Konvikti i studentëve “Pelagonia” siguroi dhomë për shoqërim dhe aktivitete

Studentët e vendosur në konviktin “Pelagoniia” në Shkup tani do të mund ta kalojnë kohën e lirë në dhomën e sapohapur për shoqërim dhe socializim. Në të studentët kanë mundësi të pinë kafe, të luajnë lojëra interaktive dhe të planifikojnë aktivitete të përbashkëta, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Mund të përdoret nga çdo student që ndodhet në konvikt dhe do të jetë i disponueshëm për përdorim gjatë gjithë ditës.

Salla e takimeve dhe shoqërimit është mobiluar me fondet e grumbulluara në festën humanitare studentore të organizuar në dhjetor nga Kuvendi studentore universitar i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

“Dhoma është bërë me ndihmën e vetë studentëve përmes festës që është organizuar nga Kuvendi studentor i Universitetit dhe ku janë shitur rreth 1300 bileta. Është planifikuar të jetë dhomë studimi, dhomë sociale për studentët. Konvikti “Pelagonia” deri më tani nuk ka pasur dhomë ku studentët mund të rrinë, të kalojnë kohë së bashku, të pinë kafe, të luajnë lojëra interaktive etj. Mendoj se i gjithë koncepti që e kemi ideuar do të jetë një rifreskim i mirë për konviktin”, thotë Sllavço Temelkovski, kryetar i KSU UKM.

Dhoma është e pajisur me mobilje dhe teknikë të bardhë, aparate kafeje dhe tashmë studentët kanë në dispozicion disa lojëra në tavolinë. Muralet në mure janë pikturuar nga studentët e Fakultetit të Arteve të Bukura në UKM.

Temelkovski u bën thirrje studentëve që ta shfrytëzojnë sallën në mënyrë të arsyeshme dhe të kujdesen për mirëmbajtjen e saj.

“Ne si KSU e realizuam qëllimin e vendosur – e bëmë interesante dhe tani u mbetet studentëve që qëndrojnë në konvikt ta mirëmbajnë”, thotë Temelkovski.

Gjysma e mjeteve të grumbulluara në festën humanitare, gjegjësisht rreth 63.000 denarë janë shpenzuar për këtë dhomë, ndërsa me gjysmën tjetër të mjeteve, së shpejti do të pajiset hapësirë ​​e njëjtë në konviktin studentor “Goce Dellçev”.

“Fillimisht, ideja ka qenë që të krijohet një dhomë si kjo në konviktin “Stiv Naumov”, pasi situata ka qenë më urgjente, por meqenëse është paraparë një projekt që planifikon të rinovohet i gjithë konvikti, i cili duhet të fillojë në mars, na u tha që nëse i investojmë fondet atje, ka shumë gjasa që ajo dhomë të prishet. Prandaj vendosëm që ambientet t’i bëjmë në konviktet “Pelagonia” dhe “Goce Dellçev”. Vendimi është marrë nga i gjithë Kuvendi i Studentëve të Universitetit dhe mendoj se do t’i plotësojë pritjet e studentëve në konvikte”, shton Temelkovski.

Kryetari i KSU UKM thotë se kuvendi është i vetëdijshëm për të gjitha problemet reale që po ndodhin nëpër konvikte, por kanë vendosur që të pajisin dhoma për shoqërim dhe socializim sepse diçka e tillë nuk është e paraparë në planet e autoriteteve që menaxhojnë konviktet.

“Ne i dimë të gjitha problemet reale që ndodhin në konvikte, por mendoj se si KSU kemi bërë lëvizjen e duhur duke pajisur dhoma për shoqërim, sepse të gjitha problemet e tjera infrastrukturore në konvikte – nga kushtet e jetesës, higjiena – me theks të veçantë në “Stiv Naumov” – është punë e shtetit dhe shteti mbi të gjitha ka një detyrim dhe përgjegjësi të madhe për ta përfunduar dhe ne duhet të bëjmë diçka që mund të mos parashikohet në planet e tyre, por është vetëm një plus në të të gjithë pasqyrën se si duhet të duket një konvikt studentor”, shton Temelkovski.

Hapësira për mbledhje në konviktin “Pelagonia” ndodhet në katin përdhes. Pjesa e mbetur e inventarit të planifikuar do të mbërrijë këto ditë, por tashmë është e hapur për përdorim nga studentët e vendosur në konvikt.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button