RMV, çdo ministër u lavdërua dhe u fotografua për projektin “Një pikë për shërbime” por ai asnjëherë nuk ishte i suksesshëm

Zyrat “Një pikë për shërbime” të cilat u hapën Shkup, Kumanovë, Ohër, Manastir dhe Tetovë me qëllim që qytetarët t’i thonë “lamtumirë” pritjes në sportele, do të mbyllen dhe në vend të tyre do të hapen 333 sportele në filialet e Postës. Deri dje qeveritarët e promovonin si “projekt të suksesshëm” e madje lavdëroheshin para shteteve tjera për atë se si për “më pak se një minutë” qytetarët shërbehen me dokumente në një vend të vetëm, dhe pasi Enti Shtetëror i Revizionit u dha “dush të ftohtë” duke njoftuar se këto zyra në fakt kanë dhënë shumë pak dokumente, u njoftua se do të mbyllen. Portalb.mk dëshmon sesi ky projekt i promovuar dhe vazhdimisht i lavdëruar, në fakt nuk ka funksionuar. Të dhënat tregojnë se vetëm për një vit, në mbarë Maqedoninë e Veriut janë dhënë vetëm 1.062 dokumente, shkruan Portalb.mk.

“Një pikë për shërbime” është projekt i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) i cili është paralajmëruar prej vitit 2017-të, ndërkaq zyra e parë u hap para katër viteve, gjegjësisht në vitin 2019-të në kohën kur me ministrinë udhëhiqte Damjan Mançevski në kabinetin e kryeministrit Zoran Zaev.

Nëpërmjet analizës së mëposhtme, Portalb.mk dëshmon sesi ky projekt i promovuar dhe vazhdimisht i lavdëruar, në fakt nuk ka funksionuar. Energjia dhe resurset e harxhuara për këtë projekt, mbase do të ishin më të dobishme nëse do të investoheshin në reforma reale në administratë dhe qytetarët nuk do të shihnin “iluzionet” e qeveritarëve ku para mediave nxjerrin “vërtetime stazhi” për një minutë, ndërkaq para sporteleve presin me orë të tëra.

Në vitin 2021, Portalb.mk ka testuar nxjerrjen e dokumenteve nga këto dhe vërejti se “Një pikë shërbime” nuk nënkupton që qytetari i merr dokumentet e nevojshme në një sportel, por në një ndërtesë ndodhen disa institucione ku kanë sportelet e tyre dhe qytetarët veç e veç duhet të presin për marrjen e çdo dokumenti.

Të dhënat katastrofike për “Zyrat një pikë për shërbime”

mars të këtij viti, Enti Shtetëror për Revizion publikoi raportin për e revizionit për “Reformat në administratën publike”, në të cilën, ata kanë kontrolluar dhe projektin e “Një pikë për shërbime”, ku sipas të njëjtit këto zyra kanë ofruar vetëm 1.062 dokumente për 1 vit.

Në raport, thuhet se fillimisht qytetarët kanë mundur të marrin 10 shërbime, por më vonë, pavarësisht paralajmërimeve të qeveritarëve për rritje të shërbimeve, ata këtë numër e kanë ulur në 7. Ata njoftojnë edhe për numrin e ulët të dokumenteve të lëshuara nga këto zyra, gjegjësisht prej qershorit të vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022 janë dhënë vetëm 1.062 dokumente.

Skrin shot nga raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për reformat në administratën publike
Screenshot nga raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për reformat në administratën publike

“Nga ana e personave përgjegjës në MSHIA, nuk janë analizuar arsyet për numrin e ulët të dokumenteve të lëshuara, që e zvogëlon efikasitetin e masës, por edhe ndikimin e arsyetimit të resurseve financiare dhe njerëzore për funksionimin e të njëjtave dhe gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin e problemit”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se dinamika e ngadaltë e vendosjes së plotë të konceptit të “sistemit një sportel” për ofrimin e shërbimeve për qytetarët nuk mundëson plotësim efikas të projektit “Një pikë për shërbime” dhe qasje e qytetarëve deri te shërbimet e institucionet publike dhe shtetërore në një vend.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në pesë pikat e “Një pikë për shërbime” ka të punësuar 23 të punësuar. Gjegjësisht, më së shumti ka në Tetovë 9, Kumanovë 6, Manastir 5, ndërkaq në Shkup dhe Ohër nga 4.

Ueb-faqja e zyrave “Një pikë për shërbime” nuk ka të dhëna se sa dokumente kanë lëshuar prej hapjes së zyrës së parë, por vetëm raporte mujore nga sistemi “Merr numër”, gjegjësisht për atë se sa tiketa gjithsej janë lëshuar apo sa qytetarë kanë marrë nga aparatet elektronike numër për të pritur në radhë; sa prej tyre janë shërbyer dhe çfarë vlerësimi kanë dhënë për shërbimin e marrë.

Për këtë kërkuam informata shtesë nga MSHIA, të cilët na dorëzuan të dhëna tabelare për lëshimin e dokumenteve prej qershorit të vitit 2021, periudhë e cila është theksuar në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.

Sipas të dhënave, gjatë periudhës qershor 2021 – qershor 2022, Zyra në Shkup (Vetëm dy sportelet e MSHIA-së) kanë lëshuar 102 dokumente, Zyra në Tetovë 146, në Kumanovë 210, Manastir 600 dhe Ohër vetëm 4.

Nga ana tjetër, ofrimi i informatave për shërbimet është dukshëm më i madh se sa dhënia e dokumenteve. Gjegjësisht, në Shkup janë dhënë mbi 2.500 informata, Tetovë mbi 300, Kumanovë mbi 2.000, Manastir mbi 1.900, ndërkaq në Ohër mbi 300.

Nëse përpjesëtohet numri i të punësuarve me numrin e dokumenteve të ofruara i bie që çdo i punësuar ka dhënë 46 dokumente për 1 vit apo 3,8 dokumente në muaj, ose, veç e veç në qytete:

  • Në Shkup: 4 të punësuar kanë dhënë nga 25.5 dokumente për një vit apo 2.1 dokumente në muaj
  • Në Tetovë: 9 të punësuar kanë dhënë nga 16.2 dokumente në vit apo 1.3 dokumente në muaj
  • Në Kumanovë: 6 të punësuar kanë dhënë nga 35 dokumente në vit apo 2.9 dokumente në muaj
  • Në Manastir: 5 të punësuar në kanë dhënë nga 120 dokumente në vit apo 10 dokumente në muaj
  • Në Ohër: 4 të punësuar kanë dhënë nga 1 dokument në vit apo 0.08 dokumente në muaj

Të dhënat për dorëzimin e dokumenteve dhe dhënien e informatave nga zyrat "Një pikë për shërbime" në periudhë qershor 2021-qershor 2022

Në ndërkohë, prej qershorit të vitit 2022 deri në prill të vitit 2023, numri i lëshimit të dokumenteve ka një rritje të butë, gjegjësisht janë dhënë 1.901 dokumente. Gjegjësisht, Zyrat në Shkup kanë lëshuar 520 dokumente dhe kanë dhënë mbi 5.000 informata, në Tetovë 100 dokumente dhe mbi 600 informata, në Kumanovë 600 dokumente dhe mbi 2.500 informata, në Manastir 556 dokumente dhe mbi 1.200 informata dhe në Ohër 125 dokumente dhe mbi 300 informata.

Të dhënat për dorëzimin e dokumenteve dhe dhënien e informatave nga zyrat "Një pikë për shërbime" në periudhë qershor 2022-prill 2023
Të dhënat për dorëzimin e dokumenteve dhe dhënien e informatave nga zyrat “Një pikë për shërbime” në periudhë qershor 2022-prill 2023

Nëse përpjesëtohet numri i të punësuarve me numrin e dokumenteve të ofruara i bie që çdo i punësuar ka dhënë 82 dokumente për 1 vit apo 6,8 në muaj, ose, veç e veç në qytete:

  • Në Shkup: 4 të punësuar kanë dhënë nga 130 dokumente për një vit apo 10.8 dokumente në muaj
  • Në Tetovë: 9 të punësuar kanë dhënë nga 11.1 dokumente në vit apo 0.92 dokumente në muaj
  • Në Kumanovë: 6 të punësuar kanë dhënë nga 100 dokumente në vit apo 8.3 dokumente në muaj
  • Në Manastir: 5 të punësuar në kanë dhënë nga 111.2 dokumente në vit apo 9.2 dokumente në muaj
  • Në Ohër: 4 të punësuar kanë dhënë nga 31.25 dokument në vit apo 2.6 dokumente në muaj

2017-2019 – Promovim pompoz “lamtumirë pritjes nëpër sportele”

Promovimi i këtyre zyrave u bë më 20 shkurt të vitit 2019-të, kur në mënyrë pompoze, i tërë kabineti qeveritar në krye me kryeministrin Zaev, hapën zyrën e parë në Shkup. Qeveritarët paralajmëruan se qytetarët tani e tutje do të munden të marrin shërbime në një vend nga 10 institucione dhe do t’i thonë “lamtumirë” pritjes nëpër sportele.

“Qëllimi do të arrihet kur në mbarë vendin, çdo qytetar do të mundet të ketë shërbim publik me kualitet të lartë”, tha Zaev gjatë promovimit.

“Qëllimi ynë është që ta ndërrojmë imazhin e administratës publike nëpërmjet ndryshimit të mënyrës nëpërmjet të cilës qytetarët dhe ndërmarrjet i marrin shërbimet. Ky është vetëm fillimi”, tha ministri Mançevski.

Siç njoftuan qeveritarët, aty parashihej të jepen 10 shërbime nga institucionet të ndryshme – Ministrisë së Punëve të Brendshme, Transportit dhe Lidhjeve, Punë dhe Politikë Sociale, Drejtorisë për Librat Amë, Agjencisë për Kadastër dhe Pronë të Patundshme, Agjencisë për Punësim, Drejtorisë për të Ardhurat Publike, Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Regjistrit Qendror.

Ministri Mançevski në vazhdimësi ka vijuar ta lavdërojë projektin, derisa pritej hapja e zyrave në qytetet tjera. Më 16 qershor të vitit 2020, ai tha se “Një pikë për shërbime” është një shembull se si një sallë kryen shërbime publike ndaj qytetarët, me kushte sipas standardeve të reja.

“Sportelet janë e kaluar, punëtorët punojnë në atmosferë miqësore, ndërsa qytetarët nuk do të jenë pjesë e radhëve të gjata në sportele”, deklaroi Mançevski.

22 qershor të vitit 2020 filloi me punë zyra “Një pikë për shërbime”, ku gjatë vizitës, ministri Mançevski tha se ideja është të mos ketë pritje.

2020-2021 – Hapje e zyrave të reja, investim në vend të dokumentomateve

Me largimin e Mançevskit të LSDM-së, në pozitën e ministrit, në shtator të vitit 2020, erdhi Jeton Shaqiri nga BDI.

Katër muaj pas ardhjes së tij në pozitën e ministrit, gjegjësisht në fund të janarit të vitit 2021 ai mori pjesë në promovimin e “Zyrës një pikë për shërbime” në Kumanovë, bashkë me kryetarin e komunës, Maksim Dimitrievski.

“…Kjo pikë për shërbime u mundëson qytetarëve që të marrin shërbime dhe informata nga institucionet shtetërore dhe publike. Unë personalisht kërkova dy lloje të dokumenteve nga institucione të ndryshme dhe në vend që të shkoj të kërkoj shërbim në dy institucione kurseva kohë dhe u shërbeva në qendrën për kohë shumë të shkurtër”, deklaroi ministri Shaqiri gjatë vizitës në Kumanovë.

16 prill të vitit 2021, ministri Shaqiri gjatë një takimi me kryetarin e Strugës, Ramiz Merko, paralajmëroi hapjen e zyrës “Një pikë për shërbime” edhe në Strugë.

“Kryetari, Ramiz Merko, ka siguruar lokacionin për qendrën “Një pikë për shërbime” në ambientet e Komunës së Strugës. Pas sigurimit të lokacionit, ne do të përshpejtojmë procedurat dhe do përpiqemi ta kemi gati këtë pikë për një kohë të shkurtë, në mënyrë që të ofrojmë shërbime cilësore sa më shpejt për qytetarët e Strugës. Në këtë pikë, qytetarët e Strugës do të mund të marrin shërbime nga institucione të ndryshme në një sportel të vetëm”, njoftoi Shaqiri.

Megjithatë, kjo zyrë nuk u hap.

5 qershor të vitit 2021, ministri në një intervistë për Portalb.mk, paralajmëroi vendosjen e disa dokumentomateve në disa lokacione për të zëvendësuar “një pikë për shërbime” që të kursehen resurset.

“Kemi paraparë ofrimin e dokumentomateve të cilat i kemi promovuar. Gjatë vitit 2021 kemi paraparë vendosjen e tre dokumentomateve që do të zëvendësojnë “një pikë shërbimeve”, pasi që në kuadër “një pikë shërbimeve”, përveç se kemi investime kemi edhe resurse njerëzore, punëtorë të cilët janë të punësuar dhe zgjerimi i tyre në tërë territorin do të ndikojë në rritjen e të punësuarve në ministri. Dokumentomatet zëvendësojnë edhe forcën punëtore, por në të njëjtën kohë duhet të mirëmbahen për dokumentet të cilat mund të merren”, tha Shaqiri në intervistën për Portalb.mk më 5 qershor të vitit 2021.

17 qershor 2021 Zyra “Një pikë për shërbime” u hap edhe në Manastir, ku ministri Shaqiri, bashkë me kryetaren e komunës Natasha Petrovska dhe funksionarë tjerë realizuan vizitë.

Madje, gjatë vizitës, kryetarja e Komunës nxori vërtetim për stazhin e punës.

“…Kjo konfirmon se po bëhet fjalë për një kohë në të cilën ky shtet, me këtë qeveri dhe këto politika, po bën një hap serioz përpara në digjitalizimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe në drejtim të njohjes në botë se si duhet të funksionojë një shoqëri”, tha kryetarja e Manastirit Petrovska.

Shaqiri tha se planifikojnë të hapim qendra të ngjashme në të gjitha qytetet e vendit me popullsi prej mbi 25.000 banorësh, siç janë Strumica, Struga, Velesi, Gostivari, etj.

gusht të vitit 2021, “Një pikë për shërbime” u hap edhe në Ohër, ku gjatë vizitës ministri Shaqiri theksoi se synojnë që kjo qendër të shndërrohet në një lokacion shumë të frekuentuar ku qytetarët e Ohrit do të marrin shërbimet e kërkuara.

shtator të vitit 2021, me rekomandim të Qeverisë, u ndalua vendosja e paralajmëruar e dokumentomateve, gjegjësisht aparateve për nxjerrjen e dokumenteve, për shkak të forcimit të zyrave “Një pikë për shërbime“. Në vend të aparateve për dokumente, Qeveria mjetet duhej t’i investonte në portalin për shërbime elektronike dhe në projektin me Postat e Maqedonisë ku në filialet e tyre do të hapen sportele “Një pikë për shërbime”. Dhe prej këtu, është paralajmërimi për vendosjen e sporteleve në filialet e Postave.

2022 – U lavdëruam para bullgarëve se për një minutë merren dokumentet

Në janar të vitit 2022,  në krye të Qeverisë erdhi, Dimitar Kovaçevski, pasi Zoran Zaev dha dorëheqje. Ministri Shaqiri u zhvendos në krye të Ministrisë së Arsimit, ndërkaq në pozitën e tij erdhi ministri nga Alternativa, Admirim Aliti.

Edhe Aliti vazhdoi mbështetjen për këto zyra.

4 prill të vitit 2022, ministri Aliti bashkë me zëvendëskryeministren për Politika për Qeverisje të Mirë dhe kolegë nga delegacioni bullgar, e kryesuar nga zëvendëskryeministrja e Bullgarisë për Qeverisje të Mirë, Kalina Konstatinova e kanë vizituar zyrën “një pikë për Shërbime” në Shkup, ku janë njoftuar me funksionalitetin e saj.

Zëvendëskryeministrja Grkovska, e cila edhe vetë e ka provuar procedurën për nxjerrjen e një dokumenti nga sportelet, theksoi se “sistemi një sportel” ofron mundësi për aplikim dhe ofrim të shpejtë dhe efikas të më shumë se 70-të shërbimeve nga institucionet e ndryshme, në vetëm një vend.

Ashtu si kryetarja e Manastirit, edhe Grkovska nxori vërtetim për stazh.

“Nëpërmjet këtij sistemi, unë sot për më pak se një minutë e mora dokumentin tim – Vërtetim për stazhin e punës”, u lavdërua Grkovska para kolegëve bullgarë.

Aliti, në një intervistë për televizionin lokal TV Plus, më 29 qershor të vitit 2022 deklaroi se kumanovarët po i shfrytëzojnë shërbimet e “Një pikë për shërbime”.

“Konstatimi jonë është se një numër i madh i qytetarëve edhe nuk e dinë se ekzistojnë këto pika për shërbime. Mendoj se si ministri duhet të bëjmë më shumë për t`i informuar qytetarët se çka janë këto pika për shërbime, gjegjësisht cilat shërbime ofrohen. Kemi të punësuar tanë në ato pika, ato janë në shërbim të qytetarëve, gjegjësisht secili qytetar mundet që të shkojë te një pikë për shërbime dhe të kërkoje shërbimin e caktuar dhe të punësuarit tanë t`i ndihmojnë që të realizojnë ndonjërin prej shërbimeve“, ka deklaruar Aliti.

3 gusht të vitit 2022 Aliti e vizitoi zyrën e “Një pikë për shërbime” në Tetovë ku deklaroi se ky mbetet projekti më i dobishëm.

“Një pikë për shërbime” mbetet një nga projektet më të dobishme të MSHIA, duke qenë se është një urë lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve”, tha Aliti.

11 nëntor të vitit 2022, sekretari shtetëror në MSHIA vizitoi zyrën e “Një pikë për shërbime” në Manastir dhe tha se “interesi i qytetarëve ndaj këtyre qendrave që japin rreth 70 shërbime çdo ditë po rritet”.

2023 – Pas dështimit, u paralajmërua hapja e sporteleve “Një pikë për shërbime” në Posta

Me largimin e Alternativës nga Qeveria, Azir Aliu nga Aleanca për Shqiptarët erdhi në pozitën e ministrit të MSHIA-së. Të hënën më 27 shkurt e mori funksionin, ndërkaq, të premten më 4 mars realizoi vizitë punë në tre zyrat e “Një pikë shërbimi” në Tetovë, Manastir dhe Ohër, “për të njohur nga afër stafin dhe shërbimet që këto zyra ofrojnë për qytetarët”.

Nga Ministria nuk dërguan kumtesë, por ministria Aliu publikoi njoftim në Facebook”, shkruajti se “nga kolegët u informova për rrjedhën e punës, sugjerimet, vërejtjet dhe idetë e tyre për ti zhvilluar këto qendra”.

“Në bashkëbisedim përcolla edhe rekomandimet, gatishmërinë për të tejkaluar bashkërisht sfidat, si dhe vizionin e planet tona për të rritur efikasitetin e këtyre shërbimeve”, tha Aliu.

Derisa, Aliu “skanonte” Ministrinë, më 16 mars të vitit 2023, Enti Shtetëror për Revizion publikoi raportin për e revizionit për “Reformat në administratën publike”, në të cilën, ata kanë kontrolluar dhe projektin e “Një pikë për shërbime”, ku sipas të njëjtit këto zyra kanë ofruar vetëm 1.062 dokumente për 1 vit.

24 prill të vitit 2023 gjatë një takimi me gazetarët, për shkak të raportit të Entit Shtetëror të Revizionit, në të cilën theksohet dështimi i këtyre zyrave, ai paralajmëroi se të njëjtat do të mbyllen. Megjithatë, në vend të tyre, në 333 filialet e Postave të Maqedonisë, në mbarë vendin, do të hapen sportele të veçanta ku do të jepen shërbimet e njëjta për qytetarët nga ana e të punësuarve të Postës.

Ministri paralajmëroi që fillimisht do të bëhen ndryshime ligjore që të punësuarit e Postës të mund të japin shërbimet që i ofron zyra “Një pikë për shërbime”, ndërkaq më pas do të trajnohen dhe të punësuarit. Në vendet ku ka nevojë për kuadër, MSHIA do të ofrojë ndihmë.

Gjatë takimit me gazetarët, ai tha se brenda gjashtë muajve duhet të vendosen ngjitëset në sportele, ndërkaq në ndërkohë do të bëhen ndryshimet ligjore dhe të trajnohet kuadri.

Sipas Aliut, niveli i ulët i lëshimit të dokumenteve është për arsye të informimit të dobët të qytetarëve dhe premtoi se do të punojnë që kjo të përmirësohet.

Si funksionojnë zyrat “Një pikë për shërbime”?

maj të vitit 2021, Portalb.mk në kuadër të projektit “ICEDA” verifikoi se si funksionojnë këto zyra. Ekipi i Portalb.mk ndoqi nga afër një qytetar i cili duhej ta regjistronte foshnjën e tij dhe të merrte certifikatë të lindjes.

Shkuam për ta regjistruar foshnjën në Zyrën Rajonale për Udhëheqje me Librat Amë në Qendër të Shkupit. Zyra rajonale këtu punonte sipas sistemit “Një pikë për shërbime”. Kjo zyrë, pos regjistrimit të foshnjave, jep edhe certifikata të lindjes, vdekjes, kurorëzimit, por edhe shërbime tjera nga institucione tjera.

Sipas asaj që verifikuam, shërbimet që qytetarët mund t’i marrin në “Një pikë për shërbime” janë të ndara në sportele, ndërkaq qytetarët presin në sportele, varësisht se çfarë shërbimi kërkojnë. Sportelet i kanë numrat e tyre identifikues, ndërkaq ka një aparat i cili jep numra, nëpërmjet të cilave presin që të vijnë në radhë.

Në rastin tonë, ne morëm një numër për të pritur në sportelet 4 dhe 5, pasi që vetëm në këto dy sportele bëhej regjistrimi i të porsalindurve. Kur e morëm numrin për të pritur në radhë, e pyetëm punonjësin nëse ka shumë persona para nesh, ai pohoi se janë tre. Për vetëm tre persona para nesh, neve na u desh të presim një orë e gjysmë për ta regjistruar foshnjën.

Asokohe, për shkak KOVID-19, nuk lejohej që qytetarët të presin brenda sallës ku ndodheshin sportelet, por jashtë. Bashkë me ne, prisnin edhe dhjetëra qytetarë të tjerë dhe ishte rrëmujë e vërtetë.

Praktikisht, në disa sportele kishte shumë persona që prisnin, ndërkaq në disa të tjerë s’kishte fare dhe kjo është ajo që nënkupton “Një pikë shërbimi” – sportelet janë të shpërndara në formë të “shitoreve” dhe qytetarët vijnë i marrin shërbimet e nevojshme, por kjo krijon rrëmujë pasi që për disa shërbime ka kërkesë më të madhe, ndërkaq për disa të tjera më të vogël. Kjo do të thotë që “Një pikë e vetme për shërbime”, nuk është që qytetari shkon në një sportel dhe në po atë sportel i merr të gjitha shërbimet, por shkon në një institucion ku ka disa pika që japin shërbime të ndryshme dhe qytetari duhet të pret veç e veç për çdo pikë, nëse dëshiron të marrë shërbime nga disa pika.

Pasi na erdhi rendi, regjistrimi i foshnjës nuk zgjati më shumë se 10 minuta, ndërkaq punonjësi na tha që certifikata e lindjes mund të merret pas 1 jave në Zyrën Rajonale për Menaxhim me Librat Amë – Çair.

Ne shkuam për ta verifikuar nëse është bërë gati certifikata e lindjes, megjithatë, punonjësit nga Zyra Rajonale – Çair, na thanë që Zyra Qendrore ende nuk e ka lëshuar numrin amë, pra nuk është gati. Certifikatën e morëm pas 10 ditëve.

Nëse ky shërbim do të ishte i digjitalizuar, e njëjta do të ishte mbaruar me disa klikime për disa minuta.

Kjo storje hulumtuese është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe “Open Data Kosovo” (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storjeje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button