Pich: Qytetarët e shohin korrupsionin si problem kyç në vend, ndërsa qeveria duhet të tregojë se po merret me këtë problem

Qytetarët e Maqedonisë e perceptojnë korrupsionin si një nga problemet kryesore në vend dhe qeveria duhet të tregojë se po përballet me këtë problem, tha në një intervistë për MIA-n, përfaqësuesi special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, transmeton Portalb.mk.

“Anketat këtu tregojnë se publiku, qytetarët e Maqedonasë së Veriut e perceptojnë korrupsionin si problem. Qeveria duhet të tregojë se po merret me këtë problem. Të kesh një sistem emërimesh të pavarur të bazuar në merita, për shembull një proces transparent përzgjedhjeje për postet kyçe, duke përfshirë gjyqtarët, anëtarët e Komisionit Kundër Diskriminimit dhe pozitat e larta drejtuese, është një fillim i mirë, së bashku me nevojën për transparencë dhe llogaridhënie në shumë institucione publike”, theksoi Pich, i cili vizitoi vendin këtë javë dhe zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të shtetit.

Ai në intervistën për MIA-n deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mbështet agjendën ambicioze reformuese të Maqedonisë, duke përfshirë edhe reformat që duhet të zbatohen për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Lord Peach shtoi gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar e mbështet financiarisht Maqedoninë në trajtimin e këtyre aspekteve përmes disa programeve.

I dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore për Ballkanin Perëndimor, Lord Stjuart Piç më 6 dhe 7 mars, në takimet e tij me krerët e vendit, bisedoi për vazhdimësinë e negociatave të RMV-së me BE-në, stabilitetin e rajonit dhe miqësinë mes dy vendeve.

Ndryshe për korrupsionin dje foli edhe ambasadori evropian i cili theksoi se nuk ka tolerancë dhe nuk bëhet fjalë për identifikimin e individëve, por për ndryshimin e sistemit.

“Çështja e korrupsionit është shumë e rëndësishme që shkon në thelb të procesit të anëtarësimit. Është shumë e rëndësishme që ne e kemi përfshirë në bazat. Shqyrtojmë luftën kundër korrupsionit dhe përpiqemi ta luftojmë atë në çdo fazë të të gjithë procesit. Këtu nuk bëhet fjalë për identifikimin e individëve por për ndryshimin e sistemit në mënyrë që institucionet të luftojnë, të merren me korrupsionin dhe t’i bëjnë të gjithë të kuptojnë se nuk ka tolerancë për korrupsionin. Është një proces afatgjatë në të cilin ne jemi të përfshirë dhe kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur atje. Qeveria ka rolin drejtues, por ka edhe të tjerë, si shoqëria civile, bizneset dhe partitë politike. Por jo, nuk kam njohuri për individët që mund të jenë ose jo objektiv i sanksioneve”, tha Geer, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencë për media pas fjalimeve zyrtare në Qeveri me rastin e mbështetjes buxhetore prej 80 milionë euro nga BE-ja për t’u përballur me krizën energjetike.

Lidhur mbi këtë temë janë deklaruar edhe ambasadoret e ShBA-së, Suedisë dhe Gjermanisë. Ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler tha se “forcimi i gjyqësorit në vend, në të gjitha nivelet, është prioritet kryesor për Ambasadën amerikane, për mua personalisht dhe për Uashingtonin”.

Nga ana tjetër ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ami Larson Jain, vendi i së cilës është kryesues aktual i BE-së, në një intervistë për MIA-n tha se korrupsioni është gërryes për shoqërinë dhe se vendi duhet të merret me të dhe klientelizmin për të parandaluar daljen e të rinjve të talentuar.

“Reformat e gjera janë vërtet kyçe për përgatitjen e vendit për anëtarësimin në BE. Reformat i referohen legjislacionit, por edhe implementimit dhe zbatimit efektiv të ligjeve. Pa këtë, vendi thjesht nuk do të jetë gati të hyjë në komunitetin më të avancuar ekonomik dhe politik në botë. Do të jetë një proces transformues dhe do të kërkojë punë dhe vendosmëri, por nga reformat do të përfitojnë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, thotë Larson Jain.

Ndëkohë, ambasadorja e Gjermanisë, Anke Holstein, kur është shprehur për korrupsionin në RMV theksoi se të gjithë duhet të mësojnë se si të luftojnë korrupsionin, përfshirë edhe qytetarët.

“Ka shumë gjëra që duhet të bëhen, dhe ky është rasti me Maqedoninë e Veriut dhe këtë e tha edhe presidenti im gjatë vizitës së tij. Varësisht se sa shpejt Maqedonia e Veriut do të bëjë përparim në rrugën e saj drejt BE-së varet nga sa shpejt do të zbatohen reformat. Dhe të gjithë jemi dakord që kjo është një detyrë veçanërisht e vështirë përpara, dhe kjo vlen jo vetëm për politikanët, por edhe për të gjithë njerëzit që duhet të kuptojnë se kur shkojnë te mjeku, nuk duhet të lënë kartëmonedhë në pallton e tij, ose nga ana tjetër, mësuesja duhet të dijë se nuk duhet të marrë dhuratë nga nxënësi për 8 Marsin, për të pasur një notë më të mirë. Të gjithë duhet të mësojnë, si më i vogli ashtu edhe më i madhi, se si bëhet lufta kundër korrupsionit”, tha ambasadorja.

Kujtojmë se në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit, të cilin e përpilon çdo vit organizata Trasparency International, këtë vit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 85-të, nga 180 vende sa janë në listë, një pozitë më lart në krahasim me vitin e kaluar.

Edhe pse ka qenë pjesë e programeve partiake të të gjitha partive politike, korrupsioni në Maqedoninë e Veriut sipas të gjitha indikacioneve vazhdon të “lulëzojë”. Se korrupsioni nuk është luftuar mjaftueshëm edhe nga kjo Qeveri edhe përkundër zotimeve të shumta, këtë e konfirmoi edhe raporti i fundit i Transparency International.

Kur bëhet fjalë për besimin tek institucionet, në vitin 2022 qytetarët i besuan më së shumti Armatës. Nga ana tjetër, gjyqësori mbeti në fund, konstaton hulumtimi i “Eurometer” për vitin 2022, i cili u prezantua nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink. Edhe në vitin 2022 më së paku besim nga qytetarët ka gjyqësori, vetëm 6 për qind, ndërsa këtu është edhe prokuroria me 7 përqind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button