RMV, libri i gjeografisë në të cilin fyhen shqiptarët është tërhequr nga përdorimi

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska në rrjetin social Facebook, njoftoi se libri i gjeografisë për vitet e dyta – gjimnaz është tërhequr nga përdorimi. Libri në fjalë fyente shqiptarët në disa pjesë të tij, njofton Portalb.mk.

“Komisioni ka konstatuar se libri është i mbingarkuar me të dhëna statistikore dhe të dhëna tjera të cilat nuk i përgjigjen në mënyrë përkatëse qasjes didaktike-metodike për moshën e fëmijëve. Gjithashtu, në disa njësi mësimore në libër janë të shkelura parimet e paprekshmërisë së kulturës, historisë dhe vlerave tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është në kundërshtim me Ligjin për Libra për Shkolla Fillore dhe të Mesme”, informon Carovska, e cila është takuar me zëvendësin e saj, Arafat Shabani për ta informuar për këtë vendim.

Nga MASH thonë se në kuadër të planit për reformim të tërësishëm të sistemit nacional arsimor, një prej hapave kyçe është sigurimi i librave kualitative dhe përmbajtjeve mësimore në shkollimin fillor dhe të mesëm.

“Lëshimet që janë bërë ndër vite në shumë libra dhe materiale, me reformat tërësisht do të largohen dhe do të zgjidhen sistematikisht. Ligji i ri për materiale didaktike dhe libra është publikuar në ENER dhe me atë do të parandalohet që këso përmbajtje të përfshihen në libra”, thotë ministrja Carovska.

Në librin Gjeografia për vitin e dytë në gjimnaz, sipas hulumtimit të Portalb.mk, ka shtatë momente kontestuese të historisë së Maqedonisë. Aty ofendohen edhe shqiptarët.

  1. Faqja 99 thotë: Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit.
  2. Në shumë pjesë të librit, përfshirë edhe faqen 104, thuhet se: Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780.
  3. Në faqen 104 ka pika të përbashkëta me “Serdarot” të Gligor Përliçev ku thuhet se: Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke.
  4. Në faqen 103: Shqipëria shfaqet si okupatore e Maqedonisë Perëndimore.
  5. Në faqen 105: Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia.
  6. Në faqen 84 dhe 85 në pjesën e definimit të Maqedonisë antike dhe të sotme, figurativisht dhjetëra herë “lind” dhe “vdes” shteti i Maqedonisë, kjo paraqet pengesë për krijimin e një pasqyre të qartë të historisë së Maqedonisë.
  7. Gabime bëhen edhe me prejardhjen e pakicave, ngaqë aty futen të gjithë të ardhurit, duke krijuar idenë se në Maqedoni nuk ka popull autokton.

Nga tekstet paraprakë në lidhje me temën në fjalë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button