Me rekomandim të Qeverisë së RMV-së, MSHIA ka hequr dorë nga dokumentomatet

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës nuk do të vendos dokumentomate, gjegjësisht aparate për nxjerrjen e dokumenteve, por në vend të tyre do të investohet në portalin për shërbime elektronike dhe në projektin me Postat e Maqedonisë ku në filialet e tyre do të hapen “Një pikë për shërbime”, njofton Portalb.mk.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri sot konfirmoi për Portalb.mk, se pas rekomandimit të Grupit ndërsektorial për digjitalizim, mjetet për blerjen e dokumentomateve do t’i ridestinojnë për mbindërtimin e portalit për e-shërbime

Jeton Shaqiri, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Jeton Shaqiri, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

“Grupi ndërsektorial për digjitalizim, në analizën që e kanë bërë në procesin për dokumentomatet ose vendosjen e tyre, kanë konstatuar se me ato mjete do të mundemi më mirë ta mbindërtojmë më shumë portalin për shërbime elektronike dhe njëkohësisht qytetarët më shumë do të kenë dobi se sa nga dokumentomatet, pasi që qëllimi ynë kryesor është digjitalizimi i plotë. Gjithashtu për marrjen e dokumenteve kemi bashkëpunim të mirë me postat e Maqedonisë ku në të gjitha përfaqësitë e postave të RMV-së në periudhën e ardhshme do të zhvillohet koncepti i një pikë për shërbime ku qytetarët do të munden t’i marrin dokumentet e nevojshme në këto institucione”, tha ministri Shaqiri.

Sipas MSHIA-së, investimi në projektin me Postën e Maqedonisë është sepse ajo ka filiale edhe në vendet rurale.

Rikujtojmë se paraprakisht, ministri Shaiqir paralajmëroi vendosjen e disa dokumentomateve në disa lokacione dhe asokohe arsyetoi se kjo zgjidhje e zëvendëson forcën punëtore.

“Kemi paraparë ofrimin e dokumentomateve të cilat i kemi promovuar. Gjatë vitit 2021 kemi paraparë vendosjen e tre dokumentomateve që do të zëvendësojnë “një pikë shërbimeve”, pasi që në kuadër “një pikë shërbimeve”, përveç se kemi investime kemi edhe resurse njerëzore, punëtorë të cilët janë të punësuar dhe zgjerimi i tyre në tërë territorin do të ndikojë në rritjen e të punësuarve në ministri. Dokumentomatet zëvendësojnë edhe forcën punëtore, por në të njëjtën kohë duhet të mirëmbahen për dokumentet të cilat mund të merren”, tha Shaqiri në intervistën për Portalb.mk më 5 qershor të këtij viti.

Ndryshe në vendin tonë nuk janë në përdorim dokumentomatet, në përjashtim të Komunës së Gostivarit, e cila është e vetmja që nëpërmjet “e-kioskut” qytetarët mund të nxjerrin dokumente të caktuara apo të paguajnë fatura.

Vendosja e-kioskut vlerësohet të jetë një hap para digjitalizimit të shërbimeve elektronike nëpër komuna, por kjo para se gjithash duhet të bëhet edhe në nivel qendror, gjegjësisht në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë apo Drejtorisë për Menaxhim me Librat Amë, të cilat japin dokumente personale, certifikatë të lindjes, vdekjes, martesës, nënshtetësi e kështu me radhë.

Nxjerrjen e dokumenteve nëpërmjet e-kioskut tanimë 3 vite po e përdor Komuna e Prishtinës dhe siç tregoi nënkryetari Muhedin Nushi në konferencën e-Shoqëri.mk (dhjetor 202), funksionon shumë mirë dhe qytetarët e kanë mirëpritur.

Hulumtimi i Portalb.mk, në lidhje me dhënien shërbimeve elektronike në Maqedoninë e Veriut tregoi se shteti ynë është 10 vite mbrapa Bashkimit Evropian në këtë fushë. Banorët kanë vështirësi në nxjerrjen e dokumenteve “vetëm me një klikim në internet”, pasi që shteti ofron shërbime të kufizuara elektronike.

Lexo hulumtimin e Portalb.mk për shërbimet elektronike:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button