“Eurometer”: Vetëm 49 për qind e qytetarëve konsiderojnë se anëtarësimi në BE është gjë e mirë – Armata më e besueshme, më pak gjyqësia dhe prokuroria

Rënie të madhe të mbështetjes për integrimet evropiane të vendit konstaton hulumtimi i “Eurometer” për vitin 2022, i cili u prezantua sot nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink”. Në vitin 2022, numri i qytetarëve që e konsiderojnë anëtarësimin në BE si një gjë të mirë është ulur me 20 për qind krahasuar me vitin 2021, transmeton Portalb.mk.

“Në pyetjen nëse të anketuarit mendojnë se anëtarësimi në BE është një gjë e mirë për vendin, 49 për qind janë përgjigjur pozitivisht, që është niveli më i ulët që nga viti 2014 dhe një rënie e fortë prej 20 pikë përqindjeje në krahasim me vitin 2021. Vlerësimi i marrëdhënieve të BE-së si ‘të drejta, miqësore dhe korrekte’ arrin në 17 për qind krahasuar me 30 për qind të matur në vitin 2021, dhe se marrëdhënia e BE-së është ‘e padrejtë, arrogante dhe shantazhuese’ konsiderohet me 65 për qind krahasuar me 48 për qind të matur në 2021”, njoftoi “Eurothink”.

Në anën tjetër, të pyetur nëse “BE është alternativa më e mirë” apo “Maqedonia duhet të kërkojë modelin e saj të zhvillimit jashtë BE-së?”, 58 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se BE-ja është alternativa më e mirë, ndërsa 33 për qind besojnë se duhet kërkuar një tjetër model.

Sipas rezultateve të një pyetjeje tjetër lidhur me BE-në, 29 për qind e qytetarëve besojnë se vendi nuk do të hyjë kurrë në BE. 12 për qind besojnë se hyrja në BE mund të ndodhë në 5 vitet e ardhshme, dhe 16 për qind besojnë se do të jetë në 5-9 vjet.

61 për qind e të anketuarve besojnë se në vend nuk ka demokraci

Kur bëhet fjalë për perceptimin e vlerave themelore shoqërore, anketa tregon se 61 për qind e të anketuarve besojnë se nuk ka demokraci në vend.

Pakënaqësi e madhe e përgjithshme reflektohet edhe në opinionin e qytetarëve për drejtimin e shtetit, ku 72 për qind besojnë se Maqedonia e Veriut po lëviz në drejtim të gabuar”, tregojnë rezultatet në “Eurometer”.

Qytetarët të ndarë në qëndrimin nëse Maqedonia do të ndryshojë Kushtetutën

Pjesë e hulumtimit ishte edhe pyetja nëse të anketuarit mendojnë se vendi do të ndryshojë Kushtetutën në vitin 2023 dhe do të vazhdojë negociatat. Rezultatet tregojnë ndarje në qëndrime.

Në veçanti, 38 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me “po” dhe 39 për qind janë përgjigjur “jo”. “Nuk e di”, kanë thënë, nga ana tjetër 21 për qind e të anketuarve.

Serbia miku më i madh, Bullgaria kërcënimi më i madh

Kush janë miqtë më të mëdhenj dhe kush është kërcënimi më i madh për vendin, ishte një nga temat e trajtuara në anketë.

Sipas rezultateve, 37 për qind e të anketuarve kanë përmendur Serbinë si përgjigje në pyetjen “Cili vend apo organizatë ndërkombëtare është miku më i madh i Maqedonisë”.

E dyta në listë me 11.4 për qind janë SHBA-të, më pas Turqia me 8.4, më pas BE me 8.1, Gjermania me 4 për qind etj.

Është interesante se 11.6 për qind janë përgjigjur se vendi nuk ka miq.

Nga ana tjetër, disa nga pyetjet kanë të bëjnë edhe me atë nëse ekziston dhe cili është kërcënimi më i madh për Maqedoninë e Veriut.

42 për qind e të anketuarve janë shprehur se besojnë se ekziston ndonjë shtet apo organizatë ndërkombëtare që paraqet rrezik për Maqedoninë, ndërsa 53 për qind besojnë se nuk ka.

Nga ata që konsiderojnë se një shtet apo një organizatë ndërkombëtare paraqet kërcënim për shtetin, 27,4 për qind kanë treguar për Bullgarinë.

Katër përqind e të anketuarve përmendën Rusinë.

Armata me më shumë besim, gjyqësia dhe prokuroria me më pak besim

Kur bëhet fjalë për besimin tek institucionet, në vitin 2022 qytetarët i besuan më së shumti Armatës.

“Qytetarët kanë besimin më të lartë në Ushtri, 39 për qind, që megjithatë përbën rënie nga 47 për qind e vitit të kaluar. Pasojnë institucionet fetare me 32 për qind dhe menjëherë pas tyre është policia me 21 për qind”, shkruan “Eurothink”.

Nga ana tjetër, gjyqësori mbeti në fund. Edhe në vitin 2022 më së paku besim nga qytetarët ka gjyqësori, vetëm 6 për qind, ndërsa këtu është edhe prokuroria me 7 për qind.

Hulumtimi i “Eurometer” është realizuar përmes telefonit nga “Brima” në periudhën 12 dhjetor deri më 27 dhjetor 2022 në një kampion përfaqësues prej 1006 të anketuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button