Dështoi thirrja për transportuesit privatë në Shkup, Arsovska tha se autobusë ka rregullisht dhe mjaftueshëm

Dështoi thirrja publike e Qytetit të Shkupit për zgjedhjen e transportuesve privatë që do të mirëmbanin një pjesë të linjave të transportit publik, për shkak se NTP “Shkupi” nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të mirëmbajtur të gjitha linjat. Kryetarja Danela Arsovska dje në pyetjet e gazetarëve nëse ka dështuar tenderi dhe si planifikon qyteti ta zgjidhë kolapsin e transportit publik, vetëm shkurt u përgjigj se nuk ka asnjë problem dhe se ka autobusë në rrugë, transmeton Portalb.mk.

“U publikua thirrje publike në të cilën iu dha mundësia të aplikojnë të gjithë privatët vendas që duan të punojnë me ndershmëri në këtë aktivitet. Nëse ata nuk paraqiten, kjo tregon shumë për këtë shpallje. Qyteti i Shkupit mundet pa transportues privat, organizojmë transport publik, po bëjmë reforma dhe do të marrim autobusë të rinj”, tha Arsovska dhe u largua nga konferenca për media, duke mos lejuar që të bëhen pyetje shtesë.

Arsovska pohon se NTP “Shkup” i plotëson të gjitha linjat dhe mirëmban transportin publik pa problem, ndërsa ka publikuar dy shpallje për transportuesit privatë në linjat 9, 11, 12, 20 dhe 22. Ajo nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjen se pse, kur nuk ka nevojë, ka mjaft autobusë NTP dhe qarkullojnë rregullisht, në shpallje thuhet se nevojiten 48 autobusë dhe 103 shoferë.

Edhe sikur të blihen 50 autobusë të rinj, siç thotë Arsovska, është një proces që zgjat. Duke pasur parasysh se deri më tani nuk ka aktivitete lidhur me këtë njoftim të saj, për blerjen e autobusëve do të duhet të paktën një vit e gjysmë. Duhet shpallur tender, i cili është i hapur të paktën një muaj, pastaj pason përzgjedhja, pastaj procedura e ankimimit, gjegjësisht duhen dy deri në tre muaj për ta përfunduar nëse është i suksesshëm. Pastaj autobusët duhet të prodhohen dhe dorëzohen. Kjo do të thotë se në Shkup nuk do të ketë shërbim të rregullt me ​​autobus për të paktën një vit e gjysmë, gjegjësisht do të mungojnë autobusë për mirëmbajtjen e linjave.

Transporti publik në Shkup tashmë tre muaj është në kolaps, autobusët janë reduktuar dhe kur arrijnë në stacion janë të mbingarkuar. Pasi transportuesit privatë kanë ndërprerë lëvizjen për shkak se nuk u është paguar borxhi prej 1.5 milionë eurosh, në rrugë nuk ka mjaft autobusë, ndaj pasagjerët qëndrojnë me orë të tëra në stacionet e autobusëve. Në mëngjes dhe pasdite autobusët janë të mbingarkuar, qytetarët nuk mund të hipin dhe të presin autobus tjetër që po ashtu është plot. Vonë në punë, shkollë, për kontroll mjekësor dhe pasdite qytetarët nuk mund të kthehen në shtëpi.

Kryetarja Arsovska si kandidate e VMRO-DPMNE-së fitoi zgjedhjet me premtimin për transport publik të shpejtë, efikas dhe falas, si dhe me blerjen e 250 autobusëve ekologjikë. Në vitin e parë të mandatit, jo vetëm që nuk e realizoi këtë premtim, por kolapsoi transporti publik në qytet, dhe për herë të parë në histori, Shkupi mbeti një ditë pa të pasi shoferët e NTP “Shkupi” nuk qarkulluan sepse nuk ishin paguar.

Kryetarja e qytetit nuk shfaq asnjë shqetësim për mungesën e autobusëve, madje këmbëngul që transporti funksionon normalisht, ndërsa këtë situatë e vuajnë qytetarët, të cilët përballen me pritje të gjata në stacione dhe vonesa të vazhdueshme, për çka nuk mban askush përgjegjësi.

Arsovska muajin e kaluar i ndërpreu kontratat me dy kompanitë private të transportit “Sloboda prevoz” dhe “Makespres”, pas së cilës ata protestuan dhe bllokuan qytetin. Me ndërprerjen e kontratave, në rrugë nuk ka mjaftueshëm autobusë dhe NTP “Shkup” funksionon me orar të reduktuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button