“Pse (nuk) është ashtu”: Mitet më të shpërndara dhe dezinformatat për luftën në Ukrainë
Sot bëhen një vit prej fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës. Më 24 shkurt të vitit të kaluar, Federata e Rusisë në 5 të mëngjesit sipas kohës lokale, e filloi invazionin ushtarak ndaj fqinjit të saj, Ukrainës. Vendi u sulmua nga shumë drejtime, ndërkaq shpërthime eksplozivi kishte në shumë qytete, përfshirë edhe kryeqytetin Kiev, shkruan Meta.mk.
Lufta në Ukrainë, përveç asaj që shkaktoi vuajtje të mëdha, viktima të civilëve dhe ushtarëve, shkatërroi qindra miliardë dollarë infrastrukturë, ajo ka prodhuar edhe shpërndarje të rregullt të dezinformatave. Pjesa më e madhe e tyre kanë arritur edhe në Maqedoninë e Veriut me qëllim që t’i mjegullojnë faktet dhe t’i ndihmohet Kremlinit në luftën për mendimin publik në vend, para se gjithash, që ta arsyetojë agresionin ndaj fqinjit të saj, i cili me asgjë nuk u provokua.
Për shkak rëndësisë së temës, në episodin e ri të “Pse (nuk) është ashtu” i komentojmë dezinformatat më të shpërndara të cilat e kanë ndjekur invazionin ndaj Ukrainës. Për ato do të flasin, kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari, Petrit Saraçini nga Instituti për Media dhe Analitikë – IMA dhe gazetarja Sllobodanka Jovanovska e cila ka qenë në Ukrainë vetëm një javë përpara fillimit të agresionit rus.
#1 Ukraina kreu krime kundër popullsisë ruse në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse Rusia duhej të ndërhynte, dhe në fakt Ukraina dhe Rusia janë një komb.
Nuk është ashtu. Rusia dhe Ukraina janë dy vende të ndryshme, popujt që jetojnë në Ukrainë dhe në Rusi janë dy popuj të ndryshëm, flasin gjuhë të ndryshme, përdorin alfabete të ndryshëm. Ato dy gjuhë janë të afërta, por nuk mund të themi se bëhet fjalë për një komb, një popull, një gjuhë, një alfabet.
Para intervenimit të Rusisë në Ukrainë, në Kiev në pushtet ishte presidenti pro-rus Viktor Janukoviç. Pas vitit 2014, kur Rusia intervenoi për herë të parë në Ukrainë, territori në të cilin jeton popullsia ruse u vu nën kontrollin rus, kështu që s’mund të bëhet fjalë për gjenocid nga ana e Ukrainës.
Përkundrazi, një numër i madh i raporteve nga organizata të besueshme, duke filluar nga OKB-ja, Amnesty International dhe organizata të tjera për të drejtat e njeriut, pretendojnë pikërisht të kundërtën – se është Rusia ajo që kryen krime dhe sulme ndaj popullatës civile dhe objekteve civile në Ukrainë.
Në fund të fundit, Kievi ka ekzistuar përpara se të ekzistonte Moska.
#2 Ukraina është e drejtuar nga nazistët/fashistët dhe e meriton luftën.
Jo, kjo nuk është ashtu. Ukrainën nuk e udhëheqin nazistët, as fashistët dhe nuk ka prova se diçka e tillë po ndodh. Kjo propagandë ka nisur që në fillim të vitit të kaluar, përpara invazionit të Ukrainës me qëllim që të arsyetohet agresioni rus. U publikuan të dhëna të pabazuara dhe pa asnjë fakt se Zelenski në duar e mban svastikën naziste, por verifikuesit e fakteve dëshmuan se ajo nuk është e vërtetë dhe se fotografia është e manipuluar.
Ukraina udhëhiqet nga Vollodimir Zelenski, hebre me origjinë nga një rajon rusisht-folës, një president i zgjedhur në mënyrë demokratike, i cili është përfaqësues i partisë Shërbëtori i Popullit.
Një numër i madh i mediave gjithashtu përcjellin se ai ka origjinë hebraike. Është absurde të pretendohet se një person, paraardhësit e të cilit kanë qenë viktima të terrorit nazist në Luftën e Dytë Botërore, është nazist ose fashist ose se përfaqëson një strukturë shtetërore naziste ose fashiste.
#3 Me agresionin rus kundër Ukrainës, koronavirusi u zhduk.
Nuk është ashtu. Gazetarja Sllobodanka Jovanovska e ka vizituar Ukrainën një javë përpara se të fillojë lufta dhe ka treguar se e ka pasur të domosdoshme që të bëjë disa teste pasi që ende ka pasur pandemi në vend.
Intervenimi në Ukrainë përkoi me përfundimin e vaksinimit kundër koronavirusit, kështu që zhdukja e koronavirusit nga diskursi publik ishte për shkak të vaksinimit, jo për shkak të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Koronavirusi vazhdon të jetë i pranishëm në botë, ka lloje të reja, ka raste, ka raporte që vijnë nga shumë vende. Kuptohet që pandemia është qetësuar dhe nuk është si në fillim. Ndoshta tani vëmendja e mediave dhe e publikut kudo në botë është më e përqendruar tek agresioni rus ndaj Ukrainës, por kjo nuk do të thotë se koronavirusi është zhdukur.
#4 Ukraina dëshiron të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore.
Nuk është ashtu. Ukraina nuk e filloi luftën, atë e filloi Rusia. Ukraina nuk i sulmon vendet fqinje, po Rusia.
Përkundrazi, ata që kërcënojnë se do të përdorin armë të shkatërrimit në masë dhe e tërheqin botën në një lloj konflikti global janë pikërisht përfaqësuesit e lartë të Rusisë ose propaganduesit e tyre si Sollovjov apo redaktori i “RT”, Simonian, të cilët vazhdimisht thonë se nëse Rusia vazhdon të sulmohet nga Perëndimi, kjo mund të nënkuptojë një lloj konflikti botëror ose edhe Luftë të Tretë Botërore.
#5 Rusia miratoi ligje të censurës për kontroll më të madh të mediave të vendit.
Po, ashtu është. Mediat në Rusi janë të kufizuara dhe të censuruara. Kremlini e kontrollon narrativin për luftën në Ukrainë, veçmas në televizionin shtetëror, i cili prej 24 shkurtit e lavdëron invazionin rus të shtetit fqinj dhe e quan mision çlirimtar. Mediat nuk raportojnë për krimet e armatës ruse në Ukrainë, por se ukrainasit i bombardojnë qytetet e tyre, ndërkaq ushtarët rus paraqiten si çlirues. Në fillim të luftës, rregullatori mediatik rus “Ruskom-Nadzor” i ka urdhëruar mediat që t’i fshijnë të gjitha raportimet për agresionin ushtarak të Rusisë ndaj një vendi fqinj në të cilat përdoren fjalët “sulm”, “invazion” ose “shpallje luftë”.
Me fillimin e pushtimit rus të Ukrainës u prezantua termi operacion special ushtarak. Praktikisht, me ndryshimin e ligjeve, çdo kundërshtim ndaj interpretimit zyrtar të luftës dhe çdo protestë apo problematizim i “fakteve” dënohet me ligj deri në 15 vjet. Të gjitha mediat e huaja u larguan nga vendi, mediat e pavarura mbyllën redaksitë e tyre, shumë prej tyre u mbyllën edhe nga qeveria dhe ka raste kur njerëzit përfundojnë në burg për shkak të respektimit të viktimave të luftës në Ukrainë.
#6 Nuk bëhet fjalë për pushtim, por për “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Nuk është ashtu. OKB-ja miratoi një rezolutë të cilën e mbështetën 141 vende nga e gjithë bota, dhe në të cilën dënohet agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës.
Fraza që shfrytëzohet për propagandë të brendshme ruse në Rusi është “operacion special” dhe ka për qëllim që t’i bind rusët që ta arsyetojnë luftën në Ukrainë, por edhe ta arsyetojë dërgimin e forcave ruse në një shtet fqinj.
Organizatat më formale ndërkombëtare, OKB, BE, OSBE, NATO, shumë vende në botë nuk flasin për një operacion special ushtarak, por për agresion ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Lufta po zhvillohet në Ukrainë, Rusia e sulmoi Ukrainën. Është Rusia ajo që bëri agresion ushtarak dhe këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë operacion special ushtarak, por për një luftë klasike, pra për pushtimin e një vendi nga një vend tjetër.
#7 Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski është arratisur nga Kievi.
Nuk është ashtu. Këtë dezinformatë e kemi hasur shumë herë që nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.
E transmetuar nga mediat ruse, kjo dezinformatë ka arritur edhe në Maqedoni. Është shkruar se Zelenski ka ikur në Londër. Ai ka demantuar duke publikuar një video në të cilën tërë kabineti thotë se nuk është tradhtar dhe derisa të ketë luftë, ai nuk do të heqë dorë nga Ukraina dhe do të luftojë së bashku.
E njëjta informatë disa herë u publikua në mediat që shpërndajnë propagandë ruse, por mediat botërore kanë bërë intervistë me Zelenskin nga Kievni dhe prej ku publikon video në të cilat shihet se ai vërtetë është atje.
#8 Masakra e civilëve në Buça është e inskenuar.
Nuk është ashtu. Kjo është një dezinformatë e pacipë. Për masakrën në Buça dhe qytete të tjera si Izum dhe Herson në Ukrainë ka video, foto, dëshmi dhe ka trupa të shpërndara nëpër rrugë që nëse klikoni në Google dhe ktheheni pas në kohë, mund t’i shihni në pamjet satelitore.
#9 Xhorxh Soros dhe Volodimir Zelenski janë baba e bir.
Nuk është ashtu. Në një intervistë vetë Zelenski e mohoi këtë dhe tha se nuk e kishte takuar Sorosin asnjëherë gjatë jetës së tij. Kjo është pjesë e retorikës së rregullt propagandistike ruse të desorosoizimit që përdoret si brenda ashtu edhe jashtë Rusisë.
Nëse Xhorxh Soros dhe Zelenski janë pjesë e asaj teorie konspirative sipas së cilës ky është një lloj komploti hebre kundër botës, atëherë bie ndesh me pretendimin tjetër absurd se Zelenski është një nazist që i shërben një qëllimi nazist ose fashist.
Këto pretendime janë absolutisht absurde dhe nuk kanë asnjë mbështetje faktike nga ndonjë burim i besueshëm që do të dëshmonte se Soros dhe Zelenski janë babë e bir apo familjarë.