroi se sipas informatave që disponon, tregtarët ende nuk i kanë ulur çmimet e pastave dhe prodhimeve të qumështit, njofton Portalb.mk.

Ulja e çmimeve duhet të hyjë në fuqi më 16 mars, por deri atëherë u është lënë hapësirë tregtarëve që të përgatiten dhe një pjesë e tyre, nëse kanë mundësi, t’i ulin çmimet para kohe.

“Tani për tani ulja është shumë e vogël, por reagimet janë pozitive. Më 16 mars të gjithë do të kenë ulje të çmimeve sipas masave të definuara. Ka ulje për një denarë, dy, apo tre, por nuk janë ulur siç duhet për 10 denarë. Gjithsesi, më 16 mars ajo patjetër duhet të bëhet nëse e shohim se nuk ka vullnet nga pala tjetër”, tha Bytyqi.

Sipas tij, thuajse në fund janë edhe analizat të cilat duhet të tregojnë nëse do të ngrihen çmimet e sheqerit, vezëve dhe orizit.

Përndryshe, çmimi i pastave (shpagetave dhe makaronave) do të ulet për 8-9 denarë, gjegjësisht minimum për 15%, ndërkaq ulje të çmimit prej më së paku për 10% do të ketë edhe për prodhimet e qumështit (qumësht lope me yndyrë prej 2,8%, 3,2% dhe 3,5%; gjizë; djathë lope, kos, ajkë dhe jogurt pa shtesa). Gjobat për mosrespektim të vendimit qeveritar lëvizin prej 800 deri në 10.000 euro.

Ky është vendimi i dytë për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore, pasi që më 28 shkurt Qeveria miratoi vendim për kufizimin e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë.

Për shkak këtij vendimi, bukëpjekësit filluan me bojkotin e prodhimit të bukës, megjithatë pas dy ditësh, ata e ndaluan grevën.

Në lidhje me çmimin e bukës, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka realizuar 300 kontrolle dhe ka lëshuar urdhërpagesa për objektet tregtare në vlerë prej 960.000 denarë, apo mbi 15 mijë euro për mosrespektim të vendimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button