Shtatë vende votuan kundër rezolutës së OKB-së që dënon pushtimin rus në Ukrainë

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë të paraqitur nga Ukraina, që i bën thirrje Rusisë që “të tërheqë plotësisht dhe pa kushte” forcat e saj, transmeton Anadolu.

Ky hap i Asamblesë së Përgjithshme erdhi pasi u mblodh për një seancë të 11-të speciale urgjente për të diskutuar luftën ruse në Ukrainë, e cila do të shënojë përvjetorin e saj të parë të premten, më 24 shkurt.

Shtatë vende – Rusia, Bjellorusia, Siria, Koreja e Veriut, Eritrea, Nikaragua dhe Mali – votuan kundër rezolutës, ndërsa 32 abstenuan, përfshirë Kinën dhe Indinë.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme u bën thirrje vendeve anëtare të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare që të “dyfishojnë mbështetjen për përpjekjet diplomatike për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, në përputhje me Kartën e OKB-së”.

Ajo gjithashtu bën thirrje për një “ndërprerje të menjëhershme të sulmeve në infrastrukturën kritike të Ukrainës dhe çdo sulm të qëllimshëm ndaj objekteve civile, duke përfshirë ato që janë rezidenca, shkolla dhe spitale”.

Ajo kërkon që Rusia “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte” të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, si dhe të bëjë thirrje për “ndërprerje të armiqësive”.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të mërkurën, duke u bërë thirrje anëtarëve të OKB-së të mbështesin rezolutën, duke shtuar se lufta Rusi-Ukrainë nuk ka dy palë, por “një agresor dhe një viktimë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button