Shaqiri: Planifikojmë të ndërtojmë 3-4 shkolla, të bëjmë rikonstruimin e 118 shkollavë, ndërtimin e 10 sallave sportive

Ndërtimi i 3-4 shkollave, rikonstruimin e 118 shkollavë, ndërtimin e 10 sallave sportive, kampusin e ri universitar për Universitetin “Nënë Terezëa”, si dhe vazhdimi i ndërtimit të Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinerisë Kompjuterike dhe FKF-së, janë planet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, theksoi në një intervistë për Fakulteti.mk ministri Jeton Shaqiri, transmeton Portalb.mk.

“Këtë vit kemi mbulim të njësive të reja për të cilat po zhvillohen planet mësimore, programet dhe tekstet shkollore, të cilat patjetër duhen të jenë gati dhe të disponueshme para 1 shtatorit. Gjithashtu, do t’i përkushtohemi përmirësimit të infrastrukturës arsimore, jo vetëm në arsimin fillor, por edhe në arsimin e mesëm dhe të lartë. Patjetër duhet të sigurojmë kushte të mira mësimore për të gjithë nxënësit dhe studentët. Është siguruar buxheti më i madh deri më tani për investime kapitale, mbi 18 milionë euro”, theksoi Shaqiri.

Për Shaqirin, administrimi në sektorin e këtillë, siç është arsimi, nuk mund të reduktohet vetëm në punë kabineti, përkundrazi, duhet të dalësh në terren, të përballesh dhe të bisedosh me të gjithë faktorët e sferës përmes vizitave të rregullta nëpër shkolla, komunikimit të rregullt me udhëheqësinë e shkollave dhe me vetë komunat, sepse kështu dhe përmes komunikimit të vazhdueshëm zbulohen më së miri sfidat e procesit arsimor, u shpreh ai.

“Kam parë shkolla moderne, por edhe shkolla ku kushtet e mësimdhënies janë në pragun më të ulët të shkallës së cilësisë. Shkolla kapacitetet e të cilave shfrytëzohen dhe kanë numër më të madh nxënësish dhe shkolla të cilat janë pothuajse të zbrazëta, ndërsa bëjnë shpenzime të mëdha. Për këtë kemi filluar proces për optimizimin e rrjetit të shkollave, për të përdorur burimet financiare, materiale dhe njerëzore në dispozicion. Jemi duke u përballur edhe me avancimin e legjislacionit, pra ndryshimet dhe miratimin e një sërë zgjidhjesh të reja ligjore për arsimin e mesëm, për arsimin dhe aftësimin profesional, për arsimin e të rriturve, ligjit të ri për tekstet shkollore dhe ligjit për arsimin e lartë me qëllim të sigurimit të drejtës dhe mundësis për qytetarët tanë në fushën e arsimit”, shtoi Shaqiri.

Përndryshe, arsimi në Maqedoninë e Veriut ka pasur turbulenca. Cilësia e tij është e diskutueshme për shkak të mënyrës se si zhvillohet, si pasojë e kërcënimeve me bomba, mungesë librash, libra me gabime dhe çështje të tjera.

Tani, një grup i përbërë nga përfaqësues të disa institucioneve dhe palëve të interesuara në procesin edukativo-arsimor është duke punuar në përgatitjen e draft versionit të parë të Ligjit të ri për tekstet shkollore në shkollat ​​fillore dhe të mesme.

Librat me gabime nuk janë një “fenomen” i rrallë në Maqedoninë e Veriut. Libri i Gjeografisë për vitin e II, qëndroi me vite në kurrikulat mësimore edhe pse kishte përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve. Pavarësisht se shumë shpesh i ri-aktualizuar si problem dhe pavarësisht se shpesh në krye të MASh-it qëndronin ministra shqiptar, problemi përsëri nuk gjente zgjidhje. I njëjti tekst më në fund u tërhoq në mars të vitit 2021, ku pas konstatimeve të Komisionit recenezus vendimi për tu tërhequr ky libër nga kurikulat mësimore u nënshkrua nga ministrja e atëhershme e arsimit Milla Carovska. Për ekzistencën e këtij libri skandaloz, ku shqiptarët fyhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka pasur ndër vite arsyetime me bollëk, por zero përgjegjësi. Askush prej askujt, tekstualisht, nuk kërkoi përgjegjësi për miratimin apo lëshimin në përdorim të këtij libri dhe librave si ky. Udhëheqësit politik, janë shprehur vetëm se këto libra do të ndryshohen, por vetëm kaq, llogaridhënia nuk përmendet për asnjë moment.

Përgjegjësia për lëshimin e një libri të tillë bie mbi disa instiucione arsimore, duke filluar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe organi i saj – Njësia për Shërbim Pedagogjik, Komisioni Nacional, si dhe Byroja për Zhvillim të Arsimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button