BDI i reagon VMRO-DPMNE-së: Partia e Mickoskit është organizatë kriminale

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese kanë reaguar ndaj akuzave të VMRO-DPMNE-së se persona të afërt me zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi po udhëheqin me biznese të mëdha, ndërsa këtë ua mundësojnë funksionarë të BDI-së nëpër institucione. Nga BDI-ja kanë thënë se VMRO DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit është organizatë kriminale e vërtetuar nga gjykata, njofton Portalb.

Nga BDI potencojnë se VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit është organizatë kriminale e vërtetuar nga gjykata, por, siç shtojnë, edhe pa këtë, nuk ka qytetar në vendin tonë që nuk e di, edhe anëtarët e VMRO-DPMNE-së e dinë se korrupsioni dhe krimi i organizuar në vendin tonë është shpikur dhe perfeksionuar nga VMRO-DPMNE.

“Djali i graduar nga babai i tij në fakultet, Hristijan Mickoski, partner ideologjik i Dodikut, Janshës, Orbanit dhe Apasiev-it, dhe hidrobiznesmen politik, bashkëpunëtor me ish zëvendësit e tij dhe elementet anti-NATO dhe anti-BE në shoqërinë tonë, nuk ka kredibilitet, as mbështetje për të folur e akuzuar për korrupsion, as për të ardhmen e vendit tonë që po e mbah peng dhe po e bllokon. VMRO-DPMNE është sinonim i korrupsionit, të konfirmuar nga vetë kryesuesit e partisë para Gjykatës, të vërtetuar nga gjykata dhe me pasuri të konfiskuar plotësisht nga shteti. Këtë e ka konfirmuar Danella Arsovska. Këtë e di çdo qytetar në Maqedoninë e Veriut. I gjithë komuniteti ndërkombëtar e di këtë. VMRO-DPMNE dhe Mickoski janë sinonim i bllokadës. Bllokon Kuvendin, komunat, Qeverinë, të gjitha projektet dhe mbarë vendin. Ky është korrupsioni i vërtetë. VMRO-DPMNE dhe Mickoski janë sinonim i pengmarrjes. Nuk ka korrupsion më të madh sesa VMRO-DPMNE të mbajë peng qytetarët e saj dhe të ardhmen e tyre evropiane”, thuhet në reagimin e partisë.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov në konferencën e sotme për shtyp publikoi dokumente lidhur me pronën e drejtoreshës së Byrosë për metrologji Merita Mustafai, e cila është kuadër i BDI-së. Partia opozitare e përmend Mustafain lidhur me akreditimin që firma “Metrolab” e ka marrë për kryerje të inspektimit të matësve për volumin dhe prurjen e lëndëve djegëse të lëngëta dhe kalibrimin e pompës së gazit të lëngshëm të naftës.

Kompania, siç tha dje Lefkov, është themeluar nga Ermir Imami, i cili ka qenë i punësuar si punonjës sporteli tek vëllai i zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, Veton Grubi.

Duke cituar nenin 6 nga Ligji për metrologji, Byroja në krye të së cilës është Mustafai merr pjesë në procedurën për akreditim të laboratorëve për kalibrim dhe testim dhe kryen mbikëqyrje mbi punën e subjekteve juridike të autorizuar për kryerje të punëve të caktuara nga sfera e meteorologjisë. Person i tillë juridik, thonë nga VMRO-DPMNE-ja, është “Metrolab”.

Deputeti i VMRO – DPMNE-së, Mile Lefkov dje paralajmëroi një seri të dëshmive me të cilat partia do të konfirmojë se, LSDM dhe BDI i kanë shndërruar institucionet shtetërore në degë të kompanive të tyre, ndërsa aparati shtetëror shfrytëzohet që të krijohen kushte të mira biznesi për kompanitë e njerëzve nga pushteti.

Në lidhje me Grubin, Lefkov theksoi se familja e tij ka biznes milionësh dhe pronë përmes vëllait të tij, i cili në mënyrë direkte apo indirekte është i lidhur me më shumë biznese, siç është edhe ai i kalibrimit të instrumenteve për mbushjen e derivateve të naftës dhe gasit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button