Reportazh: Konvikti i studentëve “Koço Racin” në Manastir – shembull i bashkëpunimit të mirë mes studentëve dhe menaxhmentit

Pesë dhoma me kapacitet akomodimi prej 15 shtretërish, kuzhinë dhe klasë multimediale, qasje të adaptuar në të gjitha mjediset dhe tualetet – kështu duket objekti i destinuar për akomodimin e studentëve me aftësi të kufizuara në konviktin studentor “Koço Racin” në Manastir. Me këtë qendër akomodimi të hapur në prill të vitit 2021, konvikti i studentëve në Manastir u bë i vetmi në vend që ofron një objekt kaq unik – të përshtatur plotësisht dhe të vënë në dispozicion të studentëve me aftësi të kufizuara, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Ky objekt për momentin është ndoshta më moderni dhe me kushtet më të favorshme për jetesë nga të gjitha konviktet shtetërore dhe private në vend. Mirëpo, në kohën kur Meta.mk vizitoi konviktin “Koço Racin”, këto dhoma moderne për akomodimin e studentëve, me kushte për jetesë mbi mesataren, ishin të zbrazëta. Nga menaxhmenti i konviktit sqaruan se arsyeja për këtë ishte se për t’u vendosur aty në dy vitet e fundit nuk kishte aplikuar asnjë student me aftësi të kufizuara.

Në pyetjen se përse në mungesë të personave me aftësi të kufizuara këtu nuk akomodohen studentët e tjerë që të jetojnë në një ambient më komod, ata u përgjigjen se herë pas here hapësira përdoret nga studentë të huaj dhe mysafirë të jashtëm. “Koço Racin” funksionon edhe si operator ekonomik që shërbimet e veta, përveç studentëve, ua ofron edhe palëve të tjera të jashtme.

Qendra për akomodim dhe përkrahje psikosociale të personave nga kategoritë e cenueshme në të vërtetë është realizuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i infrastrukturës për përfshirje sociale në rajonin e Pellagonisë” të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës. Për projektin punuan vetë studentët bashkë me menaxhmentin e konviktit, të cilët kontribuan me idetë dhe sugjerimet e tyre për rregullimin e hapësirës.

Ministrja e atëhershme e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska gjatë lëshimit në përdorim në prill të vitit 2021 tha se në të ardhmen këto dhoma do të përdoren si model për aksesueshmërinë për të gjitha konviktet studentore, por edhe për mënyrën se si duhet të vendosen dhomat dhe e gjithë infrastruktura në to.

Ambasadorja zvicerane në vend, Sybil Suter, pranoi që ky konvikt duhet të jetë një shembull se si mund të rindërtohen konviktet e tjera në vend.

Për momentin në vendin tonë po vijon programi për investim në të gjitha konviktet e studentëve të cilët duhet të bëhen me efikasitet energjetik, por në të njëjtën kohë edhe bashkëkohorë dhe modern me qëllim që të mund të përdoren nga të gjithë studentët, përfshirë edhe nga ata me zhvillim jotipik dhe nga ata që kanë nevoja të ndryshme për një akses ndryshe dhe më të përshtatshëm në të njëjtat ndërtesa dhe objekte.

Ky program nuk anashkalon as konviktin e studentëve në Manastir ku është paraparë të rinovohen objektet e tjera për akomodim. Përveç qendrës për studentë me aftësi të kufizuara, konvikti “Koço Racin” ka edhe katër objekte – “A”, “B”, “C” dhe “D”, ku për momentin akomodohen rreth 280 studentë. Kapaciteti i përgjithshëm i tij është më shumë se kaq, por nga menaxhmenti i konviktit thotë se akomodojnë më pak studentë për të mundësuar komoditet dhe hapësirë të mjaftueshme për të gjithë.

This slideshow requires JavaScript.

Volitshmëria e kushteve dallon nga një ndërtesë në tjetrën, por nga ajo që pamë kemi përshtypjen se çdo student i vendosur në Koço Racin jeton në një mjedis të denjë. Nga objektet e këtij konvikti së fundmi është rinovuar blloku “C” dhe drejtoresha e konviktit, Sonja Karapec, pranon se për t’i përmirësuar kushtet në to ndërhyrje duhen bërë edhe në objektet e tjera.

“Para katër vitesh ne e rinovuam bllokun ‘C’. Ai është i denjë dhe i mirë për të jetuar dhe të tilla duhet të jenë edhe tre blloqet e tjera. Mirëpo pas rinovimit të këtij blloku shpërtheu pandemia e Covid-it, kështu që na u desh të ndalonim punimet. Ndërkohë, Qeveria përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës na njoftoi se janë duke përgatitur një projekt për renovimin e plotë të konviktit tonë në kuadër të planeve për renovimin e të gjitha konvikteve studentore në vend”, tha drejtoresha Karapec.

Nga vizita në të katër ndërtesat, ajo që vumë re ishte se brenda ishte ngrohtë, korridoret dhe tualetet ishin të pastra, ndërsa muret në mjediset e përbashkëta dhe dhomat që i vizituam  pa paralajmërim ishin zbukuruar me vizatime.

Konviktin e vizituam ditën e premte pasdite kështu që atmosfera brenda dhe përreth ndërtesave ishte e qetë, sepse shumica e studentëve tashmë kishin shkuar në shtëpi për fundjavë. Ata që i gjetëm nëpër dhoma, në oborr apo në menzë, u përgjigjën se ishin të kënaqur me kushtet, higjienën dhe ushqimin në konvikt.

Ndërkohë, në pritje të fillimit të rinovimit në fund të këtij viti, konvikti po zgjidh dhe riparon vetë problemet e raportuara nga studentët. Nëpërmjet Këshillit të banorëve të përbërë nga studentët që janë të vendosur aty, kushtet dhe aktivitetet e konviktit përmirësohen vazhdimisht – dëshmojnë si drejtuesit ashtu edhe studentët.

“Këshilli i banorëve, si përfaqësues i vetë studentëve, janë partneri ynë në funksionimin e plotë. Kjo do të thotë që për çdo gjë që planifikojmë – qoftë për të përmirësuar, rinovuar apo zëvendësuar, së pari i konsultojmë ata. Ata janë tregues dhe shembull se si duhet të punojmë. Këshilli i banorëve është forca shtytëse e të gjitha risive dhe aktiviteteve që bëjmë”, thotë Karapec.

Objekti për studentët me zhvillim atipik është realizuar pikërisht me ndihmën dhe idetë e studentëve, ndërsa shembulli më i fundit i një iniciative të inkurajuar nga banorët është shndërrimi i një ndërtese të vjetër të lënë pas dore dhe të mbyllur në një dhomë për shoqërim dhe aktivitete të lira të studentëve.

Kryetarja e Këshillit të banorëve, Nadica Ingilizova, tha se për momentin po bëhen përpjekje që një pjesë e oborrit të shndërrohet në fushë sportive, në të cilën do të vendosen pajisje për ushtrime.

“Ne në kuadër të Këshillit kemi disa komisione pune – sportive, ekologjike, kulturore dhe të tjera. Në kuadër të këtyre komisioneve ne kemi aktivitete të rregullta. Kur organizojmë aksione si pastrimi i konviktit, sepse në fund të fundit ky është kompleksi ynë, mundohemi të përfshijmë sa më shumë studentë”, thotë Ingilizova, e cila shton se si kryetare e Këshillit të banorëve është e kënaqur me bashkëpunimin me menaxhmentin e konviktit dhe thotë se për çdo ankesë nga studentët ata reagojnë menjëherë.

Ajo që është interesante për këtë konvikt është se i gjithë kompleksi paraqet një monument historik dhe është nën mbrojtjen e monumenteve të kategorisë së dytë, pra kategorisë B. Sipas drejtoreshës Karapec, ndërtesat janë ndërtuar në shekullin e 17-të dhe para se të viheshin në funksion si konvikt studentor, në këto dhoma funksiononte kazerma dhe më pas spitali special për sëmundjet e mushkërive.

Kompleksi u bë konvikt studentor në vitin 1980, një vit pas formimit të Universitetit “Sh. Kliment Ohridski” në Manastir, me çka pas Shkupit ky qytet u bë qendra e dytë universitare në vend.

“Ne nuk mund të rinovojmë vetë gjithçka që ka të bëjë me pamjen e jashtme të ndërtesave. Mirëpo, sa i përket përmirësimit të kushteve në pjesën e brendshme ne bëjmë riparime dhe renovime rregullisht”, thotë Karapec.

Konvikti kryesisht financohet nga qiratë që i paguajnë studentët, ndërsa një aktivitet shtesë që e bën konvikti studentor është ofrimi i akomodimit dhe ushqimit për mysafirët nga vendet e tjera. Një student i vendosur në “Koço Racin” paguan 3.450 denarë në muaj për akomodim dhe ushqim, ndërsa pjesën tjetër e mbulon shteti.

Përveç kësaj, “Koço Racin” si konvikt studentor aktualisht është unik edhe për faktin se ende funksionon me kupona studentore. Me ato studentët paguajnë ushqimin në menzë dhe blejnë produkte ushqimore nga dyqani i vogël.

Bashkë me disa studentë e vizituam edhe menzën e studentëve ku provuam disa nga ushqimet që ofroheshin në menynë e asaj dite. Meqë ishte koha e drekës ushqimet ishin të nxehta dhe të shijshme. Të ftuar nga punonjësit i hodhëm një sy edhe kuzhinës ku u vërtetuam për higjienën dhe shumëllojshmërinë e ushqimeve të përgatitura nga shefat e kuzhinës, por na i treguan edhe sobat me gaz që përdorin, duke paralajmëruar kështu për një riorientim drejt gatimit më ekologjik me gaz.

“Sa i përket ushqimit ne kemi të planifikuar një meny për dy javë. Studentët mund të zgjedhin mes dy ose më shumë ushqimeve. Janë paraparë sallata, ëmbëlsira, fruta. Mundohemi ta bëjmë si ushqim të gatuar në shtëpi, ushqim cilësor dhe në të shumtën e rasteve i sigurojmë produktet për përgatitjen e ushqimit, e çdo gjë tjetër gatuhet nga ne”, tha një nga punonjësit e kuzhinës në “Koço Racin”, i cili shtoi se ” në vend që të blihen nga jashtë të gjitha bukët, picat, buka e misrit dhe petullat prodhohen në menzën e konviktit”.

Kur e paralajmëruam vizitën në konviktin “Koço Racin” disa nga studentët që na kontaktuan përmes rrjeteve sociale u ankuan se ushqimi ndonjëherë nuk është i përshtatshëm, por shumica e banorëve me të cilët biseduam thanë se ushqimi ishte i mirë dhe në sasi të mjaftueshme.

Participimi të cilin e paguajnë studentët për akomodim në konvikt nuk ka ndryshuar që nga viti 2008, ndërsa drejtoresha Karapec tha se muajt e fundit për shkak të krizës ekonomike kanë marrë ndihmë nga shteti për mbulimin e shpenzimeve të përgjithshme.

Konvikti studentor “Koço Racin” bashkëpunon edhe me Parlamentin Studentor Universitar të Universitetit “Sh. Kliment Ohridski”, me të cilin vazhdimisht organizojnë manifestime dhe aktivitete.

Nga konvikti u larguam pasdite vonë me konstatimin se – sipas asaj që pamë – kushtet e akomodimit dhe ushqimit janë mesatare, por bashkëpunimi mes studentëve dhe menaxhmentit të konviktit studentor “Koço Racin” është në nivel të lakmueshëm dhe paraqet shembull që duhet ta ndjekin edhe objektet e tjera të cilat bëjnë akomodimin e studentëve.

Studentët dhe administrata na dërguan me një njoftim për një festë në muajin maj kur, siç thanë,  të gjithë do të mblidhen në oborr për ta shënuar fundin e një viti tjetër akademik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button