Aliu ministri i 6-të i MSHIA-së, Aliti më së paku qëndroi në kolltukun e ministrit, por kishte buxhet më të madh (Infografik)

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës së Maqedonisë së Veriut (MSHIA) për rreth 15 vjet apo prej vitit 2008 e deri më sot, ka pasur 6 ministra, pothuajse nga të gjitha partitë e vendit. Stazh më të gjatë në pozitën e kreut të kësaj ministrie ka Ivo Ivanovski nga VMRO-DPMNE me 7 vjet, i cili njëkohësisht është ministri i vetëm që e ka mbajtur një mandat të plotë. Ndërkaq, më pak ditë ka qëndruar në kolltukun e ministrit, Admirim Aliti nga Alternativa, gjegjësisht vetëm 1 vjet, shkruan Portalb.mk.

MSHIA është njëra prej ministrive që më së shpeshti i është ndërruar kreu i saj, varësisht prej marrëveshjeve koalicionuese të partnerëve qeveritar. Azir Aliu është ministri më i ri i MSHIA-së, i gjashti me radhë që prej vitit 2008-të, i cili u emërua në vend të Admirim Alitit. Në tre vitet e fundit, kjo ministri ka pasur 3 ministra, ndërkaq prej themelimit në këtë kolltuk janë ulur 2 kuadro të VMRO-DPMNE-së, 1 i LSDM-së, 1 i BDI-së, 1 i Alternativës dhe tani edhe i Aleancës për Shqiptarët.

Ministrat e MSHIA-së
Ministrat e MSHIA-së
  1. Ivo Ivanovski nga VMRO-DPMNE: 1 gusht 2008 – 15 shtator 2015 apo 2601 ditë (7 vjet e 1 muaj)
  2. Marta Arsovska-Tomovska nga VMRO-DPMNE: 16 shtator 2015 – 31 maj 2017 apo 623 ditë (1 vjet e 8 muaj)
  3. Damjan Mançevski nga LSDM: 1 qershor 2017 – 31 gusht 2020 apo 1.187 ditë (3 vjet e dy muaj)
  4. Jeton Shaqiri nga BDI: 1 shtator 2020 – 15 janar 2022 apo 501 ditë (1 vjet e 4 muaj)
  5. Admirim Aliti nga Alternativa: 16 janar 2022 – 27 shkurt 2023 apo 407 ditë (1 vjet e 1 muaj)
  6. Azir Aliu nga Aleanca për Shqiptarët prej 27 shkurt 2023…

Portalb.mk, gjithashtu ka siguruar të dhëna për lartësinë e buxheteve të miratuara ndër vite. Gjegjësisht, buxheti më i lartë i kësaj ministrie është gjatë vitit 2022 prej 27.6 milionë euro, ndërkaq më i ulëti në vitin 2015-të, vetëm 4.6 milionë euro.

Për detaje shiheni infografikun e mëposhtëm të llogaritura në milionë euro

Buxhetet MSHIA
Buxhetet MSHIA

Duhet rikujtuar se pjesa më e madhe e buxhetit, të MSHIA-së shkon për subvencionimin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Radiofuzionin Nacional dhe Radio Televizionin Nacional. Për shembull, në buxhetin e vitit 2023 prej gjithsej 26.2 milionë eurove, rreth 14.5 milionë euro do të shkojnë për këto institucione.

Ndërrimi i shpeshtë i ministrave, pengon në realizimin e plotë dhe mbajtjen e llogaridhënies, gjegjësisht, njëri ministër e fillon një projekt, ndërkaq tjetri nuk mban llogari për mosrealizim të të njëjtit. Rast i tillë ishte heqja dorë nga iniciativa e transferimit të administratorëve nga sektori publik në atë privat. Siç shkruajti Portalb.mk, këtë iniciativë e nisi ministri Damjan Mançevski, ndërkaq u zbeh pasi erdhi ministri Jeton Shaqiri, ndërkaq krejt në fund u shua me ardhjen e ministrit Admirim Aliti.

Kjo nuk ishte e vetmja iniciativë, që njëherë promovohet dhe pastaj shuhet.

Me rekomandim të Qeverisë, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës hoqi dorë edhe nga dokumentomatet dhe siç njoftuan, në vend të tyre do të investohet në portalin për shërbime elektronike dhe në projektin me Postat e Maqedonisë ku në filialet e tyre do të hapen “Një pikë për shërbime”.

Portalb.mk, në tekstin për reformat e administratës për vitin 2022, shkruajti se Maqedonia e Veriut vazhdon të bëjë përpjekje për reformimin e administratës, pavarësisht se premtimet e njëjta sillen me vite dhe assesi nuk po realizohen dhe nuk po bëhen të prekshme për qytetarët. Administrata publike gjatë vitit 2022, ashtu sikur gjatë vitit 2021, ishte në qendër të kritikave se reformat nuk po zhvillohen me dinamikën e nevojshme. Administrata ende përballet me partizim të institucioneve dhe mungesë të kuadrit profesional, si dhe me shërbime jo-efikase dhe procedura pjesërisht të digjitalizuara.

Reformat në administratë për Maqedoninë e Veriut, përveç që janë nevojë për qytetarët, ata janë edhe kusht për integrimin e vendit në BE. MSHIA është bartësi i procesit reformues, gjegjësisht ajo ka hartuar Strategji për Reformën e Administratës Publike 2018–2022 e cila i përcakton masat të cilat duhen të ndërmerren në pesë vite për të arritur qëllimet e përgjithshme dhe specifike të përcaktuara në secilën prej fushave prioritare. Në ndërkohë po përgatitet edhe Strategjia për Reformën e Administratës Publike 2022-2030 e cila duhet të miratohet deri në fund të vitit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button