LSDM autorizoi Kovaçevskin që të përfundojë negociatat për shumicë më të madhe dhe të propozojë rikonstruimin e Qeverisë

Këshilli Qendror i LSDM-së mbrëmë autorizoi kryetarin e partisë Dimitar Kovaçevski që t’i përmbyllë negociatat për shumicë më të madhe dhe të propozojë zgjidhje kadrovike për rikonstruimin e Qeverisë, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, transmeton Portalb.mk.

“Sot po bëhet një hap i mirë, kemi një shumicë më të madhe parlamentare për reforma dhe integrim në BE”, tha dje Kuzeska.

Sipas saj, me parimet e platformës për bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët, të miratuara nga Këshilli Qendror, sigurohen të gjitha kushtet për stabilitet politik dhe rritje të efikasitetit të Kuvendit dhe të institucioneve.

“Shumica e shtuar e qeverisë do të sigurojë që askush të mos mbetet vetëm këtë dimër dhe që rimëkëmbja e ekonomisë të fillojë tashmë këtë vit. Po krijohen kushte për avancimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit. Plani për partneritet strategjik me SHBA-të dhe promovimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore po merr mbështetje më të madhe”, tha Kuzeska.

E pyetur se cilat poste ministrore do të marrë Aleanca për Shqiptarët, Kuzeska nuk ka dashur të komentojë, duke theksuar se vendimi i Këshillit Qendror është në drejtim të politikave reformuese dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

“Në atë drejtim është edhe vendimi i sotëm i Këshillit  Qendror dhe nuk do të flitej për vendime kadrore. Këshilli qendror e autorizoi kryetarin e LSDM-së që t’i vazhdojë dhe t’i përfundoj negociatat, që do të thotë se për zgjidhje kadrovike do të flasim pasi të përfundojë ai proces”, shtoi Kuzeska.

Ajo shtoi se kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, pritet që së shpejti të dalë me zgjidhjet që do të nënkuptojnë rikonstruimin e Qeverisë.

Rifreskimi kadrovik, shtoi ajo, do të sjellë energji të re në realizimin e masave dhe politikave të Qeverisë së LSDM-së në interes të të gjithë qytetarëve.

“LSDM e mban numrin e ministrave si deri më tani, kemi një shumicë të shtuar në Kuvend, mbështetje më të madhe për reformën e vendit dhe kursin evropian dhe stabilitetin politik. Hapet një mundësi për bashkëpunim në nivel lokal dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, shtoi ajo.

Duke iu referuar “elementëve radikalë”, Kuzeska vlerësoi se E majta po e merr peng VMRO-DPMNE-në.

“Rreziku është që vendi të pushtohet nga elementë radikalë si Levica që duan të ndryshojnë rrugën tonë drejt BE-së dhe të na dërgojnë në izolim dhe varfëri. Fatkeqësisht, Emajta po e merr peng VMRO-DPMNE-në, ashtu si në kohën e Gruevskit kur u bllokua integrimi evropian. Sot sërish një kërcënim për të ardhmen tonë vjen nga Apasiev dhe Mickoski. Duhet të bashkojmë forcat dhe të mos lejojmë që të na bllokojnë sërish për 11 vjet”, nënvizoi Kuzeska.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, Kuzeska tha se ato do të mbahen siç është planifikuar, në vitin 2024, që është mirë, siç theksoi, për stabilitetin, investitorët dhe ekonominë.

Ndryshe, kryesia qendrore e Aleancës për Shqiptarët mbrëmë mori vendim për të qenë pjesë e Qeverisë.

Aleanca për Shqiptarët, siç tha lideri Arben Taravari, në Qeveri do të ketë tre pozita ministrore dhe dy zëvendësministrore. Sipas Taravarit, dy zëvendësministra do t’i kenë në mbrojtje dhe bujqësi, si dhe tre ministri, nga të cilat të sigurta janë Drejtësia dhe Shëndetësia dhe e treta do të jetë ose për Shoqërinë informatike ose zëvendëskryeministër për çështjet ekonomike.

“Në mbledhjen e dytë të kryesisë të ASH-së, para gjithë anëtarëve të kryesisë, e cila mori për obligim prej kuvendit qendror të sjell vendimin përfundimtar për pjesëmarrjes e ASH-së në Qeverinë aktuale të RMV-së. E prezantuan komplet pakon që kemi negociuar me partitë të cilat janë pjesëmarrëse në Qeveri, repsektivisht me kryeministrin Kovaçevski”, tha mbrëmë Taravari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button