Banorët e Gostivarit së shpejti do të mund të paguajnë fatura dhe nxjerrin dokumente nëpërmjet e-kioskut (VIDEO)

Me ndihmën e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP), Komuna e Gostivarit ka siguruar mjete për të vënë në funksion e-kioskun, sistem elektronik në formë të bankomatit, për nxjerrjen e dokumenteve, njofton Portalb.mk.

Nga Komuna e Gostivarit, shpjegojnë që projekti ka kushtuar 12.000 dollarë, ndërkaq së shpejti i njëjti do të vihet në funksion.

“Jemi komuna e parë në Maqedoninë e Veriut që do të kemi e-kiosk për nxjerrjen e dokumenteve. Projekti është financuar nga UNDP, ndërkaq së shpejti do ta bëjmë edhe promovimin. Besoj që do ju ndihmojë shumë qytetarëve të Gostivarit”, thonë për Portalb.mk nga komuna.

Qytetarët nëpërmjet e-kioskut, siç kumtojnë autoritetet, pritet që të kryejnë disa shërbime, gjegjësisht pagesa, kërkesa për dokumentacione dhe shërbime të tjera:

  • Pagesë të ujit dhe mbeturinave,
  • Pagesë të dënimeve të parkimit zonal,
  • Pagesë të tatimeve dhe firmarinave,
  • Printim të të gjitha shablloneve që duhet plotësuar në komunë prej tek info-qendra.

“Në të ardhmen planifikojmë që të vendosim e-kiosk edhe në disa pika të komunës, për shembull te ndërmarrja në mes dy fshatrave Çegran dhe Forinë”, thonë nga Komuna.

Komuna ka publikuar dhe një video-paralajmëruese se si do të duket dhe punojë e-kiosku.

Vendosja e-kioskut është një hap para digjitalizimit të shërbimeve elektronike nëpër komuna, por kjo para se gjithash duhet të bëhet edhe në nivel qendror, gjegjësisht në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë apo Drejtorisë për Menaxhim me Librat Amë, të cilat japin dokumente personale, certifikatë të lindjes, vdekjes, martesës, nënshtetësi e kështu me radhë.

Nxjerrjen e dokumenteve nëpërmjet e-kioskut tanimë 3 vite po e përdor Komuna e Prishtinës dhe siç tregoi nënkryetari Muhedin Nushi në konferencën e-Shoqëri.mk, funksionon shumë mirë dhe qytetarët e kanë mirëpritur.

“Kishte problem me radhë të tëra dhe qytetarët pritnin me ditë për të marrë dokumente. Kjo mënyrë u prit shumë mirë nga ana e qytetarëve dhe ka fituar dy çmime ndërkombëtare. Ideja për shërbime të mira digjitale vjen nga shërbimi i bankave komerciale dhe bankomateve, prej atje ka ardhur ideja që qytetarët t’i marrin të njëjtat shërbime. Në vitin 2015-të u promovua që shkaktoi eho në shoqëri. E-kiosk ofron: certifikatë të lindjes, certifikatë për kurorëzim, nënshtetësi dhe leje për qëndrim. Është e rregulluar që nëpërmjet letërnjoftimit ose pasaportës, ju duhen vetëm 30 sekonda që ta marrin dokumentin ose shërbimin. Shërbimi është pa kontakt, pagesa bëhet lehtë. Qasja është e sigurt, ka kamera të brendshme dhe jashtme – pa korrupsion, atraktiv për qytetarët dhe i lehtë veçmas për qytetarët që jetojnë jashtë vendit”, tha Nushi, në panel-diskutimin “Lokalizimi i Agjendës Digjitale në Ballkanin Perëndimor”.

Hulumtimi i Portalb.mk, në lidhje me dhënien shërbimeve elektronike në Maqedoninë e Veriut tregoi se shteti ynë është 10 vite mbrapa Bashkimit Evropian në këtë fushë. Banorët kanë vështirësi në nxjerrjen e dokumenteve “vetëm me një klikim në internet”, pasi që shteti ofron shërbime të kufizuara elektronike.

Portalb.mk, ka analizuar edhe shërbimet elektronike që jepen në nivel lokal.

Edhe pse deri te BNJVL kemi dorëzuar një sërë pyetjesh në lidhje me atë se në çfarë niveli të digjitalizimit janë komunat, a kanë të dhëna statistikore për shfrytëzimin e të njëjtave, a kanë resurse financiare dhe njerëzore, si dhe a bashkëpunojnë me pushtetin qendror, po të njëjtët nuk na kanë kthyer përgjigje.

Në raportin për vitin 2019-të për punën e BNJVL-së, thuhet se ekziston një Njësi për Përkrahje të Shërbimeve Elektronike (ZEPE), përmes së cilës mundësohet realizimi i përshpejtuar i njërit prej qëllimeve prioritare strategjike të BNJVL-së për përkrahjen e anëtareve të saja në krijim të “e-komunave”.

Ashtu siç e kanë theksuar edhe në raport, në nivel të komunave ekzistojnë 7 platforma për shërbime elektronike, megjithatë ne i analizuam dhe shumica prej tyre nuk janë funksionale.

Megjithatë, edhe ata që funksionojnë përdorimi i tyre është shumë i ulët.

“Përmes sistemit të informacioneve http://www.gradeznadozvola.mk komunat në vitin 2019 lëshuan 2109 miratime për ndërtim, ndërsa përmes sistemit të informacioneve për ankand elektronik publik për zbatim të procedurës për shitje dhe dhënie me qira të sendeve të paluajtshme dhe të luajtshme http://www.estvari.mk patën rreth 100 shpalljeve për ankande”, thuhet në raport.

Lexo hulumtimin e Portalb.mk për shërbimet elektronike:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button